Thursday, September 30, 2021

YouTube merr masa strikte, bllokon të gjitha videot me përmbajtje anti-vaksinë

YouTube do të bllokojë të gjitha videot me përmbajtje anti-vaksinë, duke shkuar përtej vendimit për ndalimin e vetëm të atyre përmbajtjeve të rremë të lidhura me vaksinat kundër COVID-19. Lajmi u njoftua të mërkurën nga vetë kompania.

Shembuj të përmbajtjeve që nuk do të lejohen në YouTube përfshijnë pretendimet se vaksina e gripit shkakton humbjen e aftësisë riprodhuese dhe se vaksina e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola, mund të shkaktojë autizëm.

Një zëdhënës i YouTube-it tha se kompania do të bllokojë gjithashtu edhe ato kanale të lidhura me aktivistë të njohur kundër vaksinave mes tyre Robert F. Kennedy Jr. dhe Joseph Mercola.

Në një email për shtyp publikuar në faqen e tij në internet zoti Mercola shkruante: “Ne jemi të bashkuar në të gjithë botën, nuk do të jetojmë me frikë, do të qëndrojmë së bashku dhe do të rivendosim liritë tona”.

Në një deklaratë të tij zoti Kennedy shkruante: “Nuk ka asnjë rast në histori kur censura dhe fshehtësia janë vendosur përpara demokracisë ose shëndetin publik”.

Ky zhvillim vjen pasi YouTube dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë si Facebook dhe Twitter janë kritikuar se nuk kanë bërë sa duhet për të ndaluar përhapjen në faqet e tyre të informacionit të rremë të lidhur me shëndetin publik.

Por ndërsa YouTube po ndërmerr masa më të ashpra ndaj dezinformatave, ai përballet me reagime në të gjithë botën. Të martën, kompania bllokoi kanalet në gjuhën gjermane të RT-së, të mbështetura nga qeveria ruse. Kompania tha se kanalet kishin shkelur politikën e saj mbi dezinformacionin ndaj COVID-19.

Të mërkurën Rusia e quajti këtë vendim si “agresion të pashembullt ndaj informacionit” dhe kërcënoi se do të bllokojë YouTube-n./VOA

LAJM I FUNDIT/ Ndërron jetë gruaja 4 muajshe shtatzënë e prekur nga Covid

Një grua 4 muajshe shtatzënë ka ndërruar jetë në spitalin e infektivit në kryeqytet pasi ka qenë e infektuar nga Covid.

Mësohet se e ndjera ka qëndruar në shtëpi derisa 90% e kulmonit të saj ishte dëmtuar dhe kur shkoi në spital, ka qenë në gjendje kritike për jetën.

Si pasojë e vdekjes së saj, edhe fëmija nuk ka mundur të mbijetojë, ndërsa bëhet me dije se e ndjera kishte qëndruar në reanimacion prej 2 ditësh dhe fatkeqësiht nuk ka mundur të fitojë betejën duke ndërruar jetë ditën e djeshme./FaxWeb

 

Wednesday, September 29, 2021

Studimi i Oksfordit: Duhanpirësit vdesin më shpesh nga Covid-19

Duhanpirësit kanë 60 deri në 80 për qind më shumë gjasa të shtrohen në spital nëse infektohen me koronavirus, dhe gjithashtu vdesin më shpesh nga COVID-19, tregojnë të dhënat.

Një studim i kryer në Oksford kundërshton kërkimin e botuar në fillim të pandemisë, i cili sugjeron që pirja e duhanit mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër virusit. Ky hulumtim u tërhoq më vonë pasi u zbulua se disa nga autorët kishin lidhje financiare me industrinë e duhanit. Studime të tjera nëse pirja e duhanit shoqërohet me një rrezik më të lartë të COVID -19 të rëndë kanë dhënë rezultate të paqëndrueshme.

Një problem është se shumica e këtyre studimeve ishin të natyrës vëzhguese, duke e bërë të vështirë përcaktimin nëse pirja e duhanit është shkaku i rritjes së rrezikut apo nëse diçka tjetër nuk është në rregull. Ashley Clift nga Universiteti i Oksfordit dhe kolegët e saj u mbështetën në të dhënat mjekësore, rezultatet e testit të koronavirusit, të dhënat e pranimit në spital dhe certifikatat e vdekjes për të identifikuar lidhjen midis pirjes së duhanit dhe koronavirusit nga janari deri në gusht 2020.

Ata gjithashtu përdorën të dhëna nga 421.469 pjesëmarrës në një studim të mëparshëm britanik Biobank – përbërja gjenetike e të gjithë atyre u analizua gjithashtu. Krahasuar me ata që nuk kishin pirë duhan, duhanpirësit e tanishëm kishin 80 për qind më shumë gjasa të shtroheshin në spital dhe dukshëm më shumë gjasa të vdisnin nëse infektoheshin.

Clift dhe ekipi i saj përdorën një teknikë të quajtur Mendel randomization, dhe në veçanti morën parasysh faktorët gjenetikë që rrisin gjasat që dikush të jetë duhanpirës ose se do të pijë duhan shumë. Teknika vuri në dukje një lidhje midis pirjes së duhanit dhe rezultateve më të dobëta të COVID-19, duke zbuluar se një predispozitë gjenetike ndaj pirjes së duhanit ishte e lidhur me një rrezik 45 për qind më të lartë të infeksionit dhe një rrezik 60 për qind më të lartë të shtrimit në spital.

Predispozita gjenetike ndaj pirjes së duhanit “të rëndë” u shoqërua me dyfishin e rrezikut të infeksionit, një rrezik pesëfish më i lartë i pranimit në spital dhe një rrezik dhjetëfish më i lartë për të vdekur nga virusi, zbuloi ekipi.

“Rezultatet tona sugjerojnë fuqishëm se pirja e duhanit shoqërohet me rrezikun e zhvillimit të një forme më të rëndë të COVID, pasi ndikon në një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe të gjitha atyre kushteve të tjera që ne dimë se janë të lidhura me pirjen e duhanit. Tani mund të jetë një kohë e mirë për të lënë duhanin,” tha Clift, përcjell Guardian.

Çfarë i ndodh mëlçisë nga konsumi i proshutës dhe sallamit

Konsumi i mishrave të përpunuar siç janë sallamrat, proshutat dhe salçicet, rrisin rrezikun e sëmundjeve të mëlçisë apo rezistencës ndaj insulinës, që konsiderohet pikënisja e diabetit të tipit 2.

Sipas studimeve, njerëzit që konsumojnë rregullisht mishra të përpunuar janë 50% më të rrezikuar ndaj dhjamosjes së mëlçisë dhe po aq ndaj rezistencës ndaj insulinës.

Çfarë wshtë dhjamosja e mëlçisë: Dhjamosja e mëlçisë ka të bëjë me akumulimin e yndyrnave në qelizat e mëlçisë. Ky grumbullim nxit shfaqjen e inflamacionit dhe dëmtimin e pakthyeshëm të mëlçisë. Dhjamosja e mëlçisë është kthyer në një problem madhor shëndetësor, jo vetëm në vendet në zhvillim por edhe në ato më të zhvilluara. Kjo sëmundje nxitet edhe nga rezistenca ndaj insulinës, e cila vërehet kryesisht tek njerëzit mbipeshë.

Roli i mishrave të përpunuar në dëmtimin e mëlçisë: Sallamrat, proshutat dhe salçicet përmbajnë sasi të jashtëzakonshme të yndyrnave të ngopura të cilat shkaktojnë inflamacion. Nga të dhënat ato përmbajnë shumë kripë, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me dëmtimet që i shkaktohen mëlçisë. Këto produkte përgatiten dhe gatuhen në temperatura shumë të larta. Ky proces krijon kimikate të rrezikshme të cilat duhet të përpunohen nga mëlçia.

Diabeti, përgjegjës për 30-40% të rasteve të rënda dhe vdekjeve nga Covid-19

Dr. Marjeta Kermaj, Endokrinologe, Q.S.U. “Nene Tereza” Tirane.

Nëse një individ ka diabet, duhet të bëjë patjetër vaksinën, pasi këta individë janë më të rrezikuar për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes nëse preken nga koronavirusi dhe vaksinat janë rruga më efektive për të parandaluar këtë gjë

Tashmë po bëjmë pothuajse dy vite nga fillimi i pandemisë së Covid-19. Si ka ndikuar kjo tek njerëzit e diagnostikuar me diabet?

Po, e vërtetë në 2019 mbarë bota, përfshirë dhe vendin tonë, u përfshin nga pandemia e një virusi të ri (SARS-CoV-2) që shkakton sëmundjen e Covid-19. Me qëllim reduktimin e përhapjes së këtij virusi, shumë vende përfshirë dhe vendin tonë morën një sërë masash kufizuese që ndikuan në jetën e përditshme të popullatës por, dhe kujdesin shëndetësor rutinë. Përsa i përket diabetit, një pjesë e individëve me diabet (kryesisht ata me diabet tip1) patën mundësi të kujdeseshin më shumë në drejtim të ekuilibrit të tij dhe patën ekuilibër të mirë të diabetit, një pjesë (kryesisht ata me diabet tip 2) për shkak të lokdoën-it ku aktiviteti fizik u reduktua shumë, reduktimit të vizitave në Qendrat Shëndetësore (nga frika e infeksionit) patën prishje të ekuilibrit të diabetit. Pjesa tjetër u prekën nga Covid-19 dhe jo të gjithë patën ecuritë mirë.

Individët me diabet a janë më të “kërcënuar” për t’u infektuar me covid-19?

Nuk ka të dhëna që të tregojnë që individët me diabet preken më shumë nga Covid -19 se popullata e përgjithshme. Por individët me diabet kane risk më të lartë për forma më të rënda dhe për t’u hospitalizuar në se ata preken nga Covid-19, se sa popullata pa diabet.

Nëse një individ me diabet preket nga covid-19, sa është probabiliteti për t’a humbur betejën me këtë virus?

Individët me diabet sidomos kur e kanë të paekuilibruar ate, janë më të rrezikuar për komplikacione në se preken nga sëmundja e Covid-19, krahasuar me popullatën pa diabet. Janë këto komplikacione që cojnë në humbjen e betejës me këtë sëmundje. Individët me diabet janë të rrezikuar 3-4 herë më tepër se popullata pa diabet për ta humbur këtë betejë, dhe ky rrezik shtohet më tepër në se ata janë obezë, në se vuajnë dhe nga sëmundjet e zemrës, hipertensioni, sëmundjet e veshkave etj.

A keni ju një shifër se sa individë të diagnostikuar me diabet janë prekur nga Covid-19, dhe sa prej tyre janë shëruar apo kanë humbur betejën me këtë virus?

Këtë gjë nuk e kam por mund të them që nga studimet e bëra në këtë periudhë në vendet e ndryshme të botës del në pah roli kycc që ka sëmundja e diabetit në pandeminë Covid-19 dhe si kjo pandemi ndikoi në popullatën diabetike. Nga këto studime është parë që diabeti është përgjegjës për 30-40% të rasteve të rënda dhe vdekjeve. Rreth 30% e individëve të hospitalizuar me formë të rëndë të Covid-19 dhe 40% e vdekjeve kanë diabet. 20-40% e individëve me diabet që preken nga koronavirusi zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes që kërkojnë hospitalizim dhe kujdes mjekësor intensiv me vdekshmëri nga 20-30%.

Përse një individ me diabet është më shumë i riskuar për t’u prekur nga Covid-19?

Një individ me diabet është më i riskuar për të bërë forma më të rënda për shkak të komplikacioneve të ndryshme.

Faktorët potencialë që favorizojnë këto komplikacione tek një individ me diabet dhe Covid-19 janë: Prishja e ekuilibrit të diabetit, sidomos rritja e menjëhershme e glicemive, modifikimi i sistemit imunitar, përgjigjet inflamatore dhe modifikimet e koagulimit, obeziteti shoqërues, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet renale, infeksionet shoqëruese.

Çfarë mund të na thoni për të gjithë ata, të cilët janë të diagnostikuar me diabet?

Të mbajnë sa më të ekuilibruar diabetin duke monitoruar glicemitë disa herë gjatë ditës dhe modifikuar mjekimin sipas vlerave të tyre (sidomos ata që janë nëntrajtim me insulinë). Të ushqehen shëndetshëm dhe të ruajnë komunikimin e regullt me mjekun e familjes dhe Endokrinologun për të pasur në kontrollin e duhur ecurinë e sëmundjes.

Sa e rëndësishme është vaksina anti-Covid për individët me diabet? Dhe a ka ndonjë kriter se cilën nga llojet e vaksinave mund të marrin këta persona?

Nëse një individ ka diabet, duhet të bëjë patjetër vaksinën, pasi këta individë janë më të rrezikuar për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes nëse preken nga koronavirusi dhe vaksinat janë rruga më efektive për të parandaluar këtë gjë. Të gjitha vaksinat e Covid-19 janë të sigurta për individët me diabet. Nuk ka të dhëna që diabetikët kanë më shumë efekte anesore nga vaksinat, se ata pa diabet. Por matja e glicemisë disa ditë pas bërjes së vaksinës ka shumë rëndësi për të menaxhuar rritjen e glicemisë, pasi vaksina nxit përgjigjen imunitare dhe kjo mund të shoqërohet me rritjen e glicemive.

 A ka pasur stepje nga pacientët me diabet për t’u paraqitur pranë Qendrës Shëndetësore, për konsultë mjekesore gjatë kohës së pandemise? Pra si e shihni ju krahasuar me dy vite më parë numrin e pacientëve?

Sigurisht që ka pasur stepje, pasi spitali apo Qendrat Shëndetësore mendohen si vendi ku koronavirusi mund të merret më lehtë, pasi supozohet që të sëmurët me Covid-19 do vizitohen tek mjeku apo do shtrohen në spital. Numri i pacientëve gjatë periudhës së mbylljes, nuk di ta them me saktësi statistikore, por ka qenë i ulët. Tani që një pjesë e mirë e popullatës janë vaksinuar, kjo stepje ka filluar të largohet dhe numri po rritet gati njëlloj sa para pandemisë.

