Me 206 për 100 mijë banorë, Shqipëria është mes 20 vendeve më të goditura në botë për vdekjet e shtuara gjatë pandemisë COVID-19. Kjo sipas një analize të shifrave të përpunuara nga gazeta The Economist. Vdekjet e shtuara llogariten duke përfshirë fatalitetet nga të gjitha shkaqet e jo vetëm si rezultat i koronavirusit. Ndërkaq bëhet një krahasim me mesataren historike të viteve të fundit.
Vendi ynë renditet i 17-ti në një listë të cilën e kryeson Peruja me 412 për 100 mijë banorë e pesëshen e parë e plotësojnë Bullgaria, Meksika, Rusia, Lituania.
Në Ballkanin Perëndimor, më keq se Shqipëria janë Maqedonia e Veriut me 283 vdekje të shtuara për 100 mijë banorë, Serbia 264 dhe Bosnje Hercegovina 245.
Edhe më herët në statistikat më të fundit zyrtare të publikuara nga INSTAT rezulton se në 10-vjeçarin e fundit, Shqipëria nuk ka njohur një bilanc vdekjesh si në 2020-ën që përkon me vitin e pandemisë. Në mbi një vit janë 5880 më shumë ndërsa aktualisht raportohen mbi 2 mijë e 300 nga koronavirusi, shifra më e fundit e përditësuar në bilancin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në muajin shkurt, Instituti i Statistikave publikoi të dhënat demografike të vitit të kaluar dhe rezultoi se mbi 5 mijë e 800 shqiptarë kanë ndërruar jetë më shumë se zakonisht kur referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, të vdekurit nga COVID-19 ishin mbi 1.100 vetë. Duket se në këtë diferencë, pandemia përbën shkakun më të dukshëm. Rritjet më të larta përkojnë me tre-mujorin e fundit të vitit 2020.
Për më tepër, shtimi i vdekjeve vitin e kaluar nuk ka ndodhur përgjatë të gjithë 2020-ës por në veçanti në tremujorin e katërt. Ndërkaq, për herë të parë Britania e Madhe nuk ka nivelin më të keq të vdekjeve të shtuara që nga shpërthimi i krizës shëndetësore e duket se përmirësimi lidhet me fushatën e suksesshme të vaksinimit kundër koronavirusit.
https://ift.tt/2YMXF0g
No comments:
Post a Comment