Një studim i ri i botuar në ‘Blood Advances’ këtë javë sugjeron që individët me gjak të Grupit O mund të kenë më pak të ngjarë të infektohen me COVID-19, apo të shfaqin shenja të rënda të sëmundjes nëse infektohen. Për të arritur në këtë konkluzion studiuesit përdorën të dhënat e regjistrit shëndetësor nga Danimarka, ku u analizua grupi i gjakut i 473,000 personave të identifikuar pozitivë me COVID-19, krahasuar me grupin e gjakut të popullatës së përgjithshme prej 2.2 milion njerëzish.
Rezultatet e studimit sugjerojnë se personat me gjak të Grupit A, B ose AB mund të jenë më të rrezikuar nga infektimi dhe, po ashtu, mund të sëmuren më rëndë nga COVID-19 dhe të kenë nevojë për ventilim mekanik. Rezultatet nënkuptojnë se individët me gjak të Grupit O mund të kenë një farë mbrojtjeje ndaj infektimit me COVID-19 dhe ndaj pasojave të mundshme të sëmundjes që shkakton virusi, përfshirë dëmtimin e organeve.
“Pjesa unike e studimit tonë është përqendrimi në efektin e ashpërsisë së COVID-19 bazuar në grupin e gjakut. Në këtë studim ne vëzhguam efektin e grupit të gjakut në dëmtimin e mushkërive dhe veshkave dhe në studimet e ardhshme dëshirojmë të vëzhgojmë efektin në organet e tjera jetësore ”, shprehet një nga autorët e studimit, Dr. Mypinder S. Sekhon, nga Universiteti i Columbia Britanike për ‘Science Daily’. “Ndërsa vazhdojmë të përshkojmë pandeminë, kemi një numër të madh të mbijetuarish që po dalin nga pjesa akute e COVID-19, dhe na duhet të eksplorojmë mekanizmat me të cilët rrezikojmë të vuajmë nga efekte afatgjata”.
Ky nuk është studimi i vetëm që sugjeron që grupi i gjakut mund të jetë një tregues i asaj se si do ta kalojnë individët infektimin me COVID-19 – dhe sa gjasa ka që ata të infektohen. Një studim i ‘New England Journal of Medicine’ në qershor të këtij viti arriti në përfundimin se personat me gjak të Grupit O janë më pak të rrezikuar nga infektimi me COVID-19, ndërsa personat e Grupit A janë më të rrezikuarit. Autorët përmendin edhe një studim të vitit 2005 të ‘Journal of the American Medical Association’, i cili tregoi një lidhje të ngjashme midis gjakut të Grupit O dhe virusit origjinal SARS.
Dr. Amesh Adalja, një studiues i vjetër në Universitetin Johns Hopkins Center për Sigurinë Shëndetësore, thotë se grupi i gjakut është identifikuar si faktor edhe në sëmundje të tjera. “Në të kaluarën ne kemi parë, për shembull, se grupi i gjakut ndikon në ndjeshmërinë ndaj norovirusit”, thotë ai. “Me COVID-19 duket se ka disa provave që tregojnë se grupi i gjakut luan njëfarë roli. Edhe pse mekanizmi nuk është zbërthyer ende plotësisht, por duket se sinjali është i vërtetë. ”
Ndërkohë që është shumë shpejt për të ditur me saktësi se cilët janë faktorët mbrojtës që veprojnë tek personat me grupin e gjakut O, Adalja thotë se kjo mund të ketë lidhje me përgjigjen imune. “Lloji i gjakut është i lidhur ngushtë me funksionin e sistemit imunitar”, thotë Adalja. “Kjo është saktësisht arsyeja pse ju mund të merrni gjak vetëm nga dikush që ka të njëjtin grup gjaku me ju, sepse ka të njëjtët antitrupa.
Studiuesit mendojnë se ky studim është i dobishëm për shkencën, por nuk duhet të merret si një arsye për të modifikuar sjelljen.
“Personat me grup gjaku 0 nuk janë prej hekuri”, shton Adalja. “Kjo nuk do të thotë që nëse keni gjak Tipi O ju mund të jetoni sikur nuk ka një pandemi … Kjo thjesht do të thotë se kjo mund të jetë diçka që na ndihmon të shpjegojmë pse disa njerëz kanë sëmundje të rëndë dhe të tjerët jo.”
No comments:
Post a Comment