Wednesday, July 29, 2020

Kushte të vështira për të sëmurët onkologjikë, radhë në pikun e vapës

Gazetare: Klevisa GJIKA

Shifrat e të prekurve nga COVID-19 janë alarmante nga dita në ditë. Edhe bilanci i viktimave është i frikshëm. Por sa përkthehet kjo frikë në kujdes dhe mirëmenaxhim të situatës së krijuar nga koronavirusi?

Në një monitorim të bërë nga gazeta “Shëndeti Plus” në spitalin Onkologjik në QSUT, vetëm pak metra larg spitalit Infektiv, vihen re qartazi grumbullime dhe radhë të gjata.

Qëndrimi jashtë Onkologjkut lë shumë për të dëshiruar për qytetarët që janë në pritje të vizitave apo marrjes së kimio terapisë. Një prej tyre, i pyetur për shërbimin në të tilla rrethana, shprehet:

“Kam një muaj rresht. As andej, as këndej. Hiç, më sjellin këtu, hajde mas kaq ditësh. Kam 4 data që kam ardh se më dhëmb gjoksi dhe nuk më kap doktori.  Erdhëm prapë sot, vij nga Elbasani.”

Temperaturat e larta, mungesa e një vendi për të mbajtur radhën, ruajtja e distancës fizike janë disa prej vështirësive me të cilat po hasen qytetarët që duan të marrin një shërbim në këtë spital. Këto vështirësi i mbivendosen problematikave të mëparshme. Për këtë qytetarët shprehen:

“Prit në radhë. Ca i fusin, ca s’i fusin. Ska lexu asnjëherë emra roja. Ik hajde në 12, ikim ne rrimë tërë ditën, pastaj thotë ik në shtëpi fare.”

Aktualisht holli i spitalit është i zbrazur, masë kjo parandaluese për përhapjen e virusit nga grumbullimet. Megjithatë, qytetarët shprehen se është e lodhshme të qëndrosh në diell, të mos ulesh dhe të presësh radhën që nuk respektohet. Në imazhet e siguruara nga gazeta “Shëndeti Plus”, njerëzit përpiqen ta ruajnë radhën, janë të pajisur me maskë, por ky mjet mbrojtës nuk mbahet siç duhet. Tensionimet gjatë pritjes nuk mungojnë. Të gjithë kërkojnë marrjen e shërbimit dhe vërshojnë drejt hyrjes, veprim ky që na sjell ndërmend një situatë normale kur COVID-19 ishte inekzistent.

Nuk duhet harruar se të sëmurët onkologjikë janë më të ekspozuar ndaj koronavirusit, gjë kjo që nënkupton marrje masash konkrete, qoftë për vendosjen e disa karrigeve apo të një tende për shmangien e të papriturave, si: rënie të fikëti, probleme me tensionin apo shqetësime të tilla të ngjashme.

Nisur nga fakti se në këtë spital diagnostikohen, trajtohen dhe ndiqen pacientë me kancer kujdesi duhet të jetë më i shtuar dhe të paktën duhet të pajisen me mjete mbrojtëse falas, si një kategori me probabilitet të lartë për tejçimin e infeksionit.

Edhe në Radioterapi situata nuk është shumë premtuese. Qytetarët mbajnë gjithashtu radhë për të marrë shërbimin e tyre, që është një nga trajtimet më të zakonshme për kancerin.

 

No comments:

Post a Comment