A keni ju një mesazh sensibilizues për të gjithë individët me diabet, se si të mbrohen duke mos u infektuar me Covid-19?

Covid-19 është vlerësuar si një sëmundje më serioze se gripi stinor për cdo individ përfshirë dhe ata me diabet. Duhen respektuar të gjitha ato rregulla standarte të rekomanduara gjerësisht për të parandaluar prekjen nga ky virus (maska, higjena e duarve, distancimi social etj).

 

Intervistoi: Xhoana Çollaku

Pogradec/ Ndërron jetë mësuesja 46-vjeçare, familjarët akuzojnë mjekët për mjekim të gabuar

Një grua 46 vjeçare me profesion mësuese ka humbur jetën në Spitalin e Pogradecit.

Ajo është dërguar nga familjarët në urgjencë rreth orës 19 pasi nuk është ndjerë mirë. Por më vonë gjendja e saj është përkeqësuar dhe ka ndërruar jetë.

Burime nga spitali thonë se dyshohet se të ndjerës i ka rënë infarkt,  por familjarët kanë akuzuar mjekët dhe infermierët e urgjencës për mjekim të gabuar.

Trupi i 46 vjeçares, është transferuar në morgun e qytetit por autopsia do të kryhet nga ekspertë nga Tirana, nisur edhe nga pretendimet e familjarëve.

Ka qenë prokuroria ajo e cila ka kërkuar ekspertizën nga kryeqyteti për të zbardhur rrethanat e vërteta të vdekjes së mësueses. Mësohet se ajo nuk vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet rreth rastit.

Tuesday, September 28, 2021

Po vaksinohen edhe të rinjtë/ 35% e të vaksinuarve kanë marrë edhe dozën e dytë

Tanimë jemi në fund të muajit shtator i cili u la i hapur për tu vaksinuar për të gjithë grupmoshat 18 vjeç e lart e duke qenë se arsimtarët e kishin me detyrim, mbulesa e vaksinimit anticovid shënoi një rritje të lehtë.

Ndërkohë që shifrat pritet të jenë më të larta në ditët në vijim pasi janë duke u vaksinuar edhe studentët dhe pedagogët, të cilët nuk do lejohen të hyjnë në auditore të pavaksinuar.

Por në fakt a duhet të pranohet në klasë një mësues i cili ka kryer vetëm dozën e parë të vaksinës?

Ndërkohë kur kanë kaluar 7 muaj që kur nisi vaksinimi masiv i popullatës në Shqipëri nuk janë raportuar efekte të padëshiruara të rëndësishme përveç dhimbje koke, muskujsh apo një temperaturë e lehtë. Ekspertët e komunitetit të imunizimit i bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen, të kontaktojnë mjekun e familjes për efektet e padëshiruara që u shkakton vaksina.

Jep dorëheqjen drejtori i “Shefqet Ndroqit”/ Ja kush e zëvendëson

Ka dhënë dorëheqjen nga detyra drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”, i cili shërbeu si spital i trajtimit të pacientëve me koronavirus për më shumë se një vit.

Mësohet se ditën e sotme është miratuar dorëheqja e drejtorit Perlat Kapisyzi. Ndërkohë, në vend të tij është komanduar pneumologia Silvana Bala.

Vaksinimi/ Kryetarja e KE-së: Të tejkalojmë pandeminë, të rrisim ritmin e vaksinimit

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von del Leyen është duke zhvilluar një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, në Fushë-Krujë. Kjo është vizita e saj e parë me të cilën hap turin e vizitave në Ballkanin Perëndimor.

Von der Leyen: Do kisha dashur shumë që fëmijët e mi të kishin qenë në një shkollë të tillë. Por pa ju kjo nuk do të ishte bërë e mundur dhe faleminderit për këtë punë të shkëlqyeshme. E ardhmja e Shqipërisë është në BE, ne jemi miq, por edhe parterë dhe duam të punojmë. Ju uroj për faktin që Tirana u zgjodh edhe si qyteti europian i rinisë.

Këtu ekipi Europë do vazhdojë të qëndrojë krah jush. Kemi patur një fillim të vështirë, por jemi edhe të gatshëm ta tejkalojmë dhe skuadra e BE ka dhuruar shumë doza dhe të tjera do të vijnë. Vaksinat shpëtojnë jetë dhe vaksinimi na duhet se na ndihmon të tejkalojmë pandeminë. Na duhet të rrisim ritmin e vaksinimit. Besimi është shumë i rëndësishëm, faktet dhe shkenca po ashtu. Ne ju ndihmojmë të rikrijomë këtë objektiv nëse doni.

Rastet shëndetësore kur nuk duhet të konsumoni spinaq

Spinaqi konsiderohet si një bimë e shkëlqyer për shëndetin e organizmit. Megjithatë, studimet, kanë zbuluar se spinaqi dhe shumë barishte të tjera përmbajnë një substancë oksalat, e cila shkakton gurë në veshka dhe pengon përthithjen e ushqyesve të duhur.

Gjërat që duhet të dini për oksalatin: Oksalati është një kripë natyrale që prodhohet nga trupi dhe që gjendet tek disa bimë. Shkencëtarët besojnë se kjo kripë u jep barishteve shijen e athët për t’i mbrojtur nga ‘grabitqarët’ e ndryshëm, përfshirë njeriun. Sasitë e oksalatit janë të ndryshme por kjo substancë gjendet që nga panxhari, arrorët e deri tek spinaqi. Trupi e transformon vitaminën C në oksalat, që do të thotë se frutat e pyllit apo kivi mund të jenë një problem i dyfishtë për organizmin. Kjo ndodh sepse këto fruta janë të pasura si me oksalat ashtu edhe me vitaminën C. Oksalati në vetvete nuk është diçka e keqe, sepse ai lidhet me mineralet si kalçiumi apo hekuri dhe del nëpërmjet rrugëve urinare.

Problemet që lindin me konsumin e oksalatit: Sipas të dhënave bashkëveprimi i kalçiumit me oksalatin formon gurë në veshka kur sasia e kësaj substance është tepër e madhe.

Formimi i kristaleve është i paevitueshëm. Një tjetër problem që shkakton oksalati i tepërt është se pengon përthithjen e vlerave të mineraleve dhe vitaminave. Për shembull, edhe pse spinaqi është shumë i pasur me kalçium, oksalati pengon përthithjen e këtij minerali.

Lajmi i mirë është se një pjesë e kësaj kripe arrin të shpërbëhet nga bakteret e stomakut, të cilat pengojnë formimin e gurëve në veshka. Megjithatë, duke qenë se njeriu konsumon shumë antibiotikë, bakteret e mira në stomak eliminohen me shpejtësi dhe stomaku është i pambrojtur.

A duhet të hiqni dorë nga spinaqi?

Shumë njerëz kanë ndjeshmëri të lartë ndaj oksalatit. Këtu përfshihen ata që vuajnë nga inflamacioni i zorrëve ose ata që kanë kryer një bajpas gastrik. Në këto raste, oksalati akumulohet me shpejtësi në veshka. Për të kuptuar nëse duhet të hiqni dorë nga spinaqi, duhet të analizoni bakteret në stomakun tuaj për të vlerësuar gjendjen dhe aftësinë mbrojtëse të tyre.

Alimehmeti: Vala e variantit Delta po thyhet

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti është shprehur se variantit Delta po i vjen fundi në vendin tonë. Me anë të një statusi në Facebook, mjeku ka shkruar se më 30 gusht ishte përllogaritur që piku i valës Delta në Shqipëri do të arrihej ndërmjet datave 5 dhe 15 shtator 2021.

Sipas Alimehmeti të gjithë indikatorët epidemiologjikë në vend tregojnë qartë fillimin e rënies që javën e kaluar. Mjeku ben thirrje qe te tregohet kujdes, pasi siç krahason ai “aksidentet në mal ndodhin më shumë gjatë zbritjes se sa gjatë hipjes!”

Postimi i plotë

“Nuk mund të bjerë shi përgjithmonë”
Cit.: “Korbi”
Vala Delta po thyhet miqtë e mi! Më 30 gusht 2021 kemi përllogaritur që piku i valës Delta në Shqipëri do të arrihej ndërmjet datave 5 dhe 15 shtator 2021! Më 14 shtator pamë sinjalet e para të fillimit të rënies, me rënien për herë të parë të rasteve aktive (-147). Megjithatë, tashmë e kemi mësuar që duhet të presim të paktën një javë dhe idealisht dy javë për të qenë më të bindur për trajektoren. Sot, datë 23 shtator 2021, të gjithë indikatorët epidemiologjikë tregojnë qartë fillimin e rënies që javën e kaluar!

Në detaj:
Po bie mesatarja e rasteve të reja në bazë 7 ditore!
Po bie numri i rasteve aktive!
Po bie mesatarja e përqindjes së pozitivitetit të testimeve në bazë 7 ditore!
Po bie incidenca dyjavore e rasteve të reja për 100.000 banorë!

Kujdes tani miqtë e mi, sepse aksidente në mal ndodhin më shumë gjatë zbritjes se sa gjatë hipjes!

Duhen edhe disa javë përpara se të zbresim plotësisht. Fatkeqësisht humbjet e jetës janë më të vonuara me 10-14 ditë në krahasim me rastet e reja dhe rënia e tyre do të fillojë në gjysmen e parë të tetorit, nëse rënia e rasteve është e vazhdueshme! Deri atëherë këshillat janë të thjeshta nëse nuk jeni të imunizuar (as të shëruar dhe as të vaksinuar): Vaksinohuni nëse nuk e keni të kundraindikuar! Ruani distancën! Evitoni grumbullimet! Shtrëngojmë dhëmbët edhe pak por vala Delta ka filluar rënien e qartë!

Vlerat e jashtëzakonshme të farave të specit për shëndetin

Farat e specit jemi mësuar t’i hedhim në kosh përpara çdo gatimi të perimes. Megjithatë, këto fara bardhoshe kanë të njëjtat vlera si speci vetë. Speci dhe farat e tij janë të dobishme kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe mbajtjen e kolesterolit në nivele të ulëta. Specat janë të pasur me fibër, proteinë, vitamina dhe minerale si magnezi, fosfori, kaliumi, hekuri dhe kalçiumi. Më poshtë gjeni të renditura vlerat e jashtëzakonshme të farave të specit.

Burim i vitaminës C: Farat dhe speci janë të pandashëm në përmbajtjen e vitaminës C. Kjo e fundit ndihmon në përthithjen e hekurit në organizëm dhe është një antioksidant i fuqishëm.

Shëndeti i zemrës: Sipas të dhënave, specat dhe farat e tyre janë një burim i pasur ushqyesish dhe flavonoidësh. Ata parandalojnë mpiksjen e gjakut dhe ulin gjasat e shfaqjes së atakut në zemër apo ishemisë. Kjo është arsyeja përse speci duhet ngrënë me të gjitha farat.

Shëndeti i syve: Vlerat e farave të specit janë të mira edhe shëndetin e syve. Farat janë të pasura me vitaminë A që përmirëson shikimin veçanërisht natën.

Vlera të shumëfishta: Të gjitha llojet e specave, pavarësisht ngjyrës, ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të diabetit, kolesterolit dhe dhimbjeve. Farat përmbajnë kapsaicinë, e cila sipas të dhënave është një substancë e jashtëzakonshme mirëbërëse.

Shëndeti i lëkurës: Farat duhen konsumuar shpesh, sepse përmbjanë shumë vitaminë E, e cila i jep shkëlqim rinor lëkurës dhe i bën flokët më të fortë.

Djegia e kalorive: Nëse jeni duke përgatitur një sallatë me mish pule, përdorni speca bashkë me farë për një shije më të plotë. Sallata të tilla me këto përbërës janë të shijshme dhe nuk përmbajnë shumë kalori.

Të pasur me fibër: Speci dhe farat e tij janë shumë të pasur me fibër dhe e mbrojnë organizmin nga toksinat dhe bakteret.

8 ushqime kundër dhimbjes së fytit

Me ndryshimin e temperaturave, ftohja dhe gripi bëhen më prezente se kurrë. Një nga ndjesitë më shqetësuese është ajo e gërvishtjes dhe dhimbjes së fytit sidomos gjatë natës. Për të parandaluar këto simptoma sugjerohet disa ushqime me veti kuruese ndaj dhimbjes së fytit. Nëse ndjeni se jeni në prag gripi apo ju dhemb fyti ndiqni këshillat tona si më poshtë.

Turmerik: Turmeriku është i njohur për vetitë e tij antioksidante dhe anti inflamatore falë një përbërësi aktiv të quajtur kurkumin. Pluhurin e turmerikut mund ta përdorni kudo në pije, supë apo çaj.

Vezët e rrahura: Jo vetëm sepse janë të thjeshta për tu përtypur, vezët janë të pasura me acide yndyrore si omega – 6 të cilat ndihmojnë me inflamacionin.

Mjaltë dhe limon:Një nga kurat më të famshme dhe efikase. Mjalti me limonin janë përdorur ndër shekuj për të kuruar dhimbjet e fytit pasi kanë veti pastruese dhe qetësuese. Mund ta përzieni me ujë të ngrohtë dhe ta konsumoni si çaj.

Lakra: Në antikitet për të kuruar dhimbjet e fytit mbështillnin rreth tij një gjethe të madhe lakre. Rekomandohet ta konsumoni lakrën për të kuruar fytin tuaj. Lakra është e pasur me vitaminë C, antioksidantë dhe sulfure të cilat luftojnë infeksionet dhe hdimbjet e fytit.

Tërshëra: Tërshëra është vakti perfekt kur jeni të sëmurë. E pasur me fibra dhe nutrient ndihmon trupin tuaj të luftojë sëmundjet. Nga ana tjetër tërshëra është e pasur me omega 3, folate dhe potassium që do t’ju ndihmojnë të shëroheni më shpejt.

