Wednesday, October 21, 2020

Politika Miqësore për Familjet, UNFPA mbledh të gjithë aktorët

Një Projekt rajonal për të Ndryshuar jetën në Familje në partneritet me Sektorin Privat  dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi, vjen edhe në Shqipëri

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në Shqipëri prezantoi fillimin e projektit “Më shumë Zgjedhje: Politikat Familjare të Përgjegjshme Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”. Përfaqësuesit e sektorit publik dhe privat diskutuan mënyrat për ndërmarrjet dhe kompanitë e biznesit për të promovuar politikat familjare që sigurojnë ekuilibrin midis jetës dhe punës. Oraret fleksibël të punës, programet shëndetësore për punonjësit, vendet e përcaktuara për ushqyerjen me gji dhe dhomat e pushimit për fëmijët në mjediset e ndërmarrjes janë vetëm disa nga praktikat miqësore për familjet në vendin e punës. UNFPA në Shqipëri, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), do të mbështesë dhe krijojë kapacitete në disa kompani të sektorit privat, që kanë pranuar të jenë pjesë e projektit dhe që duan të bashkëpunojnë, për të zbatuar më shumë politika miqësore për familjet në vendin e punës.

Politikat miqësore ndaj familjes të miratuara nga qeveritë dhe komuniteti i biznesit në disa vende kanë çuar në një rritje të numrit të grave të punësuara, pjesëmarrje më aktive të burrave në punët dhe kujdesin në shtëpi dhe përfitime të tjera për familjen dhe shoqërinë.

Në fjalën e tij përshëndetëse Sh. T. Dr. Christian Steiner, Ambasador i Austrisë në Shqipëri theksoi: “Është thelbësore që qeveritë të hartojnë politika që trajtojnë  pabarazitë gjinore, duke krijuar kushtet dhe stimujt e duhur për gratë për të punuar.  Sektori privat është një partner kryesor për adresimin e sfidave ekzistuese dhe  është në interesin e vetë bizneseve të krijojnë një mjedis pune që është tërheqës  për gratë. Unë besoj se bashkëpunimi ynë me UNFPA do të kontribuojë në mënyrë  të konsiderueshme në krijimin e vendeve të punës miqësore për familjen dhe, për këtë arsye, më shumë barazi gjinore në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe tre  vendet me përparësi të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim”.

Stereotipet dhe normat diskriminuese gjinore pengojnë pjesëmarrjen aktive të grave në tregun e punës dhe në jetën shoqërore dhe i dekurajojnë burrat të përfshihen më gjerësisht në kujdesin për fëmijët. Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë përmban disa udhëzime për rregullimin e orareve fleksibël të punës apo lejen e lindjes (për nënën ose babain), vendimet përfundimtare mbeten në dorën e punëdhënësit.

Në Shqipëri, gratë shpenzojnë 7 herë më shumë kohë se burrat për kujdes dhe punë të papaguar në shtëpi.

Prioritet dhe objektiv i qeverisë shqiptare është integrimi i më shumë grave në tregun e punës. Shqipëria, ashtu si edhe shumë vende në Ballkanin Perëndimor, ka një tendecë të përfshirjes më të ulët të grave krahasuar me burrat në tregun e punës, megjithatë, duhet theksuar se  Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të statusit të gruas dhe përfshirjes në tregun e punës. Disa nga faktorët që vështirësojnë përfshirjen e grave në tregun e punës janë: angazhimet familjare, distanca e largët me vendin e punës (sidomos për gratë që jetojnë në zonat periferike apo rurale), pamundësia për të pasur shërbim kujdesi për fëmijët. Ndaj në rishikimet e fundit të Ligjit për Nxitjen e Punësimit dhe Programet e reja të Tregut të Punës, një pikë e rëndësishme ka qenë ofrimi i shërbimeve për kujdesin e fëmijëve (ndjekjen e kopshteve dhe çerdheve për fëmijët në ngarkim) dhe sigurimi i transportit për në vendin e punës“, u shpreh Znj. Dajna Sorensen, Zv. Ministre e Financave dhe Eknomisë, një institucion partner kyç në projekt.

UNFPA po shkëmben mendime me një grup kompanish të sektorit privat që tashmë zbatojnë praktika miqësore për familjen apo që janë të interesuar të bëhen pjesë e bashkëpunimit nën këtë projekt. Brenda kornizës së projektit, kompanitë do të përfitojnë nga udhëzimet dhe trajnimet në zgjerimin e politikave dhe praktikave miqësore ndaj familjes në vendin e punës.

Ndaj Zj. Nigina Abaszade, në prezantimin e saj të këtij projekti në Shqipëri, si pjesë e një programi rajonal, vuri në dukje se “Të gjitha përpjekjet nga ana jonë do të përqendrohen në prezantimin e politikave familjare që do të jepnin më shumë zgjedhje për të kombinuar punën dhe përgjegjësitë familjare si për gratë, ashtu edhe për burrat. Ato duhet të parandalojnë pasoja të tilla si dëmtimi i karrierës së grave dhe duhet të projektohen në mënyrë të tillë që të inkurajojnë në mënyrë aktive baballarët të bëhen pjesë e rritjes së fëmijëve dhe ndarjes së punëve dhe kujdesit në familje”.

 

 

No comments:

Post a Comment