Friday, May 7, 2021

Dr. Suzana  Zhuka: Holluesit e gjakut, ja pasojat në shikim të përdorimit për një kohë të gjatë

Bisedoi: Desara Çela

Më shumë se një vit pas shfaqjes së një lloji të ri virusi corona SARS CoV-2 kemi mësuar se patogjeni agresiv nuk prek vetëm mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes, por edhe zemrën, enët e gjakut, nervat, veshkat, lëkurën dhe sytë. Mjekja okuliste Suzana Zhuka, shprehet se virusi ka patur një efekt negativ, sidomos tek personat të cilët kanë përdorur për një kohë të gjatë holluesin e gjakut duke i shkaktuar hemorragji në pjesën e bardhë të syrit (në konjuktiv). Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për fëmijët të cilët e kanë kaluar COVID-19, sepse sipas mjekes nuk ka patur asnjë rast të një fëmije postCOVID me problem tek sytë e shkaktuar nga kalimi i virusit

Pacientët pasi janë negativizuar nga COVID-19, janë shfaqur me shqetësime të cilat janë:

  • Shikim të turbullt, pamje jo të pastër
  • Hemorragji në pjesën e bardhë të syrit (në konjuktiv)
  • Mosha e tretë me hemorragji në pjesën e brendshme të syrit (raste të rralla)

Këto ankesa kanë ardhur nga pacientë të cilët e kanë kaluar virusin në formën e lehtë ose mesatare.

Pasi pacientët janë vizituar me bio mikroskop (stadi i lehtë i kalimit të virusit) nuk kishin shikim të pastër, si pasojë e virusit kishin probleme në xhamin e syrit (kornea). Në disa zona të xhamit të syrit jo në total, xhami ishte i turbullt. Kjo vjen si pasojë e kalimit të virusit dhe gjendjes virale të organizmit. Kjo diagnozë quhet keratit viral, të cilën e kemi trajtuar me antiviral pomadë lokalisht në sy. Rastet të cilat kanë qenë më shumë të rënduara i kemi mjekuar me antiviral nga goja. Ko ishte grupmosha e parë ose kategoria e parë që kishte problem tek njëri sy me prekje të  xhamit të syrit. Kjo kategori kishte shikimin e turbullt jo të pastër me njolla ose me pulla. Mosha e prekur ishte nga 18-60 vjeç.

Pacientët  të cilët kishin hemorragji  në  pjesën e bardhë të syrit (në konjuktiv), ishin ato të cilët ishin trajtuar me hollues të gjakut dhe si pasojë e trajtimit për një periudhë të gjatë me këtë medikament ka patur efekt negativ duke i dhënë hemorragji në konjuktiv. Them që këto janë pjesa më me fat sepse, kjo rikuperohet. Hemorragjia mbahet nën kontroll me mjekim, lokalisht me pika në sy dhe me kompresa të ftohta dhe pas kësaj çdo gjë kthehet në normalitet dhe nuk të lë pasoja për shikimin. Kjo sepse hemorragjia është në sipërfaqe të syrit, në të bardhën e syrit. Nuk janë si rastet që thashë më lart të cilët kanë dëmtim të xhamit të syrit.

Kemi dhe raste më të rralla, veçanërisht tek mosha e tretë të cilët kishin hemorragji në pjesën e brendshme të syrit, në pjesën e retinës. Kam patur 4 raste të tilla, në pacientët me sëmundje kronike si diabet dhe hipertension arterial. Këto pacientë të cilit ishin me diabet ose hipertension arterial nga përdorimi i holluesve të gjakut në periudhën e COVID-19  për një kohë të gjatë, u kishte dhënë hemorragji në enët retinale të cilat ushqejnë retinën  e cila është shtresa e fundit e syrit. Por e gjitha varet se ku është kjo hemorragji,  nëse është hemorragji në pjesën centrale direkt ka pasoja në shikim, nuk shikojnë mirë. Janë të rikuperueshme por disa kanë afat kohor më të shkurtër dhe disa më të gjatë.  Si tek rastet me sëmundje shoqëruese me diabet ose hipertension aterial duan një kohë më të gjatë rikuperimi. Gjithashtu kemi patur edhe pacientë të cilët nuk kanë vuajtur kurrë më parë nga sytë dhe pas kalimit të COVID-19 i janë shfaqur problemet, kryesisht tek moshat e reja  ka qenë keratiti viral. Tek grup mosha mbi 60 vjeç ka patur hemorragji në sipërfaqen e syrit.

Sa për fëmijët të cilët e kanë kaluar virusin nuk kam patur asnjë rast që të jetë me simptoma postCOVID ose ti ketë sjellë prindi të cilët kanë patur problem me shikimin pas kalimit të COVID-19.

 

 

No comments:

Post a Comment