Friday, May 21, 2021

Pse po vonohet doza e dytë e vaksinës? Mirela Cami sqaron qytetarët: Flisni me mjekun e familjes

Ka pothuajse një javë, që ata të cilët duhet të bënin dozën e dytë të vaksinës Coronavac, nuk u vaksinuan për shkak të mungesës së vaksinës. Përveç Tiranës, mungesa janë krijuar edhe nëpër qendra shëndetësore në rrethe.

Këtë të mërkurë, ka marrë miratimin në qeveri, sasia prej 500 mijë vaksinash të tjera, të cilat pritet të mbërrijnë së shpejti. Ekspertët e vaksinimit u bëjnë apel qytetarëve, që nuk ka vend për t’u shqetësuar, pasi shtyrja në kohë e dozës së dytë nuk krijon asnjë problem.

Për të sqaruar këtë ishte në një lidhje “Skype” me emisionin “Wake Up”, Drejtoreshë e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami.

Jeni shprehur si autoritete shëndetësore se problemet e krijuara me mungesën e vaksinës Coronavac, si në Tiranë edhe në rrethe, pritet të zgjidhen këto ditë. Kur saktësisht?

Përsa i përket procesit të vaksinimit dua të theksoj se ne kemi ndjekur strategjinë e kryerjes së sa më shumë vaksinave si dozë e parë. Me qëllim që të sigurojmë mbulesë dhe një shtrirje sa më të gjerë të kësaj vaksine në popullatë. Dhe sa u takon dozave të dyta, ne jemi duke punuar me një ritëm dhe kapacitet jo të plotë, pasi jemi në pritje të mbërritjes së sasisë së dozave të Sonovac-ut nga Turqia. Dua të bëj me dije se procesi i vaksinimit nuk është ndërprerë për asnjë moment në të gjithë vendin, qoftë me doza të para e qoftë me doza të dyta. Jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin ka një vijueshmëri të procesit.

Edhe ekspertët e thonë që shtyrja me disa ditë e aplikimit të dozës së dytë të vaksinës nuk përbën asnjë problem nga pikëpamja shëndetësore. Ne u kemi kërkuar të gjithë mjekëve të familjes që të komunikojnë me qytetarët, me individët që e kanë kryer dozën e parë, për të komunikuar në lidhje me datën se kur do të kryhet doza e dytë.

U kërkoj qytetarëve që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me mjekun e tyre të familjes për të marrë informacionin mbi datën e kryerjes të kësaj doze të dytë të vaksinës. Por gjithsesi ne kemi vijuar, nuk e kemi ndërprerë në asnjë moment. Por jemi në kapacitetin jo të plotë.

 

 

No comments:

Post a Comment