Pure patatesh: Ushqimet e buta siç janë patatet e shtypura janë të thjeshta për t’u ngrënë kur keni problem të fytit. Të shijshme dhe pa dhimbje për tu ngrënë.

Çaj kamomil: Kamomili është një tjetër barishte shumë e njohur për kurimin e dhimbjeve të fytit. Kryesisht për vetitë e tij qetësuese kundra dhimbjeve të trupit.

Kanellë: Kjo erëz aromatike përveçse shumë e shijshme ndihmon në dhimbjet e fytit. Kjo sepse kanella ka veti antibakteriale dhe antioskidante, dy miq të mirë të fytit tuaj./AgroWeb

Pfizer fillon provat klinike për ilaçin që parandalon COVID-19

Kompania farmaceutike Pfizer tha se ka filluar një provë klinike në shkallë të gjerë të një ilaçi për të shmangur COVID-19ën tek ata që janë të ekspozuar ndaj virusit.

Provat për antibiotikun oral do të përfshijnë 2,660 pjesëmarrës të rritur të shëndetshëm që jetojnë në të njëjtën familje me dikë që është i infektuar me COVID-19.

Kompania Pfizer gjithashtu po studion ilaçin tek njerëzit që tashmë janë infektuar me COVID-19, por që ende nuk kanë zhvilluar simptoma serioze.

“Nëse është e suksesshme, ne besojmë se kjo terapi mund të ndihmojë në ndalimin e virusit herët, para se të ketë pasur shansin për t’u shpërndarë gjerësisht”, tha nëpërmjet një deklarate zyrtari kryesor shkencor i kompanisë Pfizer, Dr Mikael Dolsten.

Ilaçi synon të bllokojë një enzimë kryesore që virusit i nevojitet për t’u shumuar. Nëse funksionon, shkencëtarët besojnë se do të jetë efikas vetëm në fazat e hershme të infeksionit. Kur COVID-19 të jetë bërë një sëmundje e rëndë, virusit i është ndaluar ndërkohë përhapja dhe pacientët preken kryesisht nga përgjigja tepër aktive e sistemit imunitar./VOA

Skandal në Tiranë/ Infermierja iu vidhte kartat pacientëve të shtruar në spital, merrte kredi në emër të tyre

Një tjetër skandal godet sistemin shëndetësor në vendin tonë, ku Krimi Ekonomik ka zbuluar një rast të rëndë në një spital në Tiranë. Një infermiere iu vidhte kartat e identitetit pacientëve të shtruar në spitale, dhe merrte kredi në emër të tyre.

Në bashkëpunim me një shitëse në një dyqan elektroshtëpiakesh, infermierja i merrte produktet me kredi në emër të klientëve dhe më pas i rishiste ato. Si infermierja ashtu edhe shitësja janë vënë në prangat e policisë, ndërkohë që janë sekuestruar elektroshtëpiake me vlerë rrreth 40 milionë lekë të reja.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se infermierja e arrestuar është Elisabeta Bardhillari, ndërkohë që shitësja e dyqanit me të cilën bashkëpunonte është shtetasja Orjada Hoxha.

Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar operacioni policor i koduar “Elektro”. Iu vidhte kartat e identitetit pacientëve në spital, për t’i përdorur për kredi, vihet në pranga infermierja. Në pranga edhe shitësja e një dyqani, e cila merte kredi në emër të pacientëve, për të blerë pajisje në dyqanin ku punonte. Sekuestrohen pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Elektro”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetaseve: E. B., 39 vjeçe dhe O. H., 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.  Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. H. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasja E. B., e punësuar si infermiere në spital, vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte shtetases O. H., e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake Shtetasja O.H. i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H. dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.

Personat me aftësi të kufizuar: Konsultat me profesionistët e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë

Një raport studimor i publikuar nga Shoqata Together for Life, me mbështjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, i titulluar ‘Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuar, zbardh këto të dhëna:

Pjesëmarrësit me aftësi të kufizuar u pyetën nëse kanë marrë këshilla të veçanta nga profesionistët e kujdesit shëndetësor që kujdesen normalisht për gjendjen e tyre. Më shumë se gjysma (55.5%) e PAK që u përgjigjën raportuan se nuk kishin marrë këshilla të tilla nga profesionistët e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë, kurse pjesa tjetër prej 45.5% raportuan se ishin këshilluar. Midis PAK që kishin marrë këshilla mjekësore nga profesionistët e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë, 85.1% e tyre raportuan se këshillat e dhëna ishin të vlefshme, sipas opinionit të tyre. Nga ana tjetër, rreth 32.6% e PAK që dhanë informacion raportuan se nuk kanë pasur ndonjë konsultë në lidhjen me gjendjen e tyre shëndetësore gjatë pandemisë, 10.7% raportuan se kanë pasur konsulta të tilla ballë-për-ballë me stafin e kujdesit shëndetësor dhe 56.7% raportuan se kanë zhvilluar konsulta të tilla përmes telefonit ose internetit (Grafiku 27).

Nga ana tjetër, pjesëmarrësit me aftësi të kufizuar që kishin zhvilluar konsulta me stafin mjekësor u ftuan të vlerësonin dobishmërinë e këtyre konsultave (Grafiku 28).

 

Mund të vihet re që gjysma (49.8%) e PAK që kanë zhvilluar konsulta mjekësore për gjendjen e tyre gjatë pandemisë COVID-19 i vlerësojnë si mesatarisht të dobishme këto konsulta, 20.3% i vlerësojnë si jo të dobishme ose aspak të dobishme dhe 29.9% i vlerësojnë si të dobishme ose shumë të dobishme (Grafiku 28). Grafiku 29 paraqet vlerësimin lidhur me dobishmërinë e konsultave mjekësore gjatë pandemisë COVID-19, sipas llojit të konsultimit: ballë për ballë apo përmes telefonit/ internetit. Mund të vihet re që një përqindje shumë më e lartë e PAK e vlerësojnë konsultën ballë për ballë si të dobishme (54.3%), krahasuar me 3.2% e tyre që mendojnë të njëjtën gjë për konsultat përmes telefonit/internetit. Nga ana tjetër, vetëm 20% e PAK e konsiderojnë konsultën ballë-për-ballë si mesatarisht të dobishme, kundrejt 55.4% të tyre që mendojnë të njëjtën gjë për konsultat përmes telefonit/internetit. Së fundmi, vetëm 5.7% e PAK mendojnë se konsultat ballë-për-ballë janë jo të dobishme ose aspak të dobishme, kundrejt 23.1% që kanë të njëjtin mendim për konsultat përmes telefonit/internetit (Grafiku 29). Këto diferenca janë shumë domethënëse nga ana statistikore (p<0.001).

Nga Shoqata Together for Life, me mbështjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, i titulluar ‘Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuar’ /2020.

Manastirliu: Mbërrijnë mbi 29 mijë doza vaksina Pfizer

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një postimi në Facebook,  shkruan se në total Shqipëria ka siguruar 2.074.560 doza të vaksinave kundër koronavirusit.

Postimi i Ogerta Manastirliut:

Edhe 29,250 doza vaksine Pfizer mbërritën në mbrëmje në Aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 2,074,560 sasinë e vaksinave anticovid që kanë mbërritur deri tani në vendin tone.

Në 24 orët e fundit në vendin tonë është shënuar një ulje e numrit të të infektuarve, ndërsa numri i viktimave mbetet i lartë. Janë regjistruar 294 raste të reja teksa kanë humbur jetën 13 qytetarë.

Depresioni gjatë menopauzës: Si ta zbuloni dhe trajtoni atë

Ndryshimet emocionale në prag të menopauzës ndonjëherë mund të çojnë në depresion.

Mund të jetë e rëndësishme të konsultoni një mjek për t’ju ndihmuar të përcaktoni nëse thjesht ndiheni të stresuar ose “blu”  ose nëse mund të keni depresion klinik ose të madh, një gjendje e lidhur me një çekuilibër kimik në tru.

Ndryshimi i hormoneve gjatë perimenopauzës, koha kur trupi i një gruaje po përgatitet për fundin e periudhave mujore – mund të shoqërohet me atë çekuilibër, Shumë gra do të përjetojnë simptoma herë pas here që mund të jenë gjithashtu shenjat dalluese të depresionit të madh. Ato përfshijnë lodhje të zgjatur, energji të ulët, humbje interesi për aktivitetet normale, trishtim, nervozizëm, shqetësime të gjumit, agjitacion, ndryshime në peshë dhe rënie të dëshirës seksuale.

Nëse këto simptoma zgjasin më shumë se dy javë, kjo do të sugjeronte depresion të madh. Një listë më e detajuar e simptomave përfshin një humor vazhdimisht të trishtuar, të shqetësuar ose “bosh”; ndjenja e pashpresë ose pesimiste; të qenit nervoz ose të ndiheni fajtor, të pavlerë ose të pafuqishëm.

Njerëzit me depresion të madh mund të humbasin interesin për hobi dhe aktivitete, të mos kenë oreks ose te kene ndryshime në peshë ose të ndihen të lodhur. Ata mund të lëvizin ose të flasin më ngadalë; keni probleme me përqendrimin, kujtimin ose marrjen e vendimeve; ose e keni të vështirë të flini, duke u zgjuar shumë herët ose duke fjetur shumë.

Dhimbjet, dhimbjet e kokës, ngërçet ose problemet e tretjes pa ndonjë shkak të qartë fizik gjithashtu mund të jenë një shenjë. Mendimet për vdekjen ose vetëvrasjen ose përpjekjet për vetëvrasje janë paralajmërime për depresion të madh.

Antidepresantët dhe/ose psikoterapia e sjelljes njohëse mund të ndihmojë në korrigjimin e një çekuilibri kimik. Ndërsa mund të duhen disa javë për të ndjerë efektet e plota të ilaceve kundër depresionit, shumica e grave do të kenë pak efekte anësore negative dhe do të tregojnë përmirësim të dukshëm.

Efektet anësore nga ilaçet mund të përfshijnë shtimin në peshë dhe problemet në zgjimin seksual. Mjekimi është më efektiv në kombinim me psikoterapinë.

Një zgjidhje tjetër mund të jetë estrogjeni, i cili mund të përmirësojë gjendjen shpirtërore gjatë perimenopauzës në disa gra. Mjekët mund të duan ta marrin parasysh këtë tek gratë që nuk ndihmohen nga ilacet kundër depresionit.

Trajtimi i infeksioneve urinare pa antibiotikë

Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog

Terapia me antibiotikë vitet e fundit ka shfaqur shumë probleme në mjekimin e infeksioneve urinare (ITU). E para, nga përdorimi i shumtë i antibiotikeve është rritur ndjeshem rezistenca ndaj tyre. Infeksionet nuk po pyesin më për antibiotikët e zakonshëm. E dyta, përdorimi i shumtë i antibiotikëve e shkatërron florën intestinale (mikrobioten) dhe kjo gjë është shkak i shumë crregullimeve e sëmundjeve në organizëm duke filluar që nga obeziteti, sëmundjet e zemrës, hipertensioni arterial, gurët e veshkave e deri te çrregullimet e memorjes.

Për shembull grupi i kinoloneve si ciprofloksacina, levofloksacina etj, të cilat japin dëmtime serioze në indin lidhor deri në shkëputje të tendinit të Akilit duke e invalidizuar pacientin përfundimisht. Si të tilla ato nuk këshillohen më si terapi e zgjedhur në mjekimin e Infeksioneve urinare. E fundit, është cmimi i kripur i shumë antibiotikeve që i vë në vështirësi shtresat e varfëra të popullsisë.

Cilat janë disa mënyra trajtimi të infeksioneve urinare pa antibiotikë:

Alkalizimi i urinës është propozuar si një ndërhyrje për të ulur ITU. Arrihet me administrimin e agjentëve alkalinizues siç është citrati i kaliumit. Një metanalizë e Cochrane gjeti prova të shumëfishta që miratonin alkalinizimin urinar si një metodë për të shmangur infeksionin urinar.

Probiotiket. Një tjetër terapi parandaluese e propozuar është përdorimi i probiotikëve Lactobacillus. Arsyeja është formimi i pengesës vaginale ndaj baktereve patogjene. Probiotiket ndihmojne ne rregullimin e flores bakteriale dhe ulin frekuencen e infeksioneve urinare te perseritura.

Cranberry. Ky mjekim ka kohë që shoqërohet me trajtimin e UTI. Ai posedon veti antioksiduese, si dhe pengon lidhjen e P-fimbrive të uropatogjenëve në urotelin . Por një përmbledhje e Cochrane 2012 tregoi se nuk kishte ndonjë ulje të ndjeshme të incidencës së UTI në nëngrupin e pacientëve me cistit të përsëritur duke përdorur produkte të boronicës.

D-manoza duket se eshte mbrojtese e mire për infeksionet e përsëritur të traktit urinar (vs placebo) me efektivitet të ngjashëm si antibiotikët. Në përgjithësi, D-manoza paraqitet e toleruar mirë me efekte anësore minimale – vetëm një përqindje e vogël pacientesh që shfaqin diarre.

Vitamina C. Dihet qe kjo vitamine ka efekte antioksidante dhe aktivitet antimikrobial. Vitamina C eshte nje ko-enzime ne rrugen e stresit oksidativ. dhe kesisoj ndihmon ne heqjen e eliminimin e specieve reaktive te oksigjenit. Keto molekula i demtojne qelizat e epitelit te rrugeve urinare. Vitamina C pengon adezionin e mikroorganizmave ne epitelin e rrugeve urinare. eshte pare qe 100 mg acid ascorbic (vit C) ne dite per 3 muaj redukton frekuencen e infeksioneve urinare.

