Një raport studimor i publikuar nga Shoqata Together for Life, me mbështjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, i titulluar ‘Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuar’, zbardh këto të dhëna, si më poshtë:
Situata dhe kufizimet gjatë pandemisë COVID-19 çuan në uljen drastike të përqindjes së PAK që trajtoheshin në qendrat rezidenciale, ditore dhe komunitare, dhe rritjen e përqindjes së PAK që u trajtuan në shtëpitë e tyre, krahasuar me periudhën para pandemisë, si dhe në ndërprerjen e trajtimit në 15% të rasteve. Të gjitha këto ndryshime mund të kenë çuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të PAK për shkak të shërbimeve të munguara.
Kjo mund të mbështetet nga fakti se gjendja shëndetësore u përkeqësua gjatë pandemisë për rreth 4 në 10 PAK, duke reflektuar ndoshta një zhvendosje të shërbimeve dhe trajtimit nga qendrat e specializuara në shtëpi. Shëndeti u përkeqësua në përqindje më të larta tek PAK 11-18 vjeç dhe 51-60 vjeç, në zonat rurale, Durrës e Korçë, dhe ata me 2-3 lloje aftësisht të kufizuara.
Ndihma shëndetësore gjatë pandemisë është kërkuar nga mbi gjysma e PAK, dhe midis këtyre ndihma nga mjeku i familjes është kërkuar në rreth dy të tretat e rasteve, duke nënkuptuar që mjeku i familjes ka qenë burimi kryesor i ndihmës shëndetësore për PAK gjatë pandemisë.
Rreth një në katër PAK kanë kontaktuar më pak se zakonisht me mjekun e familjes gjatë pandemisë.
Rreth 17% e PAK mendojnë se shërbimi shëndetësor u përkeqësua gjatë pandemisë, krahasuar me periudhën para pandemisë, dhe kjo përqindje është më e lartë tek 11-18 vjecarët dhe PAK >60 vjeç, meshkujt, PAK që jetojnë në zonat rurale, Shkodër, Korçë dhe Elbasan, dhe rritet me rritjen e numrit të aftësive të kufizuara duke arritur në 100% midis PAK me katër aftësi të kufizuara.
Gjatë pandemisë u rrit në mënyrë domethënëse përqindja e PAK që patën vështirësi në aksesin ndaj medikamenteve, krahasuar me periudhën para pandemisë (70.4% gjatë pandemisë vs. 38.1% para pandemisë), dhe kjo tendencë ishte e pranishme në çdo grup të PAK në studim. Kjo gjetje sugjeron që të gjithë PAK janë vënë nën presion të konsiderueshëm gjatë pandemisë për sigurimin e medikamenteve të nevojshme për ta.
Mesa duket, fushata agresive e informimit dhe mesazhet e dhëna për pandeminë, kufizimi i transportit publik dhe mungesa e koordinuar e mbështetjes financiare kanë krijuar pengesa për sigurimin e materialeve mjekësore të nevojshme gjatë pandemisë për shumicën dërrmuese të PAK (më shumë se 9 në 10 PAK raportuan të paktën një pengesë për të siguruar materialet mjekësore gjatë pandemisë).
Mënyra kryesore e konsultimeve mjekësore të PAK gjatë pandemisë ishte ajo përmes telefonit ose internetit (në 57% të rasteve) dhe ballë për ballë në 11% të rasteve, kurse rreth 33% nuk morën fare konsultime mjekësore; dobishmëria e konsultave ballë për ballë u pranua nga përqindje në mënyrë domethënëse më të larta të PAK, krahasuar me konsultat në distancë.
Efekti kryesor i pandemisë në ndërhyrjet e planifikuara tek PAK rezultoi shtyrja apo riplanifikimi i ndërhyrjes (në rreth 70% të rasteve), kalimi në konsultën në distancë (21%), apo anulimi i konsultës në rreth 10% të rasteve. Në 6 në 10 raste kur u shty ndërhyrja, ajo u shty për 3 muaj ose më shumë, me diferenca domethënëse sipas qarqeve.
Kujdesi ambulator gjatë pandemisë është perceptuar si krejtësisht jo efektiv apo jo efektiv për më shumë se 4 në 10 PAK: përqindjet më të larta janë midis PAK 5-10 vjeç, meshkujve, ata që jetojnë në Elbasan dhe në Tiranë, dhe rritet me rritjen e numrit të aftësive të kufizuara.
Pothuajse të gjithë PAK kanë përjetuar të paktën një shqetësim specifik gjatë pandemisë, ku shqetësimi më i shpeshtë ishte “pamundësia financiare për të blerë ilaçe dhe ushqime”, “frika nga infektimi”, “shqetësimi për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore vetjake” dhe “frika e mos marrjes së ndihmës së nevojshme”.
Më shumë se 7 në 10 PAK kanë përjetuar nivele të larta ankthi (mbi mesataren) gjatë pandemisë, dhe kjo përqindje rezultoi më e lartë midis PAK >60 vjeç, tek femrat, ata që jetojnë në zonat rurale, Durrës, Tiranë, Korçë, dhe rritet me rritjen e numrit të aftësive të kufizuara.
Mbi tre të katërtat e PAK raportuan se kanë marrë udhëzime specifike gjatë pandemisë, ku mesazhi dominues ishte “mos dilni nga shtëpia”, pasuar nga “respektoni distancimin fizik”. Burimi kryesor i udhëzimeve ishte qeveria (në 79% të rasteve), kurse roli i ofruesve të kujdesit shëndetësor dhe Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar ka qenë i vogël në këtë drejtim (16% dhe 14%, përkatësisht).
Rreth 8 në 10 PAK sugjeruan se thjesht “dhënia e informacioneve dhe udhëzimeve më të qarta për PAK” do të ndihmonte në menaxhimin më të mirë të gjendjes së tyre gjatë pandemisë.
Më shumë se 7 në 10 PAK mendojnë se përgjigja e qeverisë për trajtimin e pandemisë për ta ka qenë krejtësisht joefektive ose jo efektive, më përqindje më të larta të këtij indikatori midis PAK >50 vjeç, meshkujve, PAK që jetojnë në zonat rurale, Durrës, Tiranë dhe Elbasan, dhe ata me 4 lloje aftësish të kufizuara.
Rreth gjysma e PAK sugjeruan se mbështetja financiare do ishte mbështetja e duhur për ta gjatë pandemisë, pasuar nga sigurimi i ushqimeve, mbështetja shëndetësore dhe sigurimi i ilaçeve.
Gjatë pandemisë u rrit në mënyrë të konsiderueshme përqindja e PAK që mendojnë se aftësitë e tyre vetjake janë aspak ose jo efektive për të menaxhuar veten e tyre, krahasuar me periudhën para pandemisë. Kjo nënkupton një ulje të theksuar të besimit të PAK në aftësitë e tyre.
Pandemia ndikoi në uljen e aktivitetit fizik për dy të tretat e PAK dhe shtimin e peshës trupore në një të katërtën e tyre.
Vetëm 3.9% e PAK u testuan për COVID-19 dhe vetëm 2 individë, ose 14.3% e atyre që u testuan, rezultuan pozitivë, duke reflektuar ndoshta respektimin e përshtatshëm të masave dhe udhëzimeve për distancimin fizik dhe qëndrimin të izoluar në shtëpitë e tyre.
Nga Shoqata Together for Life, me mbështjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, i titulluar ‘Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuar’ /2020.
No comments:
Post a Comment