Akademia e Shkencave ka publikuar dje një studim nga i cili del se popullsia e Tiranës urbane ka arritur në rreth 75% të saj imunitetin ndaj COVID-19. Mjeku Ilir Alimehmeti, i intervistuar për A2, saktëson shifrën dhe kontekstin e tij.
“Bëhet fjalë në të vërtetë për 73%, për moshat 20-70 vjeç, që është krahasuar edhe me zonën urbane të Beratit, me kontekste shumë të ndryshme njëra prej tjetrës, por ja që të dhënat ishin shumë të përafërta, diçka që na bën të mendojmë se situata mund të jetë e tillë edhe në qytete të tjera. Por duhet thënë se kemi të bëjmë me të dhëna të marra në korrik, para vaksinimeve, dhe kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë”, sqaron ai. Një kontrast me Kosovën. “Në Kosovë kjo shifër është 38.8% dhe diferencat në shtrimet spitalore është e qartë”.
Bilanci në Shqipëri ditët e fundit sheh një zbritje të rasteve, dhe Alimehmeti thotë që edhe se duhet parë trendi dyjavor, “sot për herë të parë gjatë valës Delta pamë një minus në rastet aktive. Vala e Deltës është ngritur ngadalë dhe do të zbresë ngadalë. Por në 2021 nuk duhet të shohim më rastet e reja, por rastet e rënda”.
Mundësia e një imuniteti natyror domethënës nuk përjashton sipas tij “xhepat e personave të pavaksinuar dhe që nuk e kanë kaluar sëmundjen, që padyshim duhen vaksinuar, sepse çdo vaksinim eviton format e rënda. “Duhet të kapet një përqindje sa më e lartë që të fillojë ta zhdukim këtë problem sa më shpejt, dhe shenja e parë është fakti që Delta nuk na ka goditur aq fort sa vendet e tjera të rajonit”, vijon mjeku.
Bota shkencore dhe ajo politike duket sikur kanë opinione totalisht të ndryshme mbi efektivitetin e imunizimit natyror. “Shkenca ka për detyrë të prodhojë evidenca. Për imunitetin natyror ka divergjenca midis botës shkencore edhe asaj politike, por kur të dimë më shumë edhe politika do të kthehet te natyra. Imuniteti natyror mban aty ku dimë që personat e kanë kaluar virusin, që nuk janë mosha të mëdha, aty nuk kemi dyshim që vaksina nuk është e domosdoshme, sepse nuk dimë për ndonjë virus që pasi është kaluar në mënyrë natyrore të kesh sërish nevojë për vaksinë. Por nga ana tjetër nuk kemi parë risk të shtuar te personat që e kanë kaluar dhe janë vaksinuar, duhet thënë edhe kjo. Por padyshim është imuniteti natyral që do të përfaqësojë gurin e themelit që do të mbyllë çështjen e pandemisë”.
No comments:
Post a Comment