Estrogjenet aktuale janë hetuar gjerësisht dhe janë treguar se ulin nivelet e rUTI. Me zvogëlimin e estrogjenit qarkullues, fiziologjikisht me plakjen, ka një rënie të Lactobacillus vaginale dhe rritje të rrezikut të kolonizimit nga uropatogjenë të tillë si enterokoket dhe shufrat Gram-negative. Analiza e fundit e Cochrane tregon se estrogjeni lokal ul rrezikun e UTI pa rritur rrezikun për kancerin e gjirit ose endometrit te gratë, por ka efekte anësore lokale si acarim. Përndryshe, estrogjenet sistemike nuk ulin normalisht ITU. Kur trajtojnë me estrogjen, klinicistët duhet të jenë të vetëdijshëm për kundërindikacionet, duke përfshirë problemet endometriale dhe të gjirit, ngjarjet tromboembolike ose mosfunksionimin e mëlçisë.

Vaksinat janë propozuar me konceptin që ato mund të shkaktojnë përgjigjen imune të lindur dhe humorale të një pacienti kundër patogjenëve urinar. Janë propozuar formulime të ndryshme, si vagjinale ashtu edhe orale, me formulimin oral që përdoret dhe hetohet më gjerësisht. Uro-Vaxom, ose OM-89, është një vaksinë orale, që përfshin 18 lloje të ndryshme të lizateve të liofilizuara të E. coli. Një meta-analizë relativisht e fundit mbi Uro-Vaxom ka konfirmuar efikasitetin e saj për trajtimin e UTI. Protokolli i administrimit i miratuar është zakonisht 1 kapsulë në ditë për 90 ditë si trajtim induktiv, pastaj ndalet për 3 muajt e ardhshëm, dhe kur synohet si trajtim i konsolidimit, do të jepet 1 kapsulë në ditë për 10 ditët e para të çdo muaji, për 3 muaj rresht. Vaksinat vaginale ende nuk janë në praktikën klinike dhe nuk kanë prova të mjaftueshme.

Çfarë është Enuresis Nokturna?

Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog

Është fenomeni i urinimit të pavullnetshem natën tek fëmijët mbi moshën 5 vjec. Eshtë një fenomen jo normal mbi këtë moshë që mund të ketë arsye të ndryshme, psikologjike, funksionale ose organike.

Pasi të përjashtohen anomalite ose patologjitë e tjera bashkëshoqëruese që mund të jenë shkaktare të këtij fenomeni, duhet filluar trajtimi në bashkëpunim të ngushtë me prindërit e fëmijës.Trajtimi bëhet në tre drejtime : trajtimi psikologjik ( ku përfshihet vec të tjerave ndryshimi i sjelljes së prindit ndaj fëmijës dhe evitimi i pirjes së lëngjeve në darkë para gjumit) përdorimi i aparateve të alarmit ( ku një sensor i vendosur poshtë carcafit ku shtrihet fëmija, sapo ndjen njomjen e carcafit jep një sinjal alarmi që e zgjon fëmijën, dhe së fundi përdorimi i medikamenteve.

Sot nga të gjitha medikamentet, preparati më i zgjedhur e me më pak efekte anësore është Desmopresina. Le të përqendrohemi pak më gjatë në përdorimin e këtij medikamenti:

Përdorimi i desmopresinës

Administrimi – Desmopressina administrohet oral 60 minuta para gjumit . Doza titrohet për efektin më të mirë; në dozën e saktë, efekti antienuretik është i menjëhershëm. Doza fillestare dhe titrimi ndryshojnë nga formulimi:

Doza fillestare është nje tablet 0.2 mg; nëse është e nevojshme, mund të rritet në 0.4 mg pas shtatë ditësh.
Kur perdoren tabletat qe treten ne goje doza fillestare është 120 mcg; nëse është e nevojshme, mund të rritet në 240 mcg pas shtatë ditësh.
Duhet të përdoret formulimi oral (nga goja ) i desmopresinës (formulimi intranazal nuk është i indikuar për enurezë, sepse shoqërohet me rritje të rrezikut të krizave hiponatremike).
Marrja e lëngjeve duhet të jetë e kufizuar jo me shume se (200 ml) nga një orë përpara deri në tetë orë pas administrimit.

Desmopresina duhet të ndërpritet përkohësisht gjatë episodeve të çekuilibrit të lëngjeve dhe / ose elektroliteve (p.sh. ethe, të vjella të përsëritura ose diarre, ushtrime të fuqishme ose gjendje të shoqëruara me rritjen e konsumit të ujit).

Nuk është e nevojshme të matet në mënyrë rutinore pesha, elektrolitet e serumit, presioni i gjakut ose osmolaliteti i urinës tek fëmijët që trajtohen me desmopresinë për enurezë.

Vlerësimi i përgjigjes – Përgjigja ndaj desmopresinës duhet të vlerësohet brenda një deri në dy javë . Trajtimi duhet të vazhdohet për tre muaj nëse ka shenja të një përgjigjeje (p.sh., zona te carcafit më të vogla të lagura, më pak episode lagështimi në natë, dhe me pak net të lagura) . Nëse enureza përmirësohet ose shërohet me desmopressin, familja dhe fëmija mund të përcaktojnë nëse do të përdorin desmopressin çdo natë ose thjesht për raste të veçanta. Kur administrohet çdo ditë, desmopresina duhet të mbahet për një javë çdo tre muaj për të përcaktuar nëse përdorimi i vazhdueshëm është i nevojshëm.

Mungesa e përgjigjes ndaj desmopresinës brenda një deri në dy javë mund të jetë për shkak të zvogëlimit të kapacitetit të fshikëzës së natës (arsyeja më e zakonshme e mosreagimit) ose poliurisë së vazhdueshme të natës (që lidhet me rritjen e marrjes së lëngjeve në mbrëmje, ose efektin e zvogëluar farmakodinamik të desmopresinë) .

Ndërprerja – Kur ndërpritet desmopresina ditore, ne sugjerojmë që doza të ndërpritet gradualisht (p.sh. duke siguruar gjysmën e dozës efektive çdo ditë për dy javë para ndërprerjes) në vend që të ndërpritet papritmas ose të zgjatet intervali midis dozave. Ndërprerja e menjëhereshme mund të bëjë që pas një farë kohe të rikthehet fenomeni i urinimit të pavullnetshem natën.

Autoriteti i Konkurrencës mbyll pa ndëshkime hetimin e thelluar në tregun e materialeve mjekësore

Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka mbyllur procedurën e hetimit të thelluar në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të maskave, në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të alkooleve dhe xhel dezinfektues, në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të termometrave.

Në përfundim të hetimit, është arritur në përfundimin se përgjithësisht ndërmarrjet që veprojnë në këto tregje kanë zbatuar masat e përkohshme të ndërmarra nga Autoriteti i Konkurrencës, të paktën pasi u gjobitën njëherë për moszbatimin e tyre vjeshtën e kaluar. Ndaj disa prej ndërmarrjeve që veprojnë në këto tregje janë vendosur detyrimet që parashikon neni 4 i ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ky nen ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.

AK i ka vendosur detyrimet e mësipërme me vendime të veçanta për ndërmarrjet Trimed, Euromed, Farma Net Albania, Alfarmakos, Florifarma, Aquarius Medical, Florfarma, CFO Pharma, Megapharma, NeëMedical Plus dhe Pharma One. Një pjesë e këtyre ndërmarrjeve, kanë depozituar pranë AK angazhime vullnetare për të mos ndërmarrë sjellje që ligji i klasifikon si marrëveshje të ndaluara apo abuzime me pozitën dominuese.

Në 15 tetor të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të maskave, në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të alkooleve dhe xhel dezinfektues, në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të termometrave. Vendimi erdhi në vijim të hetimit paraprak që ishte hapur në mars 2020, shoqëruar edhe me vendosjen e masave të përkohshme që urdhëronin ndërmarrjet që vepronin në këto tregje të mos abuzonin me çmimet e shitjes së produkteve të lidhura me pandeminë. Bashkë me vendimin për hapjen e hetimit të thelluar, në 15 tetor 2020, AK konstatoi se 24 ndërmarrje nuk i kishin zbatuar masat e përkohshme dhe i gjobiti ato me gjithsej 3 milionë lekë.

Në fakt, mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Konkurrencës, vihet re se çmimet e shitjes së materialeve më të përdorura gjatë pandemisë, si maskat apo xheli dezinfektues kanë pasur luhatje të konsiderueshme dhe më të mëdha krahasuar me çmimet e blerjes. Për shembull, në periudhën qershor 2020 – dhjetor 2020 çmimi i blerjes së xhelit dezinfektues për një nga ndërmarrjet nën hetim është luhatur me 15%, ndërsa çmimi i shitjes për të njëjtin produkt është luhatur me 21%.

Për më tepër, në shumicën e rasteve lëvizjet në çmimin e shitjes së produktit nuk kanë qenë të lidhura me ndryshimet në çmimin e blerjes. Për shembull, në gusht 2020 ndërmarrja në fjalë e rriti çmimin e shitjes nga 368 lekë në 434 lekë, megjithëse çmimi i blerjes prej tre muajsh radhazi kishte qenë i pandryshuar në 250 lekë. Megjithëse një nga pikat e masave të përkohshme të AK kërkonte aplikimin e çmimeve të orientuara në kosto, në fakt gjatë periudhave të veçanta ndërmarrjet kanë rritur ndjeshëm marzhet për arsye që, në pamje të parë, nuk lidhen me çmimin e blerjes së produktit./ Monitor

Pandemia e Covid-19 shkaktoi rënien më të madhe të jetëgjatësisë që nga Lufta e Dytë Botërore

Pandemia e Covid -19 ka ulur jetëgjatësinë në vitin 2020 në niveli më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas një studimi të publikuar këtë hënë nga Universiteti i Oksfordit, ku më të prekurit janë meshkujt amerikanë me një rënie të jetëgjatësisë me më shumë se dy vite.

Jetëgjatësia ra me më shumë se gjashtë muaj në krahasim me vitin 2019 në 22 nga 29 vendet e analizuara në studim, i cili përfshin Europën, Shtetet e Bashkuara dhe Kilin. Kishte ulje të jetëgjatësisë në 27 nga 29 vendet në përgjithësi.

Universiteti tha se shumica e rënies së jetëgjatësisë në vende të ndryshme mund të lidhet edhe me vdekjet zyrtare nga Covid-19. Deri tani janë regjistruar gati 5 milionë vdekje të shkaktuara nga koronavirusi, sipas një raporti të Reuters.

“Fakti që rezultatet tona nxjerrin në pah një ndikim kaq të madh që i atribuohet drejtpërdrejt COVID-19 tregon se sa tronditës dhe shkatërrues ka qenë ai për shumë vende,” tha Dr Ridhi Kashyap, bashkëautore e studimit.

Në shumicën e vendeve kishte një rënie në jetëgjatësinë e burrave sesa të grave, me rënien më të madhe të meshkujt amerikanë, te të cilët pati një rënie prej 2.2 vite në krahasim më vitin 2019.

Në përgjithësi, burrat kishin më shumë se një vit rënie në 15 vende, krahasuar me gratë në 11 vende.

Në Shtetet e Bashkuara, rritja e vdekshmërisë ishte kryesisht midis atyre në moshë pune dhe atyre nën 60 vjeç, ndërsa në Europë, vdekjet e njerëzve mbi 60 vjeç kontribuuan në mënyrë më të konsiderueshme në rritjen e vdekshmërisë.

Kashyap u bëri thirrje shumë vendeve, përfshirë shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për t’i vënë në dispozicion të dhënat e vdekshmërisë për studime të mëtejshme.

“Ne bëjmë thirrje urgjente për publikimin dhe disponueshmërinë e të dhënave më të qarta për të kuptuar më mirë ndikimet e pandemisë në nivel global”, tha ajo./ Reuters

Friday, September 24, 2021

Doza përforcuese/ EMA vendos në tetor: “Mbrojtja bie pas disa muajsh”

Agjencia Europiane e Barnave ,EMA pohoi se në fillim të muajit tetor do të vendosë nëse do të miratojë dhënien e dozës shtesë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit e moshës mbi 16 vjeç.

Pavarësisht se rregullatori europian ende nuk i ka dhënë dritën jeshile dozës së tretë të vaksinës, disa vende të bllokut po u ofrojnë qytetarëve të tyre një mundësi të tillë. Shefi i strategjisë së vaksinave të rregullatorit me bazë në Amsterdam, Marco Cavaleri, tha se është dëshmuar që mbrojtja imunitare ulet pas disa muajsh që një person ka marrë dy dozat e vaksinës. “Të dhënat po tregojnë se imuniteti kundër COVID-19 zvogëlohet me kalimin e kohës”, u shpreh Cavaleri.

Si rezultat i kësaj EMA po shqyrton lejimin e një doze të tretë të vaksinës Pfizer të paktën gjashtë muaj pas dozës së dytë te njerëzit e moshës 16 vjeç e lart.

“Nëse nuk nevojiten informacione shtesë, vendimi shpallet në fillim të tetorit”, theksoi Cavaleri.Kompania amerikane, Pfizer dhe partnerja e saj gjermane, BioNTech, kanë prezantuar, secila, analiza të provave klinike, që kanë treguar se efikasiteti i vaksinës të tyre – që fillimisht është vlerësuar të ketë qenë 90 për qind kundër simptomave të COVID-19 – zbehet me kalimin e kohës.

Si rezultat, ato thonë se, njerëzit që janë vaksinuar në fillim të procesit të vaksinimit, tani janë më të cenueshëm ndaj infektimit, sidomos në rastin e përhapjes së variantit Delta të koronavirusit.

Covid-19: Vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit në botë

Portugalia tani është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit në botë, sipas shifrave nga Our World In Data. Me një popullsi prej 10.3 milionë banorë, Portugalia tashmë ka vaksinuar plotësisht 84 për qind të saj. Kjo është norma më e lartë në botë, dhe paraprinë Emiratet e Bashkuara Arabe (80.8%) dhe Singaporin (77.3%) dhe është shumë më përpara se 61.6% e popullsisë së vaksinuar në 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Qëllimi i Portugalisë për të vaksinuar plotësisht 85% të popullsisë së saj tani është i arritshëm dhe vendi pritet të lehtësojë disa nga masat e vendosura për të frenuar përhapjen e virusit.

