Lëkura me shumë nishane mund të jetë problematike, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Ka nishane që në lindje dhe ka prirje për dalje nishanesh për shkak të trashëgimisë
Aktore dhe modele të njohura kanë nishane identifikuese të tyre. Të tilla si Merlin Monro, Elisabet Tejlor, Eva Mendez apo Sindi Kroford. Megjithatë, janë jo pak njerëz që nishanet nuk i shohin si pjesë të bukurisë, aq më tepër me njohuritë më të fundit se ato mund të jenë edhe të rrezikshme për jetën. Si shkaktohen nishanet? Kur fillojnë të dalin dhe cilat mund të jenë mënyrat e trajtimit dhe rreziqet që ato sjellin? Kur duhet të fillojmë të shqetësohemi për praninë e tyre?
Të gjitha këto i shpjegon për gazetën “Shëndet Plus” dermatologia pranë shërbimit të Dermatologjisë në QSUT, Entela Shkodrani.
Doktoreshë, si shpjegohjet fakti se disa njerëz e kanë lëkurën me shumë nishane, ndërsa të tjerë jo?
Nevusi është termi mjekësor me të cilin mjekët i referohen atyre elementeve të pigmentuar në lëkurë, të kufizuar mirë, që në gjuhën popullore njihen si nishane. Nevuset mund të jenë kongenitale, pra të pranishëm që në lindje ose të fituar me kalimin e viteve.
Tendenca për të pasur nishane është e njëjtë si për femrat, ashtu edhe për meshkujt, pra nuk ka preferencë seksuale. Ndërsa shpërndarja e nevuseve në trup ka një lloj preference seksuale psh dihet që vajzat kanë më shumë nishane në këmbë dhe djemtë në trup.
Fakti që disa njerëz kanë më shumë nevuse se të tjerët shpjegohet vetëm me prirjen e tyre gjenetike. Ka disa lloje të ndryshme nevusesh dhe pjesa më e madhe e tyre janë epidermale (të lokalizuar në pjesën e jashtme të lëkurës). Nevuset melanocitike apo me ngjyrë tregojnë që ato janë të përbëra nga shumë qeliza që prodhojnë melanine që quhen melanocite.
Cilat janë shkaqet kryesore të daljes së nishaneve në lëkurë?
Mendohet që pjesa më e madhe e daljes së nishaneve i dedikohet një anomalie të rastësishme malformimi gjatë zhvillimit embrional të një individi. Gjithmonë e më tepër ka studime që provojnë që nevuset kongenitale janë gjenetikisht të trashëgueshme. Ndërsa nevuset e fituara kryesisht shkaktohen nga ekspozimi i tepërt në diell, por gjithashtu edhe nga predispozita gjenetike.
Cilët mund të jenë shkaktarët e dëmtimit të lëkurës me nishane?
Nuk mund të shprehemi se ka shkaktarë të dëmtimit të lëkurës me nishane. Nëse një individ ka shumë nishane në trup, në përgjithësi mbi 40 apo 50, ka nishane të quajtura atipike, pra nishane që në pamjen e jashtme kanë disa ndryshime si asimetri konturi, ngjyrë apo strukturë, ka në familjen e tij persona që kanë kaluar melanoma apo kancer lëkure, atëherë ne si dermatologë këtë person e klasifikojmë si individ me risk dhe i këshillojmë kontrollet rutinore dermatoskopike. I vetmi shkaktar të cilin mund ta evitojmë, është eskpozimi i tepërt dhe jo i kontrolluar në diell.
Në cilën moshë fillojnë konkretisht të dalin nishanet në lëkurë?
Nevuset fillojnë e shfaqen në përgjithësi në fëmijërinë e hershme. Maksimumi i shfaqjes së tyre arrin në adoleshencë deri në moshën 40-50 vjeç.
A ka ndonjë mënyrë për parandalimin e tyre?
Nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar shfaqjen e nevuseve. Nëse një person është i përcaktuar gjenetikisht për të pasur një numër të caktuar nevusesh, e vetmja mënyrë parandalimi është kujdesi ndaj ekspozimit në diell që fillon që në fëmijërinë e hershme. Në përgjithësi vitet e fundit shohim që është rritur interesi dhe kujdesi i prindërve për mbrojtjen e fëmijëve nga dielli. Parandalimi i melanomës fillon pikërisht në këtë moshë duke evituar djegjet e vazhdueshme në diell të cilat konsiderohen gjithashtu si një nga faktorët e riskut për melanoma.
A duhet të bëjnë ndonjë kontroll mjekësor tek dermatologu njerëzit që kanë shumë nishane?
Sigurisht, dermatologët i kartelizojnë personat me shumë nishane dhe u rekomandojnë një kontroll rutinor dermatoskopik. Në persona normalë dermatoskopia rekomandohet të kryhet një herë në vit, në personat me risk për melanoma kontrolli është më i shpeshtë. Po kështu duhet të kryejnë kontroll rutinor dermatoskopik edhe familjarët e personave me melanoma.
A ka ndonjë metodë për zhdukjen e nishaneve mbi lëkurë?
E vetmja mënyrë për të zhdukur një nishan është ekcizimi apo heqja kirurgjikale e tij dhe konfirmimi i mëtejshëm bioptik për nishanin e hequr dhe pjesën përreth tij. Janë përdorur edhe mënyra të tjera si dermoabrazioni apo lazeri, por në shumë raste është vënë re rishfaqja e nevusit disa muaj mbas ndërhyrjes. Dëshira e njerëzve për të hequr nevusin në mënyrë të padhimshme, ka shtyrë teknologjinë në drejtim të lazerave kirurgjikale që mund të heqin nevusin edhe më në thellësi, por gjithsesi e vetmja mënyrë e sigurt shëndetësore është heqja e tij në rrugë kirurgjikale.
A ka ndonjë dietë apo mënyrë ushqyerje për personat që kanë shumë nishane?
Ushqimi nuk ka asnjë lidhje me praninë e nevuseve në trup.
No comments:
Post a Comment