Spitali Memorial i Fierit, një investim i qeverisë turke do nisë nga funksioni ditën e enjte, më 27 maj dhe do ofrojë shërbime të specializuara fillimisht për pacientët e qarqeve, Fier, Vlorë e Gjirokastër.

E sot mësojmë se drejtoresha e këtij spitali, do të jetë Rudina Degjoni, ish-drejtoreshë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Degjoni ishte emëruar në krye të FSDKSH-së në maj të vitit 2019 pas një eksperiencë menaxhuese dhe akademike disavjeçare. dhe u largua nga ky institucion në shtator të vitit 2020.

Prezantimin e saj në krye të spitalit të Fierit, e bëri sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një postimi në “Facebook”.

“Me kënaqësi ju prezantojmë me një pjesë të ekipit mjekësor të Spitalit Memorial”- shkruan Manastirliu ndërsa publikon fotografitë me emrat dhe pozicionet e stafit të spitalit më të ri në Shqipëri.

Kush është Rudina Degjoni

Rudina Degjoni ka përfunduar studimet bachelor dhe master në Athinë, për Menaxhim të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Më vonë ka studiuar në Zvicër për Aministrim Biznesi. Po ashtu edhe studimet e doktoraturës në këtë fushë në Zvicër.

Nga viti 2012 ka punuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Shqipërisë. Ajo ka punuar në disa spitale në Shëipëri dhe në Greqi, ku ka mbajtur pozicione si Shefe e Departamentit të Pacientëve, Shefe e Departamentit të Operacioneve, Oficere shërbimi për pacientët, Drejtuese e Departamentit të Shërbimit të Konsumatorëve.

Degjoni është emëruar në krye të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) në maj të vitit 2019 pas një eksperiencë menaxhuese dhe akademike disavjeçare dhe u largua nga ky institucion në shtator të vitit 2020.

STAFI I SPITALIT MEMORIAL NË FIER:

Përveç mjekëve nga Turqia, spitali është plotësuar në staf me mjekë, infermierë, teknikë e personel mbështetës nga Shqipëria.

Spitali do hapet me faza dhe faza e parë do shërbejë për urgjencat kirurgjikale e shërbimet ambulatore të sëmundjeve të brendshme.

Faza e dytë që nis më 30 qershor do ofrojë shërbime të reja si laboratori i hemodinamikës, urologjia e shërbime të tjera të specializuara, ndërsa faza e tretë do  plotësojë funksionalitetin e spitalit pasi do ofrojë shërbimet e traumës./Hashtag.al