Dr. Shk. Ilir Alimehmeti, Epidemiolog Klinik
COVID-19 është i shtrirë në të gjithë globin dhe ka prekur qindra mijëra persona deri tani. Shqetësimi personal është i kuptueshëm, pasi mundësia e infektimit orbiton në mendjen e çdo individi në shtetet e prekura.
Ky shqetësim nuk zbutet aspak nga raportime të ndryshme, kryesisht nga Kina dhe Japonia, që pas fazës akute të infeksionit, disa individë rishfaqin shenja të sëmundjes disa javë më pas. (Lan et al. Journal of the American Medical Association JAMA: ahead of print 27.08.2020; Zhou et al. Chinese Medical Association Journal: 02.03.2020).
Në vazhdim po ju raportojmë një studim të kryer mbi majmunë dhe i publikuar në Bioxriv më 14.03.2020 nga Bao et al.
Në këtë studim, 4 majmunë (Chinese rhesus macaques) u injektuan me rrugë intratekale me SARS-CoV-2. Pasi zhvilluan sëmundjen, ditën e 7-të, njëri prej majmunëve u sakrifikua për të kryer ekzaminimet patologjike. Pas shërimit, ditën e 28-të, dy prej majmunëve u reinfektuan me rrugë intratrakeale. Pasi nuk zhvilluan simptoma, ditën e 33-të (5 ditë pas reinfektimit), njëri prej majmunëve u sakrifikua për të kryer ekzaminimet klinike. Në Figurën 1, shpjegohet pikërisht procesi metodologjik.
Figura 2 tregon ecurinë klinike dhe parametrat laboratorikë të majmunëve.
Interes të veçantë merr pika g. që tregon se titri i antitrupave kundër SARS-CoV-2 mbetet i lartë dhe në ditën e 14-të, të 21-të dhe të 28-të, titri i antitrupave IgG ishte në mënyrë sinjifikante më i lartë se titri gjatë ditës së 3-të.
Në Figurën 3 shfaqen gjetjet radiologjike dhe patologjike në ditët 0, 7, 28 dhe 33.
Siç vërehet, majmuni i sakrifikuar nuk shfaq shenja të reja pas reinfektimit në ditën e 28-të.
Në përfundim, autorët dalin në konkluzion që mund të mos ketë arsye për t’u shqetësuar mbi reinfektimin nga SARS-CoV-2.
(Për detaje të mëtejshme mund të lexoni artikullin e plotë në linkun: https://www.biorxiv.org/co…/10.1101/2020.03.13.990226v1.full)
Kjo është një gjetje pozitive dhe e shumëpritur, pasi ndryshe nga gjetjet nga studimet e tipit vëzhgimor nuk përmban biase.
Nga ana tjetër studimi është kryer mbi popullatë majmunësh dhe ky realitet jo detyrimisht ka validitetin e jashtëm për t’u përgjithësuar në popullatën humane.
FAKTOR KYÇ: Mungesa e reinfektimit është detaj i rëndësishëm për sa i përket procesit të vendosjes së imunitetit të tufës dhe efektivitetit të vaksinave të mundshme në të ardhmen.
No comments:
Post a Comment