Ndotja e ajrit është edhe më e rrezikshme nga sa mendohej më parë, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Rreth shtatë milionë njerëz vdesin çdo vit para kohe nga sëmundjet që lidhen me ndotjen e ajrit, thotë OBSH. Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme vuajnë më shumë, për shkak të mbështetjes në karburantet fosile për zhvillimin ekonomik. OBSH e vendos ndotjen e ajrit në një nivel me pirjen e duhanit dhe ushqimin e pashëndetshëm. Ajo po u kërkon 194 shteteve anëtare të saj që të ulin emetimet ndotëse dhe të ndërmarrin veprime mbi ndryshimet klimatike, përpara samitit COP26 në nëntor.
Ndryshimet në udhëzime nënkuptojnë se kufijtë ligjorë të Mbretërisë së Bashkuar për ndotësit më të dëmshëm tani janë katër herë më të larta se nivelet maksimale të rekomanduara nga OBSH. Problemi është se lloji më i rëndë i ndotjes – grimcat e vogla të cilat mund të thithen në mushkëri – është tepër i vështirë për t’u ndalur.
Ndotja vjen nga shkarkimet e automjeteve dhe ngrohja qendrore e gazit. Por grimcat e dëmshme lëshohen gjithashtu në ajër në mënyra të tjera – ose formohen në ajër në reaksion me kimikate të tjera. Këto grimca prodhohen edhe nga ngjyrues, lëngje pastrimi dhe tretës, po ashtu nga djegia e karburanteve për prodhimin e energjisë, ngrohjen shtëpiake dhe motorët e automjeteve. Udhëzimet e reja nga OBSH, të publikuara të mërkurën, e përgjysmojnë maksimumin e rekomanduar për ekspozimin ndaj grimcave të vogla, të quajtura PM2.5.
“Pothuajse 80% e vdekjeve të lidhura me PM2.5 mund të shmangen në botë nëse nivelet aktuale të ndotjes së ajrit zvogëlohen në ato që janë propozuar në udhëzimin e përditësuar,” tha OBSH. Ndotës të tjerë përfshijnë ozonin, dioksidin e azotit, dioksidin e squfurit dhe monoksidin e karbonit. Ndotja e ajrit është e lidhur me sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru. Tek fëmijët, ajo mund të zvogëlojë rritjen e mushkërive.
“Përmirësimi i cilësisë së ajrit mund të ndihmojë përpjekjet për zbutjen e ndryshimeve klimatike, ndërsa zvogëlimi i emetimeve nga ana tjetër do të përmirësojë cilësinë e ajrit,” thotë OBSH./ BBC
No comments:
Post a Comment