Të paktën 15 ankesa janë paraqitur nga operatorë të ndryshëm për procedura të ndryshme prokurimi për Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Ankesat lidhen me procedura që kanë në objekt të tyre nga pajisjet e frymëmarrjes tek Ekokardiography, shtretër e pajisje të provës kardiake. KPP duket se ka vendosur që të pezullojë të paktën 8 procedura ndërkohë që disa të tjera vijojnë normalisht. Pezullimi është bërë në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.
Në një vështrim të shpejtë të ankesave të bëra nga operatorët bie në sy problematika që këta të fundit kanë me specifikimet teknike të vendosura nga ana e QSUT për secilin nga procedurat respektive. Kështu lidhur me shtretërit duket se operatorët e cilësojnë të panevojshëm përfshirjen e kriterit të peshës mbajtëse të shtretërve që cilësohet specifikisht në intervalin 230-250 kur sipas kompanive prodhimi më i gjerë ka një peshë deri në 200 kg dhe korrigjimi i këtij specifikimi do të përfshinte më shumë kompani në garë.
Një tjetër operator ndalet tek ekoja kardio-vaskulare apo ajo radiologjike me sondë abdominale konvekse dhe lineare dhe disa specifikime të kërkuara për to. Sipas operatorit përderisa po prokurohet një pajisje radiologjike standarde futja e disa specifikimeve të veçanta ngushton pjesëmarrjen.
Në rastin konkret tek specifikimet e ekos është kërkuar fushëpamje 100 gradë apo më shumë. Ndërkohë që nga kompanitë ndërkombëtare është vetëm një që ofron 111 gradë por ky nivel nuk është i zakonshëm për një eko standarde e cila duhet të luhatet mes 50-60 sipas operatorit ankimues. Sa i takon pajisjeve të frymëmarrjes edhe në këtë rast operatorët janë ankimuar për specifikime teknike që i përjashtojnë nga gara. Për shembull lidhur me këtë të fundit një specifikim është ekrani i ventilatorit i cili duhet të jetë me prekje me ngjyra dhe jo më pak se 15 polsh.
“Konkretisht ky specifikim kufizon garën duke përjashtuar disa prodhues lider në prodhimin e ventilatorëve por që kanë ekranin 12 polsh” thuhet në ankesën e një prej operatorëve. / Monitor N.Maho /
No comments:
Post a Comment