Puna mbi 55 orë në javë mund të jetë “rrezik serioz për shëndetin”, zbulon një studim i ri. Qindra mijëra njerëz vdesin çdo vit për shkak të orëve të gjata të punës dhe pandemia mund të jetë duke i përkeqësuar gjërat.
Orët e gjata të punës kanë çuar në qindra mijëra vdekje çdo vit, si rrjedhojë e një prirje që po përkeqësohet nga pasiguria ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit, tha të hënën (17.05) Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në studimin e parë global të humbjes së jetës të shoqëruar me orë më të gjata pune, një botim në revistën Environment International tregoi se 745.000 njerëz vdiqën nga një goditje në tru dhe sëmundje të zemrës të shoqëruara me orë të gjata pune në vitin 2016, duke shënuar një rritje gati 30% nga viti 2000.
Studimi gjithashtu vuri në dukje se numri i njerëzve që punojnë me orë të gjata po rritet, dhe aktualisht qëndron në 9% të popullsisë totale globale.
“Puna 55 orë ose më shumë në javë është një rrezik serioz për shëndetin,” tha Maria Neira, drejtore e Departamentit të OBSH-së për Mjedisin, Ndryshimet Klimatike dhe Shëndetin.
“Ajo që ne duam të bëjmë me këtë informacion është të promovojmë më shumë veprim, më shumë mbrojtje të punëtorëve,” tha ajo.
‘Linjat e paqarta’ midis shtëpisë dhe punës
“Pandemia COVID-19 ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e punës së shumë njerëzve,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Puna nga shtëpia është bërë normë në shumë industri, shpesh duke turbulluar kufijtë midis shtëpisë dhe punës.”
“Asnjë punë nuk ia vlen të rrezikohet nga goditja në tru ose sëmundja e zemrës. Qeveritë, punëdhënësit dhe punëtorët duhet të punojnë së bashku për të rënë dakord mbi kufijtë në mbrojte të shëndetit të punëtorëve,” shtoi Ghebreyesus.
OBSH dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vlerësojnë se 398.000 njerëz vdiqën nga një goditje në tru dhe 347.000 nga sëmundja e zemrës në vitin 2016 si rezultat i të punuarit të paktën 55 orë në javë.
Midis vitit 2000 dhe 2016, numri i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës të lidhura me orët e gjata të punës u rrit me 42% dhe nga goditja në tru me 19%.
Studimi arrin në përfundimin se puna 55 ose më shumë orë në javë shoqërohet me një rrezik të vlerësuar 35% më shumë të goditjes në tru dhe 17% rrezik më të lartë të vdekjes nga sëmundje ishemike të zemrës, krahasuar me punën 35 deri në 40 orë në javë.
Apele për të kufizuar orët e punës
“Pandemia po përshpejton zhvillimet që mund të ushqejnë prirjen drejt rritjes së kohës së punës,” tha OBSH.
Studiuesit thanë se 72% e viktimave të mbingarkesës në vitin 2016 ishin burra, kryesisht të moshës mesatare ose më të vjetër. Ai gjithashtu tregoi se njerëzit që jetonin në Azinë Juglindore dhe rajonin e Paqësorit Perëndimor ishin më të prekurit. Shpesh, punëtorët vdisnin shumë më vonë në jetë, ndonjëherë dekada pasi ishin larguar nga puna.
Stafi i OBSH-së, përfshirë Ghebreyesus, thonë se ata kanë punuar me orë më të gjata gjatë pandemisë. Orët e mbylljes do të ishin të dobishme për punëdhënësit, pasi kjo kishte treguar se rrit produktivitetin e punëtorëve, tha zyrtari teknik i OBSH-së Frank Pega.
“Është me të vërtetë një zgjedhje e zgjuar të mos rrisësh orët e gjata të punës në një krizë ekonomike,” tha ai.
No comments:
Post a Comment