Kufizimet kufitare janë aktualisht në fuqi vetëm me personat që udhëtojnë nga vendet anëtare të BE/EEA, si dhe 20 vende të tjera, përfshirë SHBA, Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re, Japoninë dhe Singaporin, të lejuara për arsye jo thelbësore, me kusht që të tregojnë dëshmi të vaksinimit ose një test negativ. Të gjithë duhet të plotësojnë një Formularin e Lokalizimit të Pasagjerëve (PLF).

Në fuqi janë gjithashtu edhe kufizimet e kapaciteteve për bare, restorante, vende kulturore dhe në eventet familjare, siç janë dasmat dhe pagëzimet, ndërsa kërkohet një certifikatë shëndetësore e Covid për të hyrë në vende të caktuara, ngjarje të mëdha, klasat grupore në palestra dhe restorante gjatë fundjavës dhe gjatë festave publike.

Së bashku me rritjen e numrit të vaksinimeve, shkalla e infeksionit dhe shtrimet në spital për shkak të virusit kanë rënë në nivelin më të ulët për gati 18 muaj./Euronews

Manastirliu: Certifikata e vaksinimit është e detyrueshme në shkolla

Të hënën hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit, njoftoi ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu nga qendra qendra shëndetësore nr.4 në Tiranë.

“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët”, tha Manastirliu.

Alternativa e mungesës së certifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar.

Sipas ministres, interesi i shtuar në muajt e hapur të vaksinimit nga personeli arsimtarëve, e ka çuar në mbi 80% vaksinimin e tyre me një dozë dhe mbi 60% me dy doza, duke paraqitur mbulesë të lartë vaksinale.

“Në këto dy muaj kemi pasur një interes të shtuar sa i përket vaksinimit, edhe shihet që ka një interes të shtuar të studentëve. Përsa i përket arsimtarëve, janë mbi 80% e tyre që e kanë kryer dozën e parë të vaksinës, edhe mbi 60 përqind e tyre janë vaksinuar plotësisht, padyshim janë shifra inkurajuese”, tha Manastirliu.

Shqipëria i vetmi vend në Europë pa një spital-burg për të sëmurët mendor

Numri i veprave penale të kryera nga persona me probleme të shëndetit mendor po shkojnë drejt një rritje të frikshme, si pasojë e neglizhencës dhe keqmenaxhimit të shumë hallkave institucione.

Fiks Fare, gjatë një investigimi ka arritur të evidentojë dy raste të neglizhuara nga institucionet përkatëse. Rasti i parë, ka të bëjë me vijimësinë e një denoncimi mediatik me 20 Gusht 2021, ku një vajzë teksa kthehej nga puna pak minuta pas mesnate, u godit nga një i panjohur pa indicie. Pas denoncimit të vajzës së dhunuar dhe hulumtimeve të uniformave të policisë nga Komisariati nr 3, u bë i mundur identifikimi i agresorit. Ky i fundit rezultoi të ishte D. T, 29 vjeç i diagnostikuar prej kohësh me probleme të shëndetit mendor.

Nga kërkimet e gazetarëve të “Fiks Fare”, D. T u gjet në gjendje të lirë teksa ngjitej në shtëpinë e tij i maskuar me një kapele të zezë. Pas një kërkese për informacion në Komisariatin nr 3 Tiranë na u tha se ky shtetas është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje me dashje” dhe se ka rezultuar me probleme të shëndetit mendor, për të cilën ka paraqitur dokument spitalor. Në vijim të hetimeve D. T është shoqëruar për Spitalin Psikiatrik nr 5 për ndihmë mjekësore, pas egzaminimeve spitali ka vendosur mjekim të detyruar ambulator në kushte shtëpie dhe se ky shtetas mbahet nën kontroll të përditshëm për të parandaluar një tjetër ngjarje.

Rasti i dytë u evidentua në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku një e moshuar shfaqte shenja agresiviteti kundrejt fqinjëve dhe personave që kalojnë nën pallatin e saj duke hedhur nga kati i 6-të i banimit sende të forta. Fatmirësisht pa dëmtuar njerëz por bizneset nën pallat dhe ndonjëherë dhe makinat e parkuara anës rrugës, po. Në një bisedë me administratorin e këtij kompleksi , tha se janë bërë denoncime në emër të saj, por që nuk merren masa pasi ka probleme të shëndetit mendor. “Policia ka ardhur disa herë dhe nuk kanë mundur të bëjnë gjë, sepse ajo është e kartelizuar” shprehet administratori.

Në lidhje me trajtimin e këtyre dy rasteve dhe shumë të tjerave të ngjashme në një intervistë për Fiksin mjekja psikiatrie Irena Thoma, tha se këta persona duhet të trajtohen me mjekim të detyruar ambulator, dhe në rast se këta persona kryejnë një vepër penale, duhet të trajtohen në spital të izoluar deri në momentin e përmirësimit të gjendjes së tyre. Shqipëria, ende mbetet i vetmi vend në Europë pa një spital-burg për të sëmurët mendor. Të dhunshëm dhe të rrezikshëm për jetët e qytetarëve, ata lihen të lirë të enden rrugëve./Top Channel

CDC rekomandon dozën përforcuese të vaksinës Pfizer për grupe të caktuara

Fushata amerikane e vaksinimit kundër Covid 19 është në prag të një faze të re të madhe pasi këshilltarët qeveritarë të enjten rekomanduan dozën përforcuese të vaksinës Pfizer për miliona amerikanë.

Kjo ndodh në një kohë, kur është rritur shqetësimi ne mesin e disa ekspertëve se dozat përforcuese nuk do të kenë ndikim të madh në ngadalësimin e pandemisë.

FDA autorizon dozë të tretë të vaksinës kundër Covid 19 për grupe të caktuara, raporton Zëri i Amerikës. Paneli këshillues i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandoi dozën e tretë për personat 65 vjeç e sipër, banorët e qendrave të azilit për të moshuarit, dhe atyre të moshave 50 deri në 64 vjeç me probleme të rënda shëndetësore. Në njoftimin e panelit të CDC-së gjithashtu thuhet se dozën përforcuese mund ta marrin edhe personat e moshës 18 deri në 49 vjeç me probleme shëndetësore.

Doza përforcuese duhet të merret të paktën gjashtë muaj pas dozës së dytë të vaksinës Pfizer.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), të mërkurën autorizoi një dozë të tretë përforcuese të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 për amerikanët mbi 65 vjeç dhe për ata që vuajnë nga sëmundje të rënda.

Shpërndarja e dozave përforcuese do ta dërgonte vendin në një fazë të re të rëndësishme të vaksinimit. Britania dhe Izraeli tashmë kanë filluar vaksinimin e popullsisë me dozën përforcuese, pavarësisht kundërshtimeve të forta të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila ka thënë se vendet e varfra nuk kanë vaksina të mjaftueshëm për dozat e tyre fillestare.

Përparësia kryesore vazhdon të jetë vaksinimi i të pavaksinuarve “në Amerikë dhe në mbarë botën”, tha të enjten drejtorja e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky.

Ajo pranoi se të dhënat për dozën përforcuese “nuk janë perfekte”. “Megjithatë, në mënyrë kolektive ato krijojnë një pasqyrë më të qartë për ne. Dhe këto janë të dhënat që kemi në këtë moment, për të marrë një vendim në lidhje me fazën tjetër në këtë pandemi“, shtoi ajo.

Rimbursimet nga shteti për shpenzimet nga xhepi i të sëmurëve nga Covid ishin vetëm 234 mijë euro/ Shtesa e importeve për barna në pandemi 30 milionë euro

Në 18 nëntor 2020, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për rimbursimin e paketës së trajtimit ambulator në banesë për Covid-19 dhe udhëzimin përkatës se si do të bëhej ky rimbursim nga mjeku i familjes.

Buxheti i alokuar ishte 1.2 miliardë lekë (rreth 10 milionë euro). Vendimi përcaktonte që personat e testuar pozitiv me Sars Cov-2 përfitojnë pa pagesë trajtimin ambulator në banesë sipas udhëzuësit të miratuar me urdhrin nr. 579, date 14.10.2020, “Për miratimin e udhëzuesit mbi ndjekjen në shtëpi të rasteve me infeksion Covid – 19”

Por, një raport i publikuar nga shoqata “Together for Life” gjeti se deri në fund të muajit maj 2021, ishte përdorur vetëm 2.4% e këtij fordi, ose rreth 28.8 milionë lekë, për të rimbursuar pacientët, për trajtimin ambulator në banesë.

Sipas raportit, të dhënat e deritanishme zyrtare tregojnë se rimbursimet e shpenzimeve anti-Covid për të gjitha grupet e popullatës ishin minimale, duke i lënë qytetarët, sidomos të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, të përballen vetë me kostot financiare të pandemisë.

Gjatë vitit 2020 përfituan rimbursim vetëm 1,708 persona, për të cilët u shpenzuan 6.3 milionë lekë (51.3 mijë Euro).

Gjatë periudhës janar-maj të vitit 2021, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimbursoi 5632 receta me diagnozën “Covid-19”, kundrejt një vlere prej 22.5 milionë lekësh (183 mijë Euro) .

Në total, për periudhën nëntor 2020-maj 2021, nga fondi total i dedikuar për rimbursimin e të prekurve me Covid-19 prej rreth 1,2 miliardë lekësh (9.7 milionë Euro) u shpenzuan 28.8 milionë lekë, ose 234 mijë Euro. Përfituan gjithsej 7183 pacientë nga viti 2020 deri në maj 2021, ose mesatarisht 4019 lekë (33 Euro) për pacient.

Shtimi i ngarkesës në spitale, i kombinuar me numrin e ulët të personelit shëndetësor në raport me popullsinë, detyroi shumë të infektuar që të kalonin pandeminë në kushtet e shtëpisë, përmes vetëmjekimit. Edhe spitalet private përjetuan një rritje të lartë të flukseve të pacientëve, thuhet në raport.

Sipas fokus grupeve të realizuara në kuadër të këtij raporti, trajtimet në shtëpi te të sëmurëve me gjendje te mesme Covid-19 arritën deri mbi 100,000 lekë (813 Euro) për person. Qytetari A.L thotë: “Në dhjetor të dy prindërit u infektuan. Babai pati një kollë, por ngaqë e ka kronike kollën nuk e menduam që është Covid 19, derisa gjendja e tij u përkeqësua. I shkoi tensioni 6 me 4. I çuam për grafi të dy prindërit, ku na konfirmuan që është Covid 19. Me shtetin nuk kemi pasur asnjë lloj kontakti. Filluam menjëherë të marrin mjekimin. Kemi berë analizat e përgjithshme. Nuk kemi bërë një përllogaritje të kostove në të gjitha fazat, diagnostikim-trajtim-post covid. Totali për të dy prindërit ishte 200 mijë lekë (1600 Euro)”.

XH.D, farmaciste pohon se Nga eksperienca me Covid, kostot më të larta pacientët i kanë patur për medikamente që nuk kanë qenë të lejueshme në Shqipëri. Çfarë dua të them? Ndjekja e protokollit ka diktuar marrjen e disa medikamenteve që në Shqipëri nuk lejohen. Pra, mjekët kanë lëshuar receta me medikamente të cilat pacientët janë detyruar t’i gjejnë në forma të paligjshme, sidomos për medikamente intravenoze. Për shembull, antiviralët dhe antibiotikët në trajtë intravenoze kanë qenë të palejuar si: favipiravira 200 mg ose favira që ka qenë e palejueshme. Nga shtatori dhe tetori ka qenë në masë e lëshuar nga mjekët në receta. Kostoja për çdo pacient ka qene 150 euro, 40 tableta (1 kuti). Pa përmendur antikoagulantët, që në fillim bëheshin me Heparinën. Në një moment edhe ajo pati mungesë dhe vazhdoi me pjesën pa pullë. Sa u takon rimbursimeve nga shteti, të paktën flas për suplementët, janë dhënë Vitaminë C 1000 mg, dhe Vitamina D3 2000 Unite. Kjo jepej vetëm për 30 ditë, nga një tabletë në ditë. Sipas protokollit duhet të merrej 2-3 gr vitaminë C, ndërsa e rimbursueshme ishte vetëm 1 gr. Kështu që rimbursimi ishte thuajse i papërfillshëm. Kostoja e atyre dy vitaminave s’ka qene shumë e lartë”.

Një tjetër farmaciste shprehet: Duke qenë në një zonë periferike, kemi dhënë shumë “me listë”, pasi mundësitë ekonomike kanë qenë të pakta. Ka patur shumë raste të prindërve që fëmijët i kanë jashtë, dhe u kemi dhënë medikamentet me besimin që pasi të shërohen fëmijët, do çojnë lekët dhe ata do vijnë ti shlyejnë. Na i kanë sjellë lekët pasi ka kaluar ajo faza e rëndë e sëmundjes, pasi fëmijët ju kanë nisur lekët. Ka pasur raste që vetë fëmijët nga jashtë janë lidhur me mua dhe kanë kërkuar të bëjnë pagesën me bankë. Ka patur deri në 4 veta, të sëmurë në një familje. Në të shumtë e rasteve mjekët e familjes as nuk e kanë ditur që këta pacientë kanë qenë sëmurë”.

Intervistat me fokus grupet nxjerrin në pah se të sëmurët nuk tentuan të përfitojnë nga paketa e rimbursimit për shkak shumave të vogla në dispozicion dhe procedurave të shumta për përfitimin e tyre. Përparimi i shpejtë i sëmundjes në shumë raste bëri që individët të anashkalonin mjekun e familjes për shkak të kohës që zgjaste procedura dhe të nxitonin duke bërë analiza private ose duke u kuruar në institucionet spitalore private. Mosbesimi tek politikat e qeverisë dhe sidomos të kompensimet ishte një faktor tjetër që lidhet me disbursimet e ulëta të paketës anti-Covid-19.

