Bisedoi: Desara Çela
COVID-19 nuk prek vetëm të rriturit por edhe fëmijët. Në vendin tonë rezultojnë 75 fëmijë të prekur me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, me një humbje jete. Një fëmijë 16 muajsh ndërroi jetë në muajin nëntor. Në vendin tonë aktualisht të shtruar në pavionin e COVID-19 në Pediatrinë e Tiranës janë 5 fëmijë. Mjeku pediatër Bashkim Neza në një intervistë për gazetën “Shëndet +” tregon gjendjen shëndetësore në të cilën ato ndodhen dhe simptomat që kanë.
Doktor, a ka fëmijë shtruar në spital me COVID-19?
Po, kemi fëmijë të shtruar me COVID-19. Momentalisht janë 5 fëmijë të shtruar në pavionin infektiv tek pediatria. Janë të izoluar nga pjesa tjetër.
Kur ka qenë rasti i parë me COVID-19 dhe sa është numri në total i fëmijëve të shtruar në pediatri që nga muaji mars?
Rasti i parë ka qenë në fillim të korrikut. Nga fillimi deri më tani bëhen rreth 75 raste me fëmijë të infektuar me COVID-19.
Si është gjendja e tyre shëndetësore?
Të pestë fëmijët janë në gjendje të stabilizuar. Kryesisht fëmijët e kalojnë më lehtë se të rriturit. Janë me shenja të virozave të zakonshme, si: temperaturë , kollë , vështirësi në frymëmarrje, me raste edhe diarre. Të shtruar më tepër kanë qenë fëmijët që kanë patur dhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese ose kronike, si fëmijët me azëm, me insuficiencë renale apo me disa sëmundje të lindura dhe deficite të imunitetit.
No comments:
Post a Comment