Wednesday, May 12, 2021

Pse një ditë dedikuar infermierëve?

Nga Babeta Rexhepi

Ka më shumë se 20 milion infermierë në të gjithë botën dhe secili prej tyre ka një histori. Ata kanë çfarë të ju thonë mbi shpresën dhe guximin, gëzimin dhe dëshpërimin, dhimbjen dhe vuajtjen, jetën dhe vdekjen. Si një forcë gjithnjë e pranishme për të luftuar të keqen, që të mbizotërojë e mira, infermierët qëndrojnë gjithnjë pranë jush si në rastet tuaja më të bukura(lindja e një foshnje) ashtu edhe në rastet tuaja më tragjike.

Infermierët i shërbejnë njerëzimit dhe, me veprimet e tyre, ata mbrojnë shëndetin dhe mirëqenien e individëve, komuniteteve dhe kombeve.

Në të gjithë botën, është fakt, që njerëzit në mënyrë të përvitshme i kanë klasifikuar infermierët si profesionistët më të besuar.

Njerëzit instiktivisht u besojnë dhe respektojnë infermierët dhe punën që ata bëjnë.

Por ka edhe nga ato, të cilët vazhdojnë të përfolin këto profesionistë si: të pandjeshëm, të orientuar pas ryshfetit, jo profesional sa mjekët etj. Këto steriotipe e shpërfytyrojnë profesionin tonë dhe demotivojnë infermierët gjatë shërbimit të tyre. Mbetet në duart e këtyre profesionistëve të ndryshojnë këto qëndrime duke investuar vazhdimisht në ngritjen e tyre akademike dhe personale, por jo vetëm. Një punë e madhe duhet bërë kryesisht nga politikëbërësit për të nxjerrë më në pah këtë profesion dhe rëndësinë e paçmuar që ai mbart në drejtim të mirëqënies së popullatës dhe zhvillimit të shoqërisë.

Dua të ndalem sot, të falenderoj të gjithë infermierët për punën vetmohuese që ato ushtrojnë. Jeni një armatë e fuqishme dhe shpresa jonë më e madhe për një shoqëri të shëndetshme dhe të lumtur.

Faleminderit!

No comments:

Post a Comment