Nga Erion Dasho, Drejtori i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt
Në fakt, virusi i sotëm nuk po bën gjë tjetër veçse na kujton disa masa të cilat gjyshë/stërgjyshërit i kanë ditur dhe na i kanë thënë prej shumë vitesh:
1. Lani duart! Kujdes kur kolliteni dhe tështini! Mos pështyni përtokë!
2. Kur sëmureni, izolohuni dhe rrini në shtrat! Kështu i jepni organizmit mundësi të mbledhë forcat dhe të luftojë sëmundjen dhe mbroni të tjerët nga ekspozimi.
3. Kur vuani nga një sëmundje kronike apo për shkak të moshës, organizmi nuk është aq i fortë si dikur, kur keni qënë i ri dhe i shëndetshëm. Kujdesuni akoma më shumë për veten! Të moshuarit dhe personat e prekur nga sëmundje kronike, çdo sëmundje e kalojnë më rëndë se të tjerët, jo vetëm koronavirusin.
4. Mbani distancë nga të tjerët, si për arsye sociale ashtu edhe për arsye etike! Mos rri pas qafës së dikujt në radhë dhe mos shty për të dalë i pari në krye të një radhe. Mos u grumbulloni vend e pa vend! Në kohë epidemish shmangni grumbullimet e panevojshme (kinema, sport, koncert, etj.) Besimi fetar është një e drejtë e shenjtë e kujtdo, por në kohë epidemish, edhe frekuentimi i institucioneve fetare mund dhe duhet të rishikohet.
5. Gatuani dhe konsumoni ushqime të gatuara vetë! Shmangni ushqimet e shpejta! Gatimi në familje kërkon kohë por është më i shëndetshëm se gatimi në çdo restorant që ju premton “ushqim të shëndetshëm”, “ushqim me pak kalori” apo “ushqim bio”.
6. Mbi të gjitha! Shpenzoni më tepër kohë me familjen dhe fëmijët! Puna, shoqëria dhe jeta sociale është e rëndësishme, por familja duhet të vijë gjithmonë e para. Një miku im mjek i famshëm më tha njëherë: Kur pyes personat që jane duke vdekur se çfarë u ka mbetur pishman nga jeta, mbi 90% përgjigjen “Që nuk kam kaluar më tepër kohë me familjen”.
Sot ekziston një frikë se jeta pas epdemisë COVID-19 nuk do të jetë e njëjta. Nëse kjo do të thotë se do të nisim të respektojmë sa më lart, atëherë jeta pas koronovirusit pa diskutim do të jetë më e këndshme.
No comments:
Post a Comment