Rritje e ndjeshme e importeve të barnave

Nuk ka të dhëna të sakta për pagesat e qytetarëve për të përballuar pasojat e pandemisë, përmes blerjes së medikamenteve, shtrimit në spitale private apo pagesave nga xhepi për shërbim privat mjekësor. Megjithatë, disa të dhëna indirekte, si importet e medikamenteve dhe intervistat me fokus grupet, hedhin dritë mbi shumat e larta të shpenzuara për kurimin e sëmundjes, thuhet në raport. Në kontrast, pagesat e qeverisë për të rimbursuar recetat anti-Covid ishin minimale, shumë më të ulëta edhe se planifikimi në buxhet.

Sipas raportit, të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importet e medikamenteve tregojnë tregojnë se shtesa e barnave të importuara në Nëntor 2020-Prill 2021 është rreth 30 milionë euro (pa përfshirë importet e vaksinave), një pjesë e konsiderueshme e të cilës është paguar nga xhepi për kurimin e pasojave që la Covid-19 në shëndetin e popullatës.

Për Tetor-Dhjetor 2020, importi i ilaçeve ishte 19% më i lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ose 1.15 miliardë lekë (9.4 milion Euro) shpenzime shtesë.

Për periudhën shkurt-prill 2021, importet e medikamenteve u rritën ndjeshëm me 87%, në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2018-2020 , duke përfshire dhe importet e vaksinave. Përjashtuar koston e vaksinave, rritja është 50%.

Shtesa në vlerë e importeve, ishte 3.9 miliardë lekë (31.7 milionë Euro), nga të cilat 1.4 miliardë lekë (11.4 milionë Euro) ishin për vaksina të importuara nga Kina dhe Turqia . Përjashtuar koston e vaksinave, shpenzimet shtesë për medikamente ishin 2.5 miliardë lekë, ose 20 milionë euro që kanë ardhur si rrjedhojë e importeve të shtuara të produkteve, që u përdorën për mjekimin e Covid-19, si antibiotikë, kortizonikë, antiinflamatorë, vitamina etj .

Importet e produkteve farmaceutike nga Gjermania, partneri i parë tregtar i Shqipërisë (për barna, nga e cila vijnë 13% e totalit të importeve, u rritën me 24% për 4 mujorin e parë 2021, në raport me mesataren 2018-2020 të së njëjtës periudhë. Nga Italia, rritja ishte 48%, nga Franca 50% dhe nga shtetet e tjera (kryesisht, Sllovenia, Greqia, Belgjika, Brazili, Bullgaria Korea e Jugut) rreth 50%.

Importet e produkteve farmaceutike nga Kina u shumëfishuan në 1.1 miliardë lekë (8.9 milionë Euro), pasi filloi importi i vaksinave kineze. Një pjesë e tyre u importuan dhe nga Turqia, që pa një rritje me 48% me bazë vjetore për janar-prill 2021, në krahasim me mesataren e 4 mujorit të parë për periudhën 2018-2020. Ndonëse kontrata është bërë përmes Turqisë, importet direkte të vaksinave kineze, rezultojnë që kanë ardhur nga Kina./ Monitor

Thursday, September 23, 2021

Origjina e Covid-19/ Mediat kineze publikojnë studimin: Rasti i parë ka qenë i pranishëm në SHBA në pranverën e 2019-ës

Gazetat kombëtare kineze Global Times dhe China Daily kanë publikuar një studim i cili pretendon se Covid -19 mund të kishte qenë në SHBA që në prill 2019.

China Daily thotë se hulumtimi në të dhënat e epidemisë, i kryer nga dy universitete kineze, “tregon me 50% mundësi që infeksioni i parë Covid-19 në Shtetet e Bashkuara të ketë ndodhur midis gushtit dhe tetorit 2019, dhe rasti më i hershëm i mundshëm ishte më 26 prill 2019, në Rhode Island ”. Global Times thotë se kjo nënkupton se virusi ishte në SHBA muaj para se rastet të zbuloheshin në qytetin kinez Ëuhan në dhjetor 2019.

Kjo nuk është hera e parë që mediat shtetërore kanë nxjerrë teori që pretendojnë se virusi ka origjinën në Perëndim.  Ka pasur shumë dezinformata që rrethojnë teorinë e fundit. Në mesin e vitit 2020, zëdhënësi i ministrisë së jashtme Zhao Lijian luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e teorisë së “origjinës amerikane”. Ai postoi në Twitter mesazhe të shumta që thonin se virusi mund të ketë rrjedhur nga një bazë ushtarake amerikane.

Përpara raportit të inteligjencës amerikane mbi origjinën e virusit muajin e kaluar , media shtetërore kineze publikoi raporte që sugjeronin se virusi Covid-19 është bërë dhe ka rrjedhur nga baza ushtarake amerikane Fort Detrick në Frederick, Maryland. Madje një këngë rap u prodhua, duke sugjeruar se virusi ishte nxjerrë në një laborator, dhe kjo u miratua nga shumë media zyrtare dhe zyrtarë qeveritarë.

Vaksinimi i fëmijëve në Shqipëri/ Mjeku Alimehmeti: Të imunizohen ata me sëmundje të rënda

Për fëmijët dhe të rinjtë mbi moshën 12 vjeç ka nisur vaksinimi në disa vende të Evropës, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut e Greqinë. I njëjti rekomandim u dha të hënën nga Akademia e Shkencave në Shqipëri. Megjithatë për epidemiologun Ilir Alimehmeti, ky rekomandim duhet të aplikohet vetëm për disa kategori fëmijësh.

“Rekomandimi ishte për fëmijët mbi 12 vjeç të sëmurë me sëmundje të rënda, që nuk e kanë kaluar covidin, për të marrë një dozë të vetme. Sepse fëmijët e sëmurë rëndë mund të përfitojnë nga kjo duke marrë parasysh gjendjen e tyre të vështirë. Po kjo nuk bën sens për fëmijët e shëndetshëm.”

Sipas Alimehmetit me vaksinimin e mësuesve, prindërve dhe gjyshërve është frenuar transmetimi i virusit nga fëmijët tek të rriturit.

“Duke marrë parasysh që tashmë një përqindje shumë e rëndësishme e fëmijeve e kanë kaluar dhe kur i është ofruar vaksina mësuesit, prindit, gjyshit, kujt do t’ja transmetojë fëmija?! Po të shohim të dhënat e Britanisë së Madhe ata thonë që në 1 milion doza të dhëna të para evitohen vetëm 2 shtrime në intensiv fëmijësh. Kjo është shumë pak, as kosto efikase, as sens në shendetin publik. Nga ana tjetër risqet duhet të jenë inekzistente që të pranosh një përfitim të tillë.”

Po nga ana tjetër Gjermania ka vaksinuar deri më tani 80% të fëmijëve në moshë shkollore, pasi ekspertët e konsiderojnë si një masë të domosdoshme për imunizimin kolektiv. Po ashtu komanitë Pfizer dhe Biontech njofuan të hënën se 1 dozë me e vogël e vaksinës është e efektshme edhe tek fëmijët nga 5 deri 11 vjeç, e së shpejti do të dorëzojnë në FDA të dhënat e testimeve.

Situata e COVID-19 në spitale/ Në infektiv 7 urgjenca brenda 3 orësh, kryesisht moshat mbi 60 vjeç

7 urgjenca mjekësore kanë mbërritur në Spitalin Infektiv në më pak se tre orë gjatë paradites së ditës së enjte, ndërsa burime nga ky spital pohojnë se numri i urgjencave në 24 orë e kalon shifrën 25 të tilla.

Në mesin e shtrimeve të reja dominojnë moshat mbi 60 vjeç, por nuk përjashtohen edhe mosha të reja nën 20 vjeç e referuar kjo zyrtarisht nga mjekët e spitalit Covid 1 gjatë mbledhjes së fundit të komitetit teknik të ekspertëve.

Fatmirësisht nuk raportohen raste të reja të grave shtatzëna apo lehonë një problematikë e shtuar një javë më parë. Nga 9 gra shtatzëna, 6 prej tyre mësohet se kanë lënë spitalin pas shërimit ndërsa tre gra lehona pas lindjes prematurë vijojnë të trajtohen me prioritet në Infektiv.

Gjatë paradites së ditës së enjte ka pasur edhe dy fatalitete që e rëndojnë bilancin e viktimave nga COVID-19. Aktualisht dy spitalet Covid 1 dhe Covid 3 po punojnë me 85% të ngarkesës spitalore.

OBSH: Ndotja e ajrit është edhe më e rëndë se ç’mendohej, rreth 7 mln njerëz vdesin çdo vit para kohe

Ndotja e ajrit është edhe më e rrezikshme nga sa mendohej më parë, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Rreth shtatë milionë njerëz vdesin çdo vit para kohe nga sëmundjet që lidhen me ndotjen e ajrit, thotë OBSH. Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme vuajnë më shumë, për shkak të mbështetjes në karburantet fosile për zhvillimin ekonomik. OBSH e vendos ndotjen e ajrit në një nivel me pirjen e duhanit dhe ushqimin e pashëndetshëm. Ajo po u kërkon 194 shteteve anëtare të saj që të ulin emetimet ndotëse dhe të ndërmarrin veprime mbi ndryshimet klimatike, përpara samitit COP26 në nëntor.

Ndryshimet në udhëzime nënkuptojnë se kufijtë ligjorë të Mbretërisë së Bashkuar për ndotësit më të dëmshëm tani janë katër herë më të larta se nivelet maksimale të rekomanduara nga OBSH. Problemi është se lloji më i rëndë i ndotjes – grimcat e vogla të cilat mund të thithen në mushkëri – është tepër i vështirë për t’u ndalur.

Ndotja vjen nga shkarkimet e automjeteve dhe ngrohja qendrore e gazit. Por grimcat e dëmshme lëshohen gjithashtu në ajër në mënyra të tjera – ose formohen në ajër në reaksion me kimikate të tjera. Këto grimca prodhohen edhe nga ngjyrues, lëngje pastrimi dhe tretës, po ashtu nga djegia e karburanteve për prodhimin e energjisë, ngrohjen shtëpiake dhe motorët e automjeteve. Udhëzimet e reja nga OBSH, të publikuara të mërkurën, e përgjysmojnë maksimumin e rekomanduar për ekspozimin ndaj grimcave të vogla, të quajtura PM2.5.

“Pothuajse 80% e vdekjeve të lidhura me PM2.5 mund të shmangen në botë nëse nivelet aktuale të ndotjes së ajrit zvogëlohen në ato që janë propozuar në udhëzimin e përditësuar,” tha OBSH. Ndotës të tjerë përfshijnë ozonin, dioksidin e azotit, dioksidin e squfurit dhe monoksidin e karbonit. Ndotja e ajrit është e lidhur me sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru. Tek fëmijët, ajo mund të zvogëlojë rritjen e mushkërive.

“Përmirësimi i cilësisë së ajrit mund të ndihmojë përpjekjet për zbutjen e ndryshimeve klimatike, ndërsa zvogëlimi i emetimeve nga ana tjetër do të përmirësojë cilësinë e ajrit,” thotë OBSH./ BBC

Krijuesja e vaksinës së AstraZeneca: Koronavirusi do të kthehet në një ftohje të zakonshme

Krijuesja e vaksinës së Oxford-AstraZeneca, profesoresha Dame Sarah Gilbert, deklaroi së fundmi se koronavirusi, me shumë mundësi, nuk do të pësojë një mutacion më të rëndë dhe me kohën do të kthehet në një ftohje të zakonshme.

Gjatë një seminari në “Royal Society of Medicine”, shkencëtarja u shpreh se viruset kanë tendencën të bëhen më pak virulente gjatë kohës që qarkullojnë në popullatë dhe për këtë arsye nuk ka asnjë arsye që do të ketë një variant më të rëndë të Sars-CoV-2.

59-vjeçarja, gjithashtu, zbuloi se po bën përpjekje për të siguruar fonde për të marrë masa në parandalimin e pandemive të ardhshme dhe tha se duhen investime urgjente për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve të tjera infektive në të gjithë botën.

Komentet e saj vijnë pasi profesori Chris Whitty paralajmëroi një ditë më parë se pothuajse të gjithë fëmijët e pavaksinuar do të infektohen me COVID-19 në një moment në të ardhmen dhe rreth gjysma e të rinjve janë infektuar me virusin.

Dëmtimi i nervave/ Ja shenjat që nuk duhen neglizhuar

Trupi i njeriut përshkohet nga miliarda nerva. Shumica prej tyre janë periferikë dhe kanë një funksion primar: shpërndarjen dhe transmetimin e mesazheve e sinjaleve në tru dhe në shtyllën kurrizore. Kur gjithçka shkon siç duhet, truri merr të gjithë informacionin për të cilin ka nevojë që mundësojnë lëvizjen e muskujve, njohjen e dhimbjes dhe funksionin e organeve.

Kur këto nerva dëmtohen atëherë ecja është e vështirë, dhimbja e fortë dhe rreziku është i lartë. Diabeti është shkaktari kryesor i dëmtimit të këtyre nervave. Megjithatë nuk përjashtohet as trauma (e shkaktuar nga një aksident) plakja, mungesa e vitaminave, ekspozimi ndaj toksinave, hepatitis C, dhe sëmundje imunitare. Ndonëse diagnostikimi nuk është gjithmonë i thjeshtë, simptomat e kësaj sëmundjeje janë një këmbanë alarmi që nuk duhen injoruar.

Mpirje, therje, djegie: Nëse vëreni mpirje, therje ose djegie të këmbëve dhe duarve duhet të dini që kjo ndodh nga kompresimi i nervave ndijorë gjatë gjumit. Këto simptoma janë të përkohshme, por nëse zgjasin shumë gjatë, sugjerohet të shkoni tek mjeku.

Vështirësi në lëvizje: Dëmtimi i nervave motorikë shkakton dobësi, vështirësi në lëvizje ose paralizë, thonë ekspertët. Vështirësia në lëvizje mund të jetë një shenjë paralajmëruese e një infarkti ndaj sigurohuni që të shkoni tek mjeku sa më parë.

Dhimbje në këmbë: Dhimbjet e forta, ndjesia e therjes në fundshpinë që shpërndahet vetëm në njërën këmbë, nënkupton dëmtimin e nervit shiatik. Sipas të dhënavetë AgroWeb.org, nervi shiatik mund të dëmtohet nga hernia diskale ose nga diabeti.

