Wednesday, April 21, 2021

Kirurgu i Traumës: Sjellja “abuzive” e spitaleve të rretheve, përcjellin pacientët në Tiranë për një apendicit

Bisedoi: Desara Çela

Edhe pse kurba e infektimeve nga COVID-19 ka rënë dhe shtrimet në spital janë reduktuar  kjo duke çuar dhe në mbylljen e dy spitaleve COVID, përkatësisht spitalit COVID 3 dhe Covid 4 përsëri urgjencat dhe kirurgjitë adresohen në Spitalin e Traumës dhe jo në QSUT. Duke mos mjaftuar me mbingarkesën që ky spital po përballet prej një viti duke pritur urgjencat e QSUT-së në drejtim të këtij spitali vijnë edhe urgjenca nga rrethet kjo duke e mbingarkuar edhe më shumë situatën. Në një intervistë për gazetën “ Shëndeti online” mjeku kirurg pranë spitalit të Traumës Dr. Sami Koçeku tregon më shumë rreth kësaj situate.

Doktor, edhe pse ka kaluar një vit nga fillimi i pandemisë a është po e njëjta mbingarkesë?

Misioni që ne kemi këtu është trauma, rastet me trauma janë konstante me numër të njëjtë pacientësh. Mund të shkojë nga 90-170 raste me trauma. Masat anticovid i kanë reduktuar por minimalisht, nuk është reduktim maksimal.  Ndërsa te kirurgjia e përgjithshme vazhdon po e njëjta situatë si më përpara, e njëjta mbingarkesë.

Të gjithë rastet me trauma janë për ndërhyrje kirurgjikale?

Jo! Kur them trauma, pacienti mund të ketë vetëm fraktura dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Mund të jetë me dëmtime të barkut por edhe këtu mund të mos operohet por, kjo varet nga mjeku specialist si e shikon ai të arsyeshme. E gjitha varet nga gjendja e pacientit , diagnoza etj. Por ka dhe raste që kërkojnë ndërhyrjen kirurgjikale.

A shikohet si diçka pozitive ulja e rasteve me COVID-19 që kirurgjitë e përgjithshme dhe urgjencat të shkojnë përsëri në QSUT?

Ne kemi rastet ekstra që janë të kirurgjisë së përgjithshme, që për mua këtu është gabimi sepse tek QSUT-ja është një staf shumë i madh, më i madh se këtu tek ne dhe mund të bëjnë urgjenca. Kirurgjinë e përgjithshme dhe urgjencat mund ti bëjë shumë mirë QSUT-ja sidomos në këtë lloj trendi që ka rënë tani me uljen e rasteve me COVID-19 dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë.

Ne këtu kemi operuar pacientin për stomakun por, më pas na del edhe i infektuar  me COVID-19. Ndërsa në QSUT ka qenë spitali COVID. E operon pacientin dhe e dërgon tek pavijoni COVID.

Po është diçka pozitive shumë që kurba e infektimeve ka rënë . E mbështes Komitetit Teknik të Ekspertëve pasi masat e marra nga Komiteti kanë patur rendiment.

Duke patur edhe urgjencat e QSUT-së a janë lënë “pas dore” operacionet e planifikuara në këtë spital?

Jo nuk janë lënë “pas dore”. Ne, mjekë  ishim koshient për situatën  dhe nuk kërkonim të bënim operacione të planifikuara. Ne kemi bërë operacione gjysmë të planifikuara duke shfrytëzuar hapsirën , kemi patur hapsirë i kemi bërë edhe pse urdhëri ka qenë për të mos i bërë këto operacione dhe  këtu është diskordanca.

Qendra më e madhe spitalore është tek QSUT-ja për operacionet e kirurgjisë së përgjithshme dhe të planifikuara . Është një urdhër që thotë: Për hemorragjia gastrointestinale dhe pankreatitet do shkojnë tek QSUT-ja. Këto dy patologji i kemi dërguar tek QSUT-ja dhe i ka pranuar në mënyrë absolute dhe ato që janë me kancer i kemi dërguar te Shërbimi Onkologjik në QSUT.

A ka pacientë të cilët nuk i drejtohen spitalit për të marrë ndihmë nga frika se mos infektohen me COVID-19?

