Shtimi i infeksioneve të reja, i shkaktuar nga varianti delta mund të ketë arritur kulmin, por numri i vdekjeve vazhdon të jetë mesatarisht mbi 1,900 në ditë, niveli më i lartë që nga fillimi i marsit. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universitetit Johns Hopkins, deri të hënën në mëngjes numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara ka arritur në afër 674,000, por mendohet se numri real është më i lartë.
Sipas një modeli të njohur parashikimi, dimri mund të sjellë një rritje të re të rasteve, megjithëse do të jetë më pak vdekjeprurëse se vitin e kaluar. Modeli i Universitetit të Uashingtonit parashikon vdekjen e rreth 100,000 amerikanëve të tjerë nga COVID-19 deri më 1 janar, duke e çuar në 776 mijë numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara.
Pandemia e gripit spanjoll e viteve 1918-19 shkaktoi vdekjen e rreth 675,000 amerikanëve, kur Shtetet e Bashkuara kishin një popullsi tre herë më të vogël se sot. Rreth 50 milionë njerëz në nivel global vdiqën nga gripi spanjoll. Ndërsa, Covid-19 ka shkaktuar vdekjen e 4.6 milionë njerëzve në nivel global.
Shifrat e të vdekurve nga gripi spanjoll janë llogaritje të përafërta, duke patur parasysh regjistrimet jo të plota të epokës dhe njohuritë e pakta shkencore mbi shkaqet e sëmundjes. Shifra 675,000 është raportuar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Para COVID-19, gripi i vitit 1918-19 konsiderohej si pandemia më e rëndë në historinë e njerëzimit. Nuk është e qartë nëse pandemia aktuale në fund të do jetë më vdekjeprurëse.
Në shumë mënyra, gripi i viteve 1918-1919, i cili u quajt gabimisht grip spanjoll, sepse në fillim u raportua gjerësisht për atë në mediat në Spanjë, ishte më i rëndë.
I përhapur nga lëvizjet e shumta të njerëzve gjatë Luftës së Parë Botërore, gripi shkaktoi vdekjen e një numri të madh të të rinjve pa probleme të tjera shëndetësore. Vaksinat nuk ekzistonin për ta ngadalësuar përhapjen e tij, dhe nuk kishte antibiotikë për të trajtuar infeksionet bakteriale dytësore. Dhe, natyrisht, popullsia e botës ishte shumë më e vogël se sa sot. Megjithatë, udhëtimet me avion, migrimet masive dhe ritmi ende ulët i vaksinimit kërcënojnë të rrisin pasojat e pandemisë aktuale.
No comments:
Post a Comment