Ngathtësi dhe plogështi: Nëse krejt papritur vëreni se rrëzoheni shpesh, jeni të ngathët dhe nuk qëndroni në këmbë, atëherë duhet të dini se kjo ndodh nga dëmtimi i nervave. Ngathtësia është gjithashtu simptomë e sëmundjeve nervore siç është Parkinsoni.

Urinim i shpeshtë: Dëmtimi i nervave nënkupton se fshikëza e urinës merr informacionin e gabuar. Kjo shoqërohet me dëshirën në rritje për të shkuar në banjë. Njerëzit që vuajnë nga diabeti janë më të prekur nga ky problem.

Dhimbje të papritura koke: Nëse prekeni nga dhimbje koke të papritura por shumë të forta, atëherë duhet të dini që kjo vjen si pasojë e dëmtimit të nervave të qafës. Ky problem zgjidhet nëpërmjet një injeksioni që bllokon përkohësisht nervin përgjegjës që transmeton sinjalin e dhimbjes.

Djersitja e tepërt: Djersitja e tepërt mund të jetë tregues i dëmtimit të nervave që dërgojnë informacion nga gjëndrat e djersës tek truri.

Ndjesi minimale të dhimbjes: Nervat ndijorë i tregojnë trurit nëse diçka është e rrezikshme dhe nuk duhet prekur. Nëse këto nerva janë dëmtuar, ju mund të shihni sobën ndezur por truri nuk e percepton rrezikun e nxehtësisë. Kështu jeni më të rrezikuar nga djegia ose diçka tjetër. Nëse vëreni se keni pësuar një lëndim të tillë nga përdorimi i sobës, enëve të kuzhinës e të tjerë, atëherë vizitohuni tek një mjek.

Osteoporoza: Ja mjekimi për sëmundjen e kockave

Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog

Kalcium dhe vitaminë D: Statusi normal i kalciumit dhe vitaminës D (Vit D) janë thelbësore për ruajtjen e metabolizmit të kockave si dhe në parandalimin dhe menaxhimin e osteoporozes . Marrja e rekomanduar dietike e kalciumit është midis 800 dhe 1200 mg ditë , dhe nuk ka asnjë sugjerim te sakte të marrjes dietike të Vit D. Të dy shtesat e kombinuara rekomandohen për pacientët me rrezik të lartë të pamjaftueshmërisë së kalciumit dhe Vit D, dhe atyre që marrin trajtim kunder osteoporozes . Për më tepër, marrja adekuate e proteinave ndihmon në minimizimin e humbjes së kockave dhe çon në permiresim më të mirë funksional pas thyerjes së kockes.

Burimet dietike dhe suplementet: Burimet dietike të kalciumit ( nga ushqimet) zakonisht preferohen mbi suplementet. Ushqime të pasura me kalcium janë produktet e qumështit, fasulet, perimet me gjethe të errëta, arrat, produktet e sojës dhe lëngjet e frutave .

Shtesat më të disponueshme të kalciumit janë karbonati i kalciumit dhe citrati i kalciumit me sasi të ndryshme të përmbajtjes elementare të kalciumit. Edhe pse karbonati i kalciumit është më i përballueshmi, thithja e tij është e dobët në gjendje agjërimi dhe ndikohet nëse pacienti po merr frenues të pompës protonike ose bllokues te H2. Në përgjithësi, suplementet nuk propozohen në doza më të mëdha se 500 mg në të njëjtën vakt sepse doza më të larta shkaktojnë një veshtiresi në thithjen e kalciumit . Për më tepër, gjatë llogaritjes së marrjes së kalciumit, duhet të këshillohet që disa ushqime, si kafeina, soda dhe marrja e lartë e proteinave (> 2.0 g /kg ne ditë mund të rrisin sekretimin e kalciumit në urinë ose të ulin thithjen e zorrëve .

Pergjithesisht rekomandohet një marrje ditore të kalciumit dietik midis 800 dhe 1200 mg për gratë në menopauzë dhe burrat mbi 50 vjeç. Plotësimi i kalciumit duhet të jepet nëse marrja dietike është nën 800 mg ditë − 1. Për më tepër, marrja e proteinave duhet të jetë ndërmjet 1.0 dhe 1.2 g/ kg ne ditë, veçanërisht për pacientët e moshuar .

Mungesa e Vit D është një epidemi në të gjithë botën dhe përcaktohet si nivele serike 25 (OH) D <20 ng/ ml . Insuficienca e Vit D përcaktohet si një nivel ne serum i 25 (OH) D ndërmjet 21 dhe 29 ng /ml . Burimet e Vit D në ushqime janë jashtëzakonisht të kufizuara . Megjithëse burimi kryesor i Vit D është ekspozimi në rrezet e diellit (UVB), nuk është e mundur të arrihen nivele adekuate të Vit D vetëm nga rrezet e diellit. Për më tepër, në subjektet, të cilët përdorin produkte kremi kundër diellit, sinteza e Vit D është e kufizuar. Për më tepër, prodhimi i Vit D mund të mos ndodhë me efikasitet tek të moshuarit . Në disa vende, produktet e qumështit të fortifikuar janë burimi kryesor i Vit D.

Ekzistojnë dy forma të suplementeve të Vit D: ergokalciferol (vitaminë D2) dhe kolecalciferol (vitaminë D3) . Kolecalciferoli duhet të jetë trajtimi i zgjedhur për mungesën ose pamjaftueshmërinë e Vit D pasi ajo rrit nivelin ne serum te 25 (OH) D në mënyrë më efikase se sa ergocalciferol . Në rastin e mungesës së Vit D, 50,000 IU duhet të jepet nga goja çdo javë për 8 javë si një dozë ngarkese dhe të pasohet nga një dozë mbajtëse prej 800 deri 1500 IU ditë nga goja . Një efekt mbrojtës i Vit D në fraktura dhe zvogëlimin e rënies u pa vetëm në doza orale ≥ 800 IU ditë . Prandaj, rekomandohet një dozë orale ditore prej 800-1500 IU të kolecalciferolit për gratë dhe burrat në menopauzë më të vjetër se 50 vjeç dhe në rrezik frakturash. Sidoqoftë, duhet të merret në konsideratë se asnjë përfitim per thyerjet nuk ka vetem duke marre vit D , te pakten keshtu thone meta analizat e fundit. Për këtë arsye, është më mirë të përdorni kalcium dhe Vit D së bashku përveç rasteve kur keni nevojë vetem për të trajtuar mungesën e Vit D.

Duke marrë parasysh përdorimin e gjerë të kalciumit dhe Vit D, rreziqet e efekteve anësore të tyre mund japin nje numer te madh komplikacionesh që mund të bëjnë që individi të ndërpresë përdorimin e ketyre shtesave me suplemente. Keshtu, një rritje e rrezikut relativ prej 17% për gurët në veshka me shtesa kalciumi dhe Vit D është raportuar tek gratë në menopauzë . Gjithashtu janë ngritur shqetësime se suplementet e kalciumit mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, por nuk ka prova të mjaftueshme për të demonstruar një lidhje te tille të rëndësishme .

Nga ana tjetër, ka disa studime per sigurine e Vit D. qe thone qe niveli i sipërm i sigurt për Vit D është 4000 IU ditë . Pra dozat e larta të Vit D, veçanërisht me plotësimin e kalciumit, mund të shkaktojnë hiperkalcemi, hiperkalciuri dhe gurë në veshka . Nuk këshillohet të merrni doza të mëdha të Vit D (> 100,000 IU në të njëjtën kohë), pasi shoqërohet me një rritje të rrezikut të thyerjes nga rrëzimet.

Statistika/ Testimi për COVID-19 nga personat me aftësi të kufizuar

Një raport studimor i publikuar nga Shoqata Together for Life, me mbështjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, i titulluar ‘Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuar, zbardh këto të dhëna:

Pjesëmarrësit u ftuan të na informonin lidhur me testimin e tyre për COVID-19. Midis 360 subjekteve të përfshirë në studim, vetëm 14 ose 3.9% e tyre deklaruan se ishin testuar. Midis atyre që u testuan për COVID-19, 54.5% deklaruan se arsyeja e testimit ishte prania e simptomave të COVID-19, kurse 45.5% u testuan për shkak të kontakteve me dikë që kishte COVID-19. Midis pjesëmarrësve të testuar për COVID-19, 85.7% e tyre rezultuan negativ dhe 14.3% rezultuan pozitiv në testim. Për 40% të personave të testuar dhe që dhanë informacion, vendimi për t’u testuar për COVID-19, në kontekstin kur kishin simptoma dhe/ose ishin në dijeni që kanë pasur kontakte me persona të prekur nga COVID-19, ishte i vështirë ose shumë i vështirë, në 50% të rasteve testimi ishte mesatarisht i vështirë dhe në 10% të rasteve vendimi për t’u testuar ishte i lehtë (Grafiku 44). Asnjë nga personat e testuar nuk pranoi të shtrohej në spital për të trajtuar infeksionin COVID-19.

Nga Shoqata Together for Life, me mbështjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, i titulluar ‘Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuar’ /2020.

SHBA miraton dozën e tretë të Pfizer/ Ja grupet që përfshihen

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar dozën përforcuese të vaksinës Pfizer për personat mbi 65-vjeç dhe për ata që dozën e fundit të vaksinës e kanë marrë para 6 muajsh.

Administrata e Ilaçeve dhe Ushqimit(FDA) gjithashtu autorizoi që të rriturit në rrezik të lartë nga sëmundja dhe personat që punojnë në vijën e parë kundër virusit Covid-19 të marrin një dozë përforcuese. Kjo do të thotë që dhjetëra milionë amerikanë tashmë janë të përshtatshëm për dozën e tretë.

Gjithsesi doza e tretë e vaksinës kërkon aprovim nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve(CDS) në SHBA. Sipas medieve amerikane, panele të pavarura nga CDS janë duke mbajtur takime të mërkurën dhe të enjten dhe pritet të miratojnë këtë lëvizje shumë shpejt.

Shqetësimet më të mëdha të personave me aftësi të kufizuar gjatë periudhës së pandemisë

Një raport studimor i publikuar nga Shoqata Together for Life, me mbështjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, i titulluar ‘Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuar, zbardh këto të dhëna:

Pjesëmarrësit u ftuan të na informonin lidhur me shqetësimet më të mëdha që ata kanë ndjerë ose përjetuar gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Shqetësimi madhor më i shpeshtë gjatë kohës së pandemisë, i raportuar nga 58.9% e pjesëmarrësve, rezultoi “pamundësia financiare për të blerë ilaçe ose produkte ushqimore”, pasuar nga “frika nga infektimi me COVID-19” në 56.4% të pjesëmarrësve, “përkeqësimi i gjendjes shëndetësore” në 30.6% të rasteve, “mos marrja e ndihmës që nevojitet” në 29.2% të pjesëmarrësve, “kalimi në një formë të rëndë të COVID-it” në 23.1% të rasteve, “frika nga izolimi” në 21.4% të rasteve, “përkeqësimi i shëndetit mendor” në 20.6% të rasteve, etj. (Grafiku 34). Vetëm 2.8% e pjesëmarrësve raportuan se nuk kishin asnjë shqetësim specifik gjatë periudhës së pandemisë, kurse mbi dy të tretat (69.4%) kishin 3 lloje shqetësimesh (Grafiku 34).

Nga Shoqata Together for Life, me mbështjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, i titulluar ‘Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuar’ /2020.

Kosovë: Hyrja në lokale vetëm me certifikatë të vaksinimit apo test negativ, nga 27 shtatori

Nga 27 shtatori qytetarët në Kosovë do të mund të hynë në lokale vetëm me certifikatë të vaksinimit apo test negativ. Këtë paralajmërim e ka bërë sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Me masat aktuale gastronomet lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi ka paralajmëruar se nga dita e hënë e javës së ardhshme të gjithë personat që do të hyjnë brenda hapësirave të lokaleve do të zbatohen masat e reja kufizuese. Sipas Vitisë, ata që frekuentojnë lokalet duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit ose test PCR apo serologjik.

“Sa i përket gastronomisë ndër sektorët më të goditur nga pandemia jemi në kontakt edhe tani dhe me miratimin e tyre jemi dike hartuar masat që edhe në gastronomi të aplikohet nga 27 shtatori masa kufizuese e personave që hyjnë brenda këtyre lokaleve vetëm me certifikata të vaksinimit, test PCR apo serologjik me shifrat dhe numrat e vaksinimit. Një masë e tillë nuk është besoj më penguese as për sektorin e gastronomisë”, tha ai.

Ai thotë se shpreson që do të ketë konsensus të subjekteve politike që gjendja në shëndetësi të ndryshoj. “Duhet përkujtuar që pas rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 dhe numrit të vdekjeve, Qeveria e Kosovës pati marr vendim për rikthimin e masave antiCOVID, ndër to edhe ora policore. Por gjatë ditëve të fundit është vërejtur një rënie e numrit të rasteve të reja me koronavirus”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vlerëson se falë masave që ka ndërmarrë Qeveria, është ulur numri i rasteve me COVID-19 në vend. Ai në raportimin para deputetëve në komision parlamentar tha se Kosova ka menaxhuar mirë situatën, edhe pse krahasuar me vendet e rajonit, popullata është më pak e vaksinuar.

“Masat e ndërmarra kanë dhënë rezultat duke shënuar ulje të rasteve, përkundër që shkalla e vaksinimit krahasuar me vendet e rajonit ka qenë më e ulët”, tha Vitia. Aktualisht në Kosovë janë mbi 7.000 raste aktive me COVID-19. Në vendimin e Qeverisë tek masat antiCOVID-19 thuhet shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.

“Ndalohet shërbimi në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00”, thuhet në vendim. Në fuqi do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

INSTAT: Gati 1 e 4-ta e popullsisë mbi 16 vjeç nuk përballoi financiarisht ekzaminimet shëndetësore dhe dentare

Gati çereku i popullsisë së rritur në vendin tonë e patën të pamundur të përballojnë financiarisht në vitin 2019 ekzaminimet mjekësorë dhe trajtimin dentar, raportoi INSTAT.

