Tuesday, March 31, 2020

Epidemiologu Alimehmeti: Përdorimi i maskës në komunitet

Nga Ilir Alimehmeti, Epidemiolog Klinik

Si rrjedhojë e debatit konstant mbi përdorimin e maskave nga popullata, po ju vë në dukje rekomandimet e përdorimit të maskave në shtetet me eksperiencën më të lartë me COVID-19.

Siç mund të shihet më poshtë, asnjë vend nuk rekomandon përdorimin e maskave në ambiente të hapura nëse nuk je vetë i sëmurë apo nuk ke një profesion për shkak të të cilit mund të jesh shpesh në kontakt me shumë njerëz apo me persona të infektuar.

Materiali është përkthyer gërmë më gërmë nga artikulli “Rational use of face masks in the COVID-19 pandemic” publikuar në Lancet më datë 20 Mars 2020.

Rekomandimet mbi përdorimin e maskës në komunitet:

OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë):
• Nëse je i shëndetshëm, ke nevojë për maskë vetëm nëse po kujdesesh për një person të dyshuar për infeksion nga SARS-CoV-2.

Gjermania:
• Nuk ka mjaftueshëm të dhëna që të provojnë se mbajtja e maskës kirurgjikale redukton ndjeshëm riskun e një personi të shëndetshëm për t’u infektuar gjatë mbajtjes së maskës.
• Sipas OBSH-së, mbajtja e maskës në situata ku nuk rekomandohen maskat mund të krijojë një ndjesi sigurie false dhe mund të çojë drejt neglizhimit të masave themelore të higjienës, si higjiena e përshtatshme e duarve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës:
• Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë që personat që janë të shëndetshëm të mos mbajnë maskë (as respirator) për mbrojtje nga sëmundjet respiratore, duke përfshire COVID-19.
• US Surgeon General i kërkoi popullatës në Twitter që të mos blejnë maska fytyre.

Mbretëria e Bashkuar:
• Maskat e fytyrës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në vende si spitalet, por ka shumë pak evidenca në favor të të mirave që mund të sjellë përdorimi i tyre nga popullata.

Kina:
• Personat me risk shumë të ulët infeksioni: nuk duhet të mbajnë maskë ose mund të mbajnë një maskë jomjekësore (si maskat prej nape). (Personat që rrinë kryesisht në shtëpi, që bëjnë aktivitete jashtë shtëpisë, ose që punojnë apo studiojnë në ambiente të ajrosura mirë).
• Personat me risk të ulët infeksioni: maskë njëpërdorimshme. (Personat që qëndrojnë në zona me dendësi të lartë njerëzish (supermarket, qendra tregtare), që punojnë në ambiente të mbyllura, që kanë nevojë për kujdes shëndetësor në qendra spitalore (jo për arsye infektive), dhe gjatë grumbullimeve të fëmijëve me moshë 3–6 vjeç dhe të nxënësve të shkollave).
• Personat me risk të moderuar infeksioni: maskë kirurgjikale ose maskë njëpërdorimshe për përdorim mjekësor. (Personat që punojnë në zona me dendësi të lartë njerëzish (spitale, stacione treni, etj.), ata që kanë qenë ose jetojnë me dikë që është në karantinë, dhe stafi administrativ, i policisë, i sigurisë dhe korrierët që për arsye pune mund të jenë në kontakt me COVID-19).

Hong Kongu:
• Maskat kirurgjikale mund të parandalojnë transmetimin e viruseve respiratore nga personat që janë të sëmurë. Është thelbësore që personat me simptoma të sëmundjes (edhe kur janë simptoma të lehta) të mbajnë një maskë kirurgjikale.
• Maskë kirurgjikale gjatë transportit publik ose në vendet me dendësi të lartë personash. Është e rëndësishme që të vihet maska në mënyrën e duhur dhe të higjienizohen mirë duart përpara vendosjes dhe pas heqjes së maskës.

Singapori:
• Mbani maskë nëse keni simptoma respiratore, si kollë ose rrufë.

Japonia:
• Efektiviteti i mbajtjes së maskës për të mbrojtur veten nga marrja e viruseve mendohet se është e kufizuar.
• Nëse mbani një maskë fytyre në vende të mbyllura, me ajër të ndenjur, maska mund t’ju ndihmojë të ndaloni spërklat e nxjerrë nga njerëzit e tjerë.
• Maska e fytyrës nuk është shumë eficiente nëse ndodheni në ambient të hapur.

No comments:

Post a Comment