Po ka! Çdo pacient që vjen në derën e spitalit ne jemi të detyruar ti japim ndihmën që i nevojitet atij. Por ka raste që janë të trembur se mos marrin virusin dhe kjo e ndikuar nga familjarët apo nga mungesa e informacionit që kanë. Këto raste janë kur pacienti shkon në fund nga ana shëndetësore dhe atëherë i drejtohet spitalit për ndihmë  por, kur vjen në gradë të fundit është në situatë katastrofike: i pa trajtuar, i pa vëzhguar është tek fundi. Por kur vjen në fund pavarësisht ndërhyrjes që i bëhet edhe mund të dështojë si ndërhyrje. Pas disa ditësh të nxjerrin në TV dhe thonë që e dërgova në spital por më vdiq atje. Por kur më vjen në gradë të fundit unë nuk kam se çfarë i bëj. Në këtë spital asnjë pacient nuk kalohet pa u parë dhe jo vetëm nga një mjek por nga disa mjekë. E rëndësishme është që nuk ka mungesë medikamentesh.

Po nga rrethet vijnë pacientë? Nëse po cila është arsyeja që vijnë tek Truma?

Në rrethe bëhen ndërhyrje kirurgjikale por, shumë na vijnë edhe këtu. Ajo çfarë më shqetëson është se pacientët nuk i sjellin ditën por natën. Nëse pacienti i shkon në 8 të mëngjesit e sjellin tek ne në 4 të mëngjesit me ambulancë  dhe i sjellin pa lajmëruar nëse në kemi ose jo vend kjo nuk ka rëndësi. Unë i kam kërkuar kolegëve të mi dhe instancave që asnjë pacient nuk duhet të vijë këtu në spital pa u njoftuar ne më para nga instancat shëndetësore.

Aktualisht po shfrytëzohet koha e pandemisë  me idenë që i dërgojmë atje. Mund të kenë edhe problemet e tyre në rrethin ku janë. Nuk është se këtu i sjellin për më mirë . Heqin përgjegjësin nga vetja dhe rehatinë . Kulmi është kur i sjellin në fundjavë.

Ju nuk njoftoheni më para që po ju vjen një pacient nga rrethet?

Përjashto ngjarjet e rënda  të cilat janë aksidentet e rënda, plagosje me armë zjarri etj., që ne lajmërohemi, për të tjera në mënyrë absolute që jo, nuk ka marrë askush deri më sot në një kohë që urdhëri është: Është një Qendër e Koordinimit të Urgjencave në Shqipëri, nuk duhet të nisin të sëmurë pa njoftuar spitalin.

Jo më larg se para një jave ne këtu i patëm të gjitha sallat e zëna. Ishim të detyruar të anulonim të gjitha ndërhyrjet sepse nuk kishim vend. Shkak ishin urgjencat e rretheve, sepse kanë ardhur pa njoftuar .

Nuk mund të vijë pacienti për apendicit nga rrethet për të bërë operacion në Tiranë. Spitali i Elbasanit ka kirurg dhe shumë mirë mund të operojë një pacient i cili ka apendicit por jo e sjellin këtu tek ne . Dhe jo vetëm nga Elbasani por edhe nga Durrësi me apendicit e sjellin tek ne për të bërë ndërhyje.

Nuk është normale që një pacient me një patologji të zgjidhshme në rrethin e tij të udhëtoj 3-4 orë për të ardhur këtu, kur mund tu bënte atje.  Por ajo që është më e keqja është se këto pacientë që vijnë me ambulancë vijnë të shoqëruar nga një infermier dhe një letër dore pa vulë, firmë ose ta them ndryshe zhgarravinë. Nuk mund ta quaj epikrizë por një zhgarravinë. Kur pacienti vjen këtu i ribëhen të gjitha nga  e para ekzaminimiet dhe nuk e marr parasyshë se çfarë është shkruar aty sepse nuk mund ta lexoj dot.  Kemi patur raste që pacientin nuk e kemi bërë operacion e kemi mbajtur dy-tre ditë në mbikqyrje dhe kemi parë që nuk ka nevojë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

No comments:

Post a Comment