Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka publikuar në rrjetet sociale një shkrim të gjatë, ku shpjegon se sa janë shanset që një person që e ka kaluar Covid-19, të riinfektohet. Alimehmeti ka shpjeguar imunitetin e antitrupave dhe ka sjellë në vëmendje një studim të fundit, të publikuar në prestiogjiozen mBio që hulumtoi pikërisht prodhimin e limfociteve B të kujtesës pas infektimit nga SARS-CoV-2.
Shkrimi i plotë i epidemiologut:
Shumë vetë janë të shqetësuar nga rastet e riinfektimeve me COVID-19, sepse këto pak raste janë pasqyruar edhe mediatikisht, duke hiperbolizuar kështu dimensionin e tyre të vërtetë. Për kronikë, deri më sot janë të dokumentuar me riinfektim të sigurt 6 persona dhe të dyshuar 4 persona në të gjithë globin, ndërkohë që rastet me COVID-19 janë aktualisht 40 milionë. Pra gjasat e reinfektimit janë deri më sot 1 ndër 4 milionë! Unë do të thoja të ulëta, si mendoni ju? Megjithatë, sa herë ka dyshime, sytë hidhen nga studimet shkencore!
Sa zgjat imuniteti i antitrupave?
Studimi i fundit, publikuar më 25 shtator 2020 në prestiogjiozen mBio (organ i Shoqatës Amerikane të Mikrobiologjisë), hulumtoi pikërisht prodhimin e limfociteve B të kujtesës pas infektimit nga SARS-CoV-2. Ky studim është kryer nga Universiteti i Rochester (SHBA) dhe është financuar pjesërisht nga National Institute of Allergy and Infectious Diseases (SHBA), institut i cili kryesohet nga Prof. Anthony Fauci. Lajmi i parë i mirë është se ky punim është studimi i parë shkencor që tregon se SARS-CoV-2 indukton formimin e limfociteve B të kujtesës.
Për shpjegim:
Limfocitet B të kujtesës janë qeliza imunitare me jetë të gjatë që zbulojnë viruset, krijojnë antitrupa për t’i shkatërruar ato dhe i “mbajnë mend” për të ardhmen. Pra, herën e dytë që ky virus mundohet të hyjë në trup, limfocitet B të kujtesës futen menjëherë në veprim në kohë shumë më të shpejtë për të zhdukur infeksionin përpara se ai të fillojë sëmundjen. Duke qenë se limfocitet B të kujtesës mund të mbijetojnë dekada, ato mund t’i mbrojnë personat që e kanë kaluar COVID-19 nga infeksionet e ardhshme për një kohë shumë të gjatë (ndoshta të gjithë jetën), por nevojitet më shumë kërkim shkencor në këtë drejtim.
Lajmi i dytë i mirë është se ky punim është gjithashtu studimi i parë që raporton kryq-reagimin e limfociteve B të kujtesës.
Për shpjegim:
Limfocitet B të kujtesës, që janë formuar vite më parë kundër koronaviruseve të tjera të gripit të zakonshëm, duket se njohin dhe reagojnë edhe kundër SARS-CoV-2. Autorët e studimit (ekspertë të sëmundjeve infektive në Universitetin e Rochester – SHBA) mendojnë se ata që janë infektuar më parë nga një koronavirus i zakonshëm (që pak a shumë do të thotë “të gjithë”) mund të kenë njëfarë niveli imuniteti para-ekzistues kundër COVID-19. Udhëheqësi i studimit, Prof. Dr. Mark Sangster, Profesor Kërkimor i Mikrobiologjisë dhe Imunologjisë, është shprehur se: “Kur kontrolluam gjakun e personave të shëruar nga COVID-19, pamë se shumë prej tyre kishin një koktail limfocitesh B të kujtesës para-ekzistuese, të cilat mund ta njihnin SARS-CoV-2 dhe të prodhonin me shpejtësi antitrupat që e sulmonin atë.”
Kampionët e gjakut të përdorur në studim për krahasim ishin marrë 6 deri në 10 vite më parë, shumë më parë se sa të kishin mundësinë të infektoheshin me COVID-19. Gjithashtu u përdorën edhe kampionë gjaku nga persona që po shëroheshin nga forma të lehta ose të moderuara me COVID-19. Nga këto kampionë gjaku, autorët matën nivelet e limfociteve B të kujtesës dhe antitrupat që sulmonin pjesë karakteristike të proteinës “Spike” ose S, të cilat ekzistojnë në të gjitha koronaviruset dhe janë thelbësore për të bllokuar hyrjen e viruseve në qeliza.
Shpjegim:
Proteina S ka pamje të ndryshme dhe sillet paksa ndryshe në çdo betakoronavirus, por një prej përbërësve të saj (“nënnjësia S2”) mbetet pak a shumë njësoj në të gjitha koronaviruset.
Limfocitet B të kujtesës nuk i dallojnë dot nënnjësitë S2 të betakoronaviruseve të ndryshme dhe, si rrjedhojë, i sulmojnë të gjitha, përfshirë edhe SARS-CoV-2.
Cili është hapi i ardhshëm i studimit?
Prof. Dr. David Topham, tjetër bashkëautor i studimit, deklaron se: “Tani duhet të zbulojmë se si korrelon ky koktail limfocitesh B të kujtesës para-ekzistuese me format më të lehta dhe me ecuritë më të shpejta të sëmundjes, ose nëse ndihmojnë në përmirësimin e efektivitetit të vaksinave kundër COVID-19.”
Studimet ecin përpara miqtë e mi! Ndërkohë ne ruajmë veten dhe të tjerët!
“Ai që konsumohet nga shqetësimi, është po i njëjti që ka edhe imunitetin natyror të reduktuar.”Cit.: Sunday…
Posted by Ilir Alimehmeti on Sunday, October 18, 2020
No comments:
Post a Comment