Numri i veprave penale të kryera nga persona me probleme të shëndetit mendor po shkojnë drejt një rritje të frikshme, si pasojë e neglizhencës dhe keqmenaxhimit të shumë hallkave institucione.
Fiks Fare, gjatë një investigimi ka arritur të evidentojë dy raste të neglizhuara nga institucionet përkatëse. Rasti i parë, ka të bëjë me vijimësinë e një denoncimi mediatik me 20 Gusht 2021, ku një vajzë teksa kthehej nga puna pak minuta pas mesnate, u godit nga një i panjohur pa indicie. Pas denoncimit të vajzës së dhunuar dhe hulumtimeve të uniformave të policisë nga Komisariati nr 3, u bë i mundur identifikimi i agresorit. Ky i fundit rezultoi të ishte D. T, 29 vjeç i diagnostikuar prej kohësh me probleme të shëndetit mendor.
Nga kërkimet e gazetarëve të “Fiks Fare”, D. T u gjet në gjendje të lirë teksa ngjitej në shtëpinë e tij i maskuar me një kapele të zezë. Pas një kërkese për informacion në Komisariatin nr 3 Tiranë na u tha se ky shtetas është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje me dashje” dhe se ka rezultuar me probleme të shëndetit mendor, për të cilën ka paraqitur dokument spitalor. Në vijim të hetimeve D. T është shoqëruar për Spitalin Psikiatrik nr 5 për ndihmë mjekësore, pas egzaminimeve spitali ka vendosur mjekim të detyruar ambulator në kushte shtëpie dhe se ky shtetas mbahet nën kontroll të përditshëm për të parandaluar një tjetër ngjarje.
Rasti i dytë u evidentua në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku një e moshuar shfaqte shenja agresiviteti kundrejt fqinjëve dhe personave që kalojnë nën pallatin e saj duke hedhur nga kati i 6-të i banimit sende të forta. Fatmirësisht pa dëmtuar njerëz por bizneset nën pallat dhe ndonjëherë dhe makinat e parkuara anës rrugës, po. Në një bisedë me administratorin e këtij kompleksi , tha se janë bërë denoncime në emër të saj, por që nuk merren masa pasi ka probleme të shëndetit mendor. “Policia ka ardhur disa herë dhe nuk kanë mundur të bëjnë gjë, sepse ajo është e kartelizuar” shprehet administratori.
Në lidhje me trajtimin e këtyre dy rasteve dhe shumë të tjerave të ngjashme në një intervistë për Fiksin mjekja psikiatrie Irena Thoma, tha se këta persona duhet të trajtohen me mjekim të detyruar ambulator, dhe në rast se këta persona kryejnë një vepër penale, duhet të trajtohen në spital të izoluar deri në momentin e përmirësimit të gjendjes së tyre. Shqipëria, ende mbetet i vetmi vend në Europë pa një spital-burg për të sëmurët mendor. Të dhunshëm dhe të rrezikshëm për jetët e qytetarëve, ata lihen të lirë të enden rrugëve./Top Channel
No comments:
Post a Comment