Qendra britanike Kundër Urrejtjes Dixhitale (CCDH) tha sot se Facebook ka publikuar rreth 18 milionë herë një reklamë për “anulim të abortit” që prej janarit 2020, duke promovuar një procedurë “të paprovuar, joetike” dhe “të rrezikshme”.
Ndërsa rrjeti Google e ka shfaqur reklamën në katër të pestat e kërkimeve në rrjet të lidhura me abortin në SHBA. Kërkimet e CCDH thonë se reklamat shfaqeshin për kërkime nga përdoruesit e rrjetit me termat “shtatëzani e padëshiruar” dhe “tabletë aborti”.
Këto reklama promovonin përdorimin e pasigurtë të dozave të larta të hormonit proxhesteron, me qëllim anullimin e efektit te mifepriston-it, që është një nga dy mjekimet kryesore të përdorura në abortin mjekësor.
Por sipas një studimi në revistën ‘New England Journal of Medicine’, ka mungesë provash mjekësore për sigurinë e këtij trajtimi, i cili mund të sjellë hemoragji të rrezikshme. Imran Ahmed, drejtor ekzekutiv i CCDH, tha: “Është e neveritshme që grupet që kërkojnë të minojnë të drejtat themelore të riprodhimit, të jenë të aftë të përhapin dezinformacion për gra dhe vajza të dobëta. Çka është më keq, Facebook e Google fitojnë para me këtë propagandë”.
“Ekspertët në të kaluarën i kanë quajtur tabletat e ashtuquajtura ‘të anulimit të abortit’ potencialisht vrasëse, dhe pasojë e dezinformimit mjekësor. Prandaj ato nuk jepen në televizion, gazeta apo faqe me reputacion”. “Facebook e Google duhet të ndalojnë këto reklama dhe të përjashtojnë grupet e përfshira në krijimin e tyre, si dhe të bëjnë donacion paratë e njollosura që kanë marrë, te grupet që mbrojnë të drejtat themelore të riprodhimit”.
Vetë Google ka rregulla që ndalon reklamuesit të shpërndajnë “informacion të dyshueshëm për produktet e tyre apo produkte të paaprovuara, duke sugjeruar se janë të sigurta apo efektive”. Ndërsa Facebook ndalon shpërndarjen e reklamave për 13 deri në 17-vjeçarët, edhe pse reklama të tilla ishin shpërndarë për gra nën 44 vjeç dhe te të mitur nën 18 vjeç në SHBA. Një zëdhënës i Facebook tha për çështjen: “Ne kemi hequr reklamat e identifikuara në raportim, shumica e të cilave ishin inaktive apo disa vite të vjetra, për shkelje të politikave të ofertës së produkteve dhe shërbimeve”.
No comments:
Post a Comment