Monday, September 20, 2021

Eurostat: 13.5% e shqiptarëve nuk plotësojnë nevojat për ekzaminim mjekësor pasi janë të shtrenjta, më e larta në Europë

13.5% e shqiptarëve vetë-deklaruan në vitin 2019 se ata nuk kanë mundësi që të plotësojnë nevojat për ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta. Shifrat janë publikuar në sistemin e të dhënave të Eurostat. Pesha është rritur në krahasim me 2017-n, viti i parë që ka raportuan Eurostat për Shqipërinë, kur ky tregues ishte 12.5%. Përqindja më e lartë është në Veri, me 21.3%.

Më pas renditet Jugu i vendit me 11.6% dhe më të ulëtën e ka Qendra, me 9.3%.
Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit dhe Europës, përqindja e personave që vetë-deklarojnë se nuk kanë mundësi të kryejnë ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta, është shumë më e lartë. Pas nesh renditet Kosova, me 8.45 (për vitin 2018), Serbia e ka këtë tregues 2.6%, Turqia 2.4%, Maqedonia e Veriut 1.6%, Mali i Zi 0.1% (për vitin 2018). Të lartë e ka këtë tregues edhe Greqia, në 7.5%, ndërsa për vendet e tjera të Europës nuk shkon më shumë se 4%. P.sh. në Itali, përqindja e personave në pamundësi për t’u ekzaminuar është 1.3%, ndërsa në Spanjë, Maltë, Suedi, Slloveni është zero.

Të tjerë tregues të Bankës Botërore, me të dhëna më të hershme, nxjerrin në pah se Shqipëria ka performancën më të keqe, pasi banorët shpenzojnë nga xhepi për shërbime shëndetësore më shumë se të gjithë (të dhënat e 2014), ndërsa shteti ka shpenzimet më të ulëta për frymë për sistemin e shëndetësisë.

Shpenzimet e drejtpërdrejta nga xhepi arrijnë 50% për shqiptarët, më të lartat në rajon dhe në krahasim me mesataren europiane, ndërsa shpenzimet publike për frymë për shëndetësinë ishin 304 dollarë, më të ulëtat në rajon dhe shumë poshtë mesatares së vendeve të BE-së.

Shqipëria renditet edhe në vendin që kishte më pak mjekë për 10 mijë banorë në Europë, edhe në vitin 2019, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të përditësuara në shkurt 2021, me treguesi që është 16.5. Ndonëse me rritje, në krahasim me vitin 2016, kur ky tregues ishte 12.2, sërish Shqipëria ka më pak mjekë në dispozicion të popullatës së saj, të paktën dy herë më pak se mesatarja e Europës prej 47.6 mjekësh për 10 mijë banorë.

Këta faktorë ndikuan negativisht gjatë periudhës së pandemisë. Deri në fund të marsit 2021, Shqipëria renditej në vendin që kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë. Duke përfshirë dhe tremujorin e parë të vitit 2021, vdekjet për 54 javë pandemi (për periudhën nga 2 marsi 2020 deri në 15 mars 2021) u rritën me 41%, ndërsa shteti i dytë pas nesh me rritjen më të lartë është Çekia, me 25% e ndjekur nga Sllovakia me 24%.

Eurostat: Pandemia nxori në pah pabarazitë

Për shtetet e Bashkimit Europian, ky treguesi i pamundësisë për mos marrjen e ekzaminimeve shëndetësore është matur edhe për vitin 2020. Sipas Eurostat, pandemia e COVID-19 ka nxjerrë në pah pabarazitë sistemike si midis Shteteve Anëtare të BE-së ashtu edhe brenda tyre. Ndërsa disa njerëz patën fatin të vazhdonin të punonin me kohë të plotë nga shtëpia (dhe në disa raste madje ishin në gjendje të kursenin më shumë nga të ardhurat e tyre se zakonisht), punonjësit e vijës së parë dhe kryesore u përballën me rreziqe të mëdha shëndetësore.

Shumë njerëz në punësim të pasigurt ose që punojnë në sektorë/biznese të ndikuar nga bllokimet e njëpasnjëshme u përballën me të ardhura të reduktuara, punë me kohë të shkurtër (skema pushimi/pushim të përkohshëm/papunësi teknike) dhe papunësi. Sipas Eurostat, ndikimi asimetrik i pandemisë në shumë raste ka përkeqësuar pabarazitë ekzistuese: disa grupe në shoqëri janë prekur shumë më ashpër se të tjerët, për shembull, të moshuarit, të rinjtë, prindërit e fëmijëve të vegjël (veçanërisht prindërit e vetëm), ata që marrin rroga të ulëta, gra, emigrantë ose persona me aftësi të kufizuara./Monitor /

No comments:

Post a Comment