Në një dokument të lëshuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe e Barnave thuhet se doza e tretë e vaksinës “Pfizer” ndaj COVID-19 e rrit imunitetin kundër virusit, por shtohet se gjithsesi regjimi aktual me dy doza siguron mbrojtje të mjaftueshme kundër rasteve të rënda të sëmundjes.
FDA-ja po shqyrton kërkesën e kompanisë “Pfizer” për të ofruar një dozë të tretë të vaksinës së saj, shkruan “Zëri Amerikës”, për të cilën prodhuesi i ilaçeve thotë se është e nevojshme në kushtet kur efektiviteti i vaksinës zbehet pas gjashtë deri në tetë muaj pas marrjes së dozës së dytë.
“Pfizer”-i i paraqiti FDA-së një studim paraprak, i cili sugjeronte se një dozë e tretë e vaksinës e dhënë te më shumë se 300 persona kishte rritur nivelin e imunitetit tre deri në pesë herë më shumë krahasuar me atë çka ofrojnë dozat e mëparshme. Në studimin e “Pfizer”-it përmendej gjithashtu dhe një studim i Izraelit, botuar të mërkurën në një revistë mjekësore (“New England Journal of Medicine”), sipas së cilit nivelet e infeksionit ishin 11 herë më të ulëta te personat e moshës 60 vjeç e lart, të cilët kishin marrë dozën e tretë të vaksinës. Në studim kishin marrë pjesë rreth 1 milion persona.
“Pfizer” ka aplikuar për marrjen e autorizimit për të ofruar dozën e tretë, ndërsa varianti “Delta” shumë ngjitës i COVID19-s ka shkaktuar një rritje të re e dramatike të infeksioneve, shtrimeve në spital si dhe vdekjeve në të gjithë botën. Por FDA-ja thotë se studimet e fundit “tregojnë se vaksinat e autorizuara aktualisht në Shtetet e Bashkuara ofrojnë ende mbrojtje kundër rasteve të rënda me COVID-19 si dhe vdekjeve”. Sot pritet mbledhja e komisionit këshillues mbi çështjen e vaksinave për të diskutuar nëse FDA-ja duhet të miratojë kërkesën e “Pfizer”.
Rekomandimi i komisionit nuk është detyrues, çka do të thotë se agjencia mund të miratojë dozën e tretë të “Pfizer” edhe nëse komisioni nuk e rekomandon një gjë të tillë.
Muajin e kaluar, FDA-ja dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomanduan një dozë të tretë të vaksinës së “Pfizer”-it si dhe “Moderna”-s për personat me sistem imunitar të dobët.
Takimi i FDA-së zhvillohet vetëm disa ditë pas një shkrimi të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet” nga një grup ndërkombëtar ekspertësh të vaksinave, i cili e kundërshtonte ofrimit e dozave përforcuese të vaksinave ekzistuese për popullatën. Ekspertët thonë se studimet e fundit tregojnë se vaksinat në përdorim në të gjithë botën vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje të fortë kundër virusit, përfshirë variantin “Delta”, veçanërisht kundër rasteve të rënda të sëmundjes dhe shtrimeve në spital.
No comments:
Post a Comment