Disa punonjës të shëndetësisë në Itali morën gabimisht solucion fiziologjik (serum) në vend të vaksinës anti-Covid, Pfizer. Sipas asaj që shkruan TgCom24, ngjarja ndodhi në spitalin e Rovereto, në Trento. Problemi më i madh në këtë incident është fakti se nuk dihet se cilët janë mjekët e infermierët që kanë marrë vaksinën dhe cilët kanë marrë serumin. Për këtë arsye, ata do të duhet t’i nënshtrohen testit serologjik.
Sipas mediave fqinje, dyshohet se serumin e kanë marrë rreth 6 persona. Megjithatë autoritetet u detyruan që të thërrisnin të gjithë të vaksinuarit e ditës kur ndodhi incidenti në fjalë, që janë me qindra, në mënyrë që të gjithë të bëjnë testin serologjik. Nëpërmjet këtij testi do të jetë e mundur për të zbuluar me siguri se kush ka marrë vaksinën, e kush ka marrë solucionin fiziologjik.
Dyshohet se gabimi në fjalë ka ndodhur më 15 Janar, por nuk është e qartë nëse është përsëritur edhe herë të tjera. Mbetet e paqartë sesi është bërë një gabim i tillë. Mediat italiane thonë se tentuan që të merrnin më shumë informacion nga autoritetet përgjegjëse për vaksinimin e stafit mjekësor, por nuk ka ende një përgjigje./tvklan.al
No comments:
Post a Comment