Thursday, July 30, 2020

Fitimet tek privati, qytetarët të lajnë duart

Nga Klodian Tomorri

Në kulmin e pandemisë, Ministria e Shëndetësisë mbyll laboratorin publik në QSUT dhe pushon nga puna të gjithë laborantët e trajnuar për analizat e Covidit. Laboratori do t’i kalojë koncesionarit privat, kurse punonjësit e trajnuar do të pushohen nga puna.

Nuk besoj se ka qeveri më të guximshme në planet, që privatizon sigurinë kombëtare në kohë krize dhe aq me keq e vë atë në funksion të fitimeve private. Gjithë bota bën të kundërtën. Në të gjitha vendet e zhvilluara ka ligje, të cilat në raste krizash i lejojnë shtetit te cënoje edhe pronen private në funksion të sigurisë publike.

Qeveria italiane ajo franceze dhe shume vende të tjera shtetëzuan prodhimin e maskave menjëherë sapo shpërtheu kriza. Ishin biznese private, pa licenca ekskluzive dhe pa të drejta sovrane. Por prapë i shtetëzuan. Qeveria shqiptare privatizon një shërbim historikisht publik dhe totalisht kritik për përballimin e pandemisë. Dhe jo vetëm qe e privatizon, por e zhbën, pasi koncesionari nuk e ofron shërbimin e testimit gjithë popullatës për Covid.

Koncesionet korruptive do vrasin njerëz në këtë vend. Nuk është çështja vetëm se do përvetësojnë shuma të mëdha parash publike, por do te shkaktojnë edhe viktima. Ndodhi ne Itali me urën e Genoas. Benettoni atje realizonte fitime marramendëse vit për vit dhe ne fund babëzia vrau 43 njerëz.

Shqipëria nuk teston. Koncesionet nuk i vë në funksion të pandemisë për të rritur testimet. Tani çmonton dhe ato pak struktura publike që kanë mbetur dhe që mund të shërbenin për të zgjeruar kapacitetet e testimit.

Kjo është strategjia kundër pandemisë. Fitimet tek privati. Kurse qytetarët të lajnë duart.

No comments:

Post a Comment