Anketa e INSTAT ka zbuluar se, nevojat e paplotësuara për ekzaminim ose trajtim mjekësor ose dentar lidhen me një sërë arsyesh ku mund të përmenden mos përballimi financiar i shërbimit (shumë i shtrenjtë), pritja në listë, mungesa e kohës për shkak të punës, largësia ose mungesa e transportit, në pritje se mos kalon vetë problemi i tyre shëndetësor, etj

Në vitin 2019, 82,0% e individëve 16 vjeç e lart kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë shumë mirë ose mirë kundrejt 81,8% që ishte në vitin 2018.

Bazuar në vetë-perceptimin e individëve 16 vjeç e lart 4,8% e individëve kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë keq ose shumë keq, duke pësuar rënie me 0,3 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.

Në Shqipëri paketa e rimbursimit të medikamenteve është shumë e ulët dhe nuk plotëson nevojat e gjera të popullatës. Gjithashtu ndryshe nga vende të tjera në Shqipëri shërbimet dentare janë të përjashtuara nga rimbursimi.

Një tjetër raport i Eurostat tregoi se 13.5% e shqiptarëve vetë-deklaruan në vitin 2019 se ata nuk kanë mundësi që të plotësojnë nevojat për ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta. Përqindja më e lartë është në Veri, me 21.3%. Më pas renditet Jugu i vendit me 11.6% dhe më të ulëtën e ka Qendra, me 9.3%.

Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit dhe Europës, përqindja e personave që vetë-deklarojnë se nuk kanë mundësi të kryejnë ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta, është shumë më e lartë.

Pas nesh renditet Kosova, me 8.45 (për vitin 2018), Serbia e ka këtë tregues 2.6%, Turqia 2.4%, Maqedonia e Veriut 1.6%, Mali i Zi 0.1% (për vitin 2018). Të lartë e ka këtë tregues edhe Greqia, në 7.5%, ndërsa për vendet e tjera të Europës nuk shkon më shumë se 4%. P.sh. në Itali, përqindja e personave në pamundësi për t’u ekzaminuar është 1.3%, ndërsa në Spanjë, Maltë, Suedi, Slloveni është zero.

Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u luhatur në mes 2.5-3% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që, sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë.

Gjithashtu fondet e pakta janë kanalizuar në koncesione që nuk e kanë lehtësuar barrën e sëmundjeve dhe mbështetjen e shtresave të varfra.

Gjatë 5 viteve të fundit qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar rreth 320 milionë euro pagesa për katër koncesione në sektorin e shëndetësisë për 10 vite, duke transferuar shërbimet dializës, kontrollit bazë shëndetësor, Check Up, sterilizimit në spitale dhe shërbimit laboratorik nga shteti në privat.

Ekspertët të sektorit të shëndetësisë kanë analizuar se gjithnjë e më shumë burimet financiare për sektorin po shkojnë në drejtimet dytësore dhe tretësore, ndërsa parandalimi i sëmundjeve dhe trajtimi i tyre kërkon investime në pajisje dhe teknologji të reja. Realiteti është edhe më i trishtë, pasi edhe numri i shtretërve nuk mjafton në shumicën e pavijoneve të QSUT-së.

Megjithëse koncesionet PPP në sektorin e shëndetësisë kanë hyrë në vitin e pestë, ka shumë pak transparencë ndaj tyre dhe analizat e kosto-përfitimeve mungojnë. Por të dhëna të fragmentuara që burojnë nga dokumente zyrtare tregojnë se koncesionet po rezultojnë me kosto shumë herë më të larta se përfitimet./Monitor/

Wednesday, September 22, 2021

OBSH jep lajmin e mirë: Rastet globale të Covid-19 shënojnë rënien më të madhe

Është përmirësuar situata e Covid-19 në rang botëror. Sipas OBSH javën e kaluar kishte 3.6 milionë raste të reja të raportuara në të gjithë botën nga 4 milion infeksione të reja javën e kaluar. Kjo është rënia më e madhe e  konsiderueshme e rasteve për më shumë se dy muaj. Më së shumti, rastet ranë në çdo rajon botëror, raportoi Associated Press.

Në azhurnimin më të fundit të OBSH -së mbi pandeminë të publikuar të martën, ajo tha se kishte rënie të mëdha të rasteve në dy rajone, veçanërisht një rënie prej 22% në Lindjen e Mesme dhe një rënie 16% në Azinë Juglindore.

Agjencia shëndetësore e OKB -së tha se kishte pak më pak se 60,000 vdekje javën e kaluar, duke shënuar rënie prej 7%, ndërsa Azia Juglindore raportoi një rënie prej 30% të vdekjeve nga Covid.

Rastet më të shumta të koronavirusit u panë në pikat e nxehta të njohura SHBA, Indi, Britani, Turqi dhe Filipine. OBSH tha gjithashtu se varianti Delta me përhapje më të shpejtë tani është parë në 185 vende dhe ekziston në çdo pjesë të botës.

Si të përballeni me disa nga simptomat më të vështira të menopauzës

Menopauza i ndodh çdo gruaje , por kjo nuk do të thotë që simptomat , ose trajtimi është i njëjtë për të gjithë, pavarësisht nëse keni të bëni me afshe të nxehta, ndryshime humori ose probleme me gjumin. Mënyra e përjetimit lidhet me faktorët gjenetikë, dietën, stilin e jetës etj. Disa nga trajtimet më të mira të menopauzës :

Jepini përparësi ushqimit të shëndetshëm dhe gjumit. Ushqime të caktuara mund t’i bëjnë simptomat e menopauzës edhe më keq. Një studim zbuloi se ngrënia e shumë karbohidrateve në të vërtetë mund të ndikojë në shfaqjen e depresionit  tek gratë pas menopauzës. Për të kuptuar shkaktarët tuaj, Dr. Sholes-Douglas sugjeron të provoni një dietë ku hiqni grupe ushqimore si gluten, qumësht, sheqer, alkool dhe sojë dhe më pas ngadalë i shtoni përsëri për të parë se si secili ndikon në simptomat tuaja. Një tjetër ide e mirë: Përpiquni të flini në të njëjtën kohë çdo natë dhe mbajeni dhomën tuaj të gjumit të errët dhe të freskët.

Përdorimi i ilaceve. Kur bëhet fjalë për lehtësimin e simptomave të menopauzës si afsh i nxehtë, ankthi dhe nervozizmi, terapia e zëvendësimit të hormoneve është një zgjedhje kryesore për shumë gra. Këto ilaçe rrisin nivele të estrogjenit dhe progesteronit (të cilat bien ndjeshëm gjatë menopauzës), gjë që ndihmon në përmirësimin e simptomave.

Aktiviteti fizik.  Jo vetëm që aktiviteti fizik mund t’ju ndihmojë të flini më mirë, por gjithashtu mund të përmirësojë afshet e nxehta.  Në një studim, gratë që shkonin në palestër ulën episodet e afsheve pasi  aktiviteti fizik  ndihmon trupin të rregullojë  temperaturën e tij./ Prevention

A shkakton fertilitet vaksina anti COVID-19 ?

Po egziston masivisht në media-n online teoria se kryerja e vaksinës mund të shkaktojë fertilitet tek gratë. Në fakt, nuk ka asnjë provë shkencore që vërteton se ndonjëra nga vaksinat anti COVID-19 të shkaktojë probleme me fertilitetin.

Një raport nga Shoqata Amerikane e Mjekësisë Riprodhuese (ASMR) shprehet “pacientet femra që janë nën trajtim për fertilitet ose ato që janë shtatzënë duhet të inkurajohen që të vaksinohen sipas kritereve të përcaktuara. Përderisa vaksina nuk është një virus i gjallë, nuk ka arsye të vonohet shtatzënia për shkak të vaksinimit.”

Një raport tjetër i cili e pohon këtë fakt i publikuar në janar të këtij viti nga Kolegji Mbretëror i obstetërve dhe gjinekologëve thotë gjithashtu: “nuk ka asnjë provë të besueshme shkencore që të vërtetojë ndonjë impakt mbi fertilitetin tek femrat të cilat janë vaksinuar me vaksinat anti COVID-19 të Pfizer-BioNtech apo Moderna-s.”

Një tjetër shqetësim i shtuar kohëve të fundit është në lidhje me meshkujt, nëse kryerja e vaksinës shkakton ndonjë problem me funksionin e testikujve. Kjo gjë bëri bujë pas një studimi, në të cilin u vu re se tek meshkujt që ndërruan jetë nga COVID-19, virusi kishte shkaktuar inflamacion testikular (orkit) dhe dëmtim të spermatogjenezës. Por kjo gjë u hodh poshtë automatikisht pasi edhe viruse të tjerë si hepatiti B apo parotiti mund të shkaktojnë të njëjtën gjë.

Në rastin e grave shtatzënë cështja është pak nën hije, pasi deri më tani nuk ka asnjë raport zyrtar që të sugjerojë se cfarë efekti kanë vaksinat anti COVID-19 tek fetusi. Por ajo cfarë duhet theksuar për të cilën egzistojnë studime është se gratë shtatzënë të cilat kalojnë COVID-19 kanë një rrezik më të lartë për komplikacione të ndryshme si: shtrimi në terapi intensive apo rrezik më të lartë për lindje premature./

Shtatzënia në Adoleshencë/ Ja disa nga pasojat shëndetësore

Shtatzënia në adoleshencë është një problem global që ndodh në të gjithë botën, si në ato me zhvillim të lartë, të mesëm apo të ulët. Megjithatë, shtatzënitë në adoleshencë kanë më shumë të ngjarë të ndodhin në ato vende me të ardhura më të ulëta, vende ku vihet re mungesa e arsimimit dhe mundësive të punësimit.

Në shumë shoqëri, vajzat janë nën presion për t&#39;u martuar dhe për të lindur fëmijë shumë herët. Në vendet më pak të zhvilluara, të paktën 39% e vajzave martohen para se të mbushin 18 vjeç dhe 12% nën 15-vjec. Në shumë vende vajzat zgjedhin të mbeten shtatzënë sepse ato kanë mundësi të kufizuara arsimore dhe punësimi. Shpesh, në shoqëri të tilla, amësia vlerësohet, martesa dhe lindja e fëmijëve mund të jetë opsioni më i mirë i mundshëm. Ka nga ato adoleshente të cilat mund të dëshirojnë të shmangin shtatzënitë por mungesa e njohurive se nga ku mund ti sigurojnë apo se si shpesh i detyron në një shtatzëni të padëshiruar.

Adoleshentët përballen me pengesa si : mungesa e njohurive,ligjeve dhe politikave kufizuese në lidhje me moshën, apo kufizimeve financiare. Të paktën 10 milion shtatzëni të pa dëshiruara ndodhin çdo vit mes vajzave adoleshente të moshës 15-19 vjeç në rajonet në zhvillim.

Një faktor tjetër i shtatzënisë së paqëllimtë është dhuna seksuale, në disa vende më shumë se një e treta e vajzave raportojnë se marrëdhënia e tyre e parë seksuale ishte e detyruar.

Pasojat shëndetësore:

Shtatzënia në adoleshencë mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave.

Komplikacionet në shtatzëni dhe gjatë lindjes së fëmijës janë shkaqet kryesore të vdekjes së vajzave të moshës 15-19 vjeç në të gjithë botën, ku në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta zënë 99% të vdekjeve të nënave të moshës 15-49 vjeç.

Lindja e hershme e fëmijëve mund të rrisë rreziqet për të sapolindurit, si dhe nënat e reja. Foshnjat e lindura nga nënat nën 20 vjeç përballen me rreziqe më të larta të nën peshës, lindjes së parakohshme dhe kushteve të rënda neonatale.

Në disa kushte, shtatzënia e shpejtë e përsëritur është një shqetësim për nënat e reja, pasi paraqet rreziqe të mëtejshme shëndetësore si për nënën ashtu edhe fëmijën.

Bino: Nuk kemi vaksina të skaduara/ Gjirokastra, qyteti me mbulesën vaksinale më të lartë

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur për të informuar lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi. Kryetarja e ISHP, Albana Fico, iu bëri thirrje kryesisht studentëve dhe të gjithë arsimtarëve, që të vaksinohen sa më parë, meqë pritet edhe hapja e shkollave.

Fico: Mbeten rastet e larta, të të shtruarve në spital, por javën e fundit kjo situatë ka qenë e qëndrueshme. Situata epidemiologjike ka pësuar ndryshime: rastet e reja për javën e 38 kanë pësuar ulje, totali rasteve aktive është rritur, numri total i bashkive të prekura është 51, është rritur, femra 52 dhe meshkujt 48. Përqind të prekur.Numri i humbjeve të jetë është 1.6 përqind. 65-70 vjec më të prekur . Duhet të theksohet se po vijon vaksinimi, duhet të kuptohet se ky muaji është i rëndësishëm sepse hapen shkollat.

Rakacolli: Vaksinimi është prioritet , vendimet që merren ndikohen dhe nga kjo.

Bino: Ka pasur një rritje vaksinimi me dozat e dyta, po ka pasur edhe një përmirësim në mbulesën vaksinale në bashki.

Sa i përket bashkisë me mbulesën vaksinale më të mirë, është Gjirokastra, pastaj Delvina, në veri janë Mirditë dhe Pukë, Kukës dhe Tropojë. Nga ana tjetër vihet re se arsimtarët e shkollave të mesme kanë mbulesë më të mirë, se pedagogët dhe ata që janë në çerdhe dhe kopshte.

Përdorimi i vaksinës , nuk ka vaksina të skaduara dhe të mos jetë përdorur, por përkundrazi janë përdorur konform të gjitha rregullave, punojmë me humbje zero të vaksinës. Për sa i përket punonjësve shëndetësore, kemi një mbulesë vaksinale të lartë, por kemi nevojë ta rrisim ata.