Ndërsa Shqipëria po përballet me pandeminë e Covid-19 dhe sistemi shëndetësor publik është përqëndruar kryesisht në menaxhimin e rasteve aktive, qindra qytetar kanë zgjedhur të trajtohen në shtëpi, edhe në rastet kur gjendja e tyre shëndetësore kërkon që ata të hospitalizohen. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kemi 29,301 raste aktive, 256 të shtruar në spitale dhe 2291 humbje jete.
Mjekët e familjes janë të angazhuar në procesin e menaxhimit të rasteve të lehta dhe të mesme në shtëpi, ndërsa po përballen edhe me kërkesën e pacientëve për të trajtuar edhe rastet që kanë nevojë për oksigjeno-terapi. Situata e trajtimit në shtëpi me oksigjeno terapi, me ose pa ndjekjen e një mjeku specialist, është fakt.
Por cilat janë pasojat?
Pasojat që mund të sjellë ky trajtim në shtëpi janë të rënda aq sa pacienti mund të humbasë edhe jetën. Trajtimi në shëtpi me oksigjeno-terapi nuk është e lejueshme edhe pse po përdoret në masë. Në një intervistë të shkurtër për gazetën “Shëndeti Online” mjeku anestezist-reanimator Dr. Ernest Caka tregon më shumë rreth pasojave që sjellë ky trajtim në shtëpi.
“Nga ana protokollare trajtimi me oksigjeno-terapi në shtëpi NUK është e lejueshme. Kur parametrat janë nën 90, pacienti duhet hospitalizuar patjetër.
“Është një vijë e kuqe e cila nuk duhet shkelur. Oksigjeni gjithmonë duhet menaxhuar nga mjekë profesionistë. Kur menaxhohet nga familjarët e pacientit ose dhe nga mjekë të cilët nuk kanë njohuritë e duhura gjithmonë është i dëmshëm. Përdorimi i gabuar mund të çojë në mbingopjen me oksigjen dhe kjo nuk është gjë e mirë. Një familjar nuk mund ta menaxhojë këtë trajtim në shtëpi dhe nuk është proces i lehtë.
“Pasojat e trajtimit me oksigjeno-terapi në shtëpi janë nga më e rënda e cila është humbja e jetës së pacientit. Absolutisht po, sepse oskigjeni vazhdon të bjerë dhe nuk e menaxhon dot, nuk ke burimet e nevojshme të oksigjenit, mund të mos kesh energji elektike pasi ikin dritat etj.
“Me pas fillon me çrregullimet të parametrave të zemrës, të trurit, mushkrive, të veshkave. Preket i gjithë sistemi i trupit. Për aq kohë sa oksigjeni menaxhohet nga persona jo profesionistë është gjithmonë i dëmshëm dhe i rrezikshëm.
“Fakti që trajtohen në shtëpi me oksigjeno-terapi është një zgjedhje të cilën e bën familjari dhe JO nuk është një këshillë e dhënë nga mjeku për të bërë në shtëpi këtë trajtim. Të gjithë mjekët në momentin që pacienti desaturon i rekomandojnë shtrimin në spital. Mendoj se është çështje kulture nga ana familjarëve, mund të jetë edhe mosbesimi që kanë. Por, them se është e para çështje kulture që zgjedhin të mjekohen në shtëpi dhe jo në spital. Unë kam dëgjuar raste që e kanë mbajtur 1 javë më oksigjen në shtëpi edhe 6 -7 javë në shtëpi me oksigjen, dhe në fund e kanë sjell përsëri në spital sepse nuk ja kanë dal dot në shtëpi.”
Mjeku thekson se kjo është zgjedhje personale e pacientit, pasi në spital ofrimi ofrohet maksimalisht.
“Kjo është një zgjedhje personale nga ana e pacientit dhe e familjarit sepse shërbimi i është ofruar gjithmonë çdo pacienti. Unë jam i bindur që askujt nuk i është mohuar shërbimi në spital nga profesionistët.”
No comments:
Post a Comment