Gratë shpenzojnë 7 herë më shumë kohë se burrat në punë të papaguar në shtëpi, duke bërë punët e shtëpisë dhe duke u kujdesur për fëmijët. Shpërndarja e pabarabartë e shërbimeve të kujdesit (51% vs 25%) dhe punëve të shtëpisë (88% vs 16%) midis grave dhe burrave i mban gratë jashtë tregut të punës dhe kufizon mundësitë e tyre për karrierë: 32% e grave të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në shkollë, as në punë për arsye të përgjegjësive familjare.
Pandemia COVID-19 nuk i ka bërë gjërat më të lehta, përkundrazi, puna nga shtëpia e ka rritur barrën e grave me shtimin e përgjegjësive për përkujdesje dhe punë shtëpie.
Një analizë e zhvilluar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullësinë (UNFPA Shqipëri) tregon se gratë po punojnë më shumë nga shtëpia dhe përfshirja e tyre në aktivitetet e përkujdesjes është më e lartë. Ndërkohë që, më shumë burra kanë humbur punën, por nuk kanë rritur përfshirjen në aktivitetet e shtëpisë.
12% e grave vs. 17% e burrave kanë humbur vendin e punës përgjatë kësaj periudhe, 51% e grave vs. 27% e burrave punojnë nga shtëpia, ndërkohë që 70% e grave vs. 50% e burrave përkujdesen për fëmijët. Puna nga shtëpia ka rritur ngarkesën e grave me shërbimet e kujdestarisë, përkujdesjes dhe punët e shtëpisë.
Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar që gratë të përjetojnë më shumë stres dhe ankth.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullësinë prezantoi sot “Analizën e Politikave të Përgjegjshme Gjinore në Shqipëri”, e cila jep një pamje të kuadrit ligjor dhe kontekstin social dhe ekonomik të këtyre politikave në Shqipëri. Kjo analizë jep disa rekomandime që do të ndihmojnë krijimin e një mjedisi mundësues dhe do të zgjerojnë mundësitë për më shumë zgjedhje nga gratë për të përmbushur aspiratat e tyre si për të ndjekur karrierën, ashtu edhe për të pasur familjen dhe numrin e fëmijëve që duan.
Kjo Analizë u prezantua sot nga UNFPA në bashkëpunim me Nën-Komisionin Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave. Partnerë strategjikë nga parlamenti, institucionet qeveritare dhe organizatat e shoqërisë civile vunë theksin në rëndësinë e përmirësimit të kuadrit ligjor në të mirë të përmirësmit të politikave familjare që sigurojnë balancën midis punës dhe familjes.
Kuadri ligjor në Shqipëri ekziston dhe parashikon disa klauzola të mira që mbështesin lejen prindërore, përfshirë lejen e lindjes për nënën dhe babain, lejen e përkujdesjes ndaj fëmijës, shpërblimin për lindjen e fëmijës, njohjen e kohës për përkujdesje dhe kushte pune fleksibël. Megjithatë, duhen hartuar e rënë dakort për më shumë parashikime ligjore në lidhje me përfitimet financiare, përkujdesjen për fëmijët dhe aksesin në kujdesin ndaj fëmijëve, të cilat do të ndihmonin shumë prindërit që punojnë dhe përpiqen midis krijimit të një jete të mirë për familjen dhe pasjes së një numri më të madh fëmijësh në një familje.
Këto rregullime ligjore dhe mbështetëse do të ndikonin shumë në rritjen e lindshmërisë në nivelin e dëshiruar dhe atë ideal, ndërkohë që ky nivel po bie shumë nën pikën e zëvendësimit 1.37 fëmijë për grua (2018), që është më e ulët se ajo në vendet Evropiane (1.55 fëmijë për grua 2018).
“Nga Konferenca Ndërkombëtare mbi Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD) në Kajro në vitin 1994 deri në 25 vjetorin e saj në Samitin e Nairobit, në 2019 dhe, një vit më pas, në kohën e pandemisë së COVID-19, barazia gjinore mbetet një prioritet për UNFPA në të gjitha nivelet dhe rezultatet tona transformuese nuk mund të arrihen pa mbështetjen e burrave. Burrat si baballarë, bashkëshortë, apo partnerë luajnë një rol të rëndësishëm në familje. Përmes këtij projekti ne duam t’i inkurajojmë ata të luajnë rol të barabartë në rritjen e familjes, ndarjen e përkujdesjes dhe punëve të shtëpisë dhe argëtimin me familjen e tyre.” – Elsona Agolli, UNFPA Analiste e Programit për Çështje Gjinore dhe Zhvillimin e Popullsisë.Qëllimi përfundimtar i kësaj Analize është të ndihmojë politikëbërësit dhe vendimmarrësit të kuptojnë situatën në Shqipëri, sfidat, stereotipet dhe praktikat diskriminuese me të cilat përballen gratë dhe burrat dhe që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre të barabartë në tregun e punës dhe jetën familjare.
“Kohët e fundit në Shqipëri kemi përmirësim dhe rritje të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje në të gjitha nivelet. Sfida e radhës është fuqizimi ekonomik i grave, aksesi më i madh i grave në tregun e punës, punësimi i tyre, siguria e tyre në punë, mbështetja e grave sipërmarrëse, aksesi i grave në shërbimbet sociale dhe shëndetësore. Ky vit mund të kërkojë një raport më të hollësishëm për sa i përket balancës së jetës profesionale me atë profesionale, duke qenë se të dhënat e siguruara nga raporti sot janë të bazuara në kushte normale, jo në kushte pandemie”, u shpreh znj. Eglantina Gjermeni, kryetare e Nën-Komisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës Ndaj Grave.
Kjo Analizë është përgatitur në kuadër të projektit rajonal “ Më shumë Zgjedhje: Politikat Familjare të Përgjegjshme Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi” zbatuar nga UNFPA[1] dhe mbështetur financiarisht nga zyra Austriake e Bashkëpunimit për Zhvillim (ADC).
[1] Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në lnjë me misionin e saj për të promovuar shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, kërkon të krijojë një mjedis mbështetës ku gratë dhe burrat të kenë mundësi të kenë lindshmërinë që duan dhe të plotësojnë nevojat e familjes, ndërkohë që ndjekin qëllimet e tyre për karrierë dhe mundësitë personale e sociale.
No comments:
Post a Comment