Tuesday, July 28, 2020

Përballë me gazetarët/ A e kemi kuptuar drejt rolin e Institucioneve të Pavarura?

Media dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian bëri bashkë në një trajnim në Tiranë, përfaqësuesit e mediave me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Fokusi ishte roli i institucioneve të pavarura si mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe sidomos rritja e informimit të gazetarëve, të mediave vizive dhe asaj të shkruar, në leximin e rekomandimeve që publikohen nga institucionet e pavarura.

Robert Gajda, komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndërsa foli për rolin e këtij institucioni në garantimin sa më efektiv të parimit të barazisë dhe mbrojtjen e qytetarëve nga diskriminimi individual dhe i strukturuar,  u ndal edhe tek rëndësia e madhe e funksionimit/forcimit të institucioneve të pavarura për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Një vëmendje të madhe z. Gajda i kushtoi gjithashtu edhe gjuhës së urrejtes të përdorur nga gazetarët në artikuj të ndryshëm, për të cilën konfirmoi shumë raste të gjobitura edhe individualisht për punonjësit e pushtetit të katërt.

Gajda diskutoi gjatë me gazetarët për punën e përditshme që bën KMD, si nis një çështje për hetim, cilat janë etapat që kalon hetimi i një ankese/çështje, dhe cilat janë kompetencat e këtij institucioni. Gjithashtu ai u ndal tek mekanizmi ndërinstitucional, ku institucionet e pavarura duhet të informojnë Kuvendin çdo tre muaj në lidhje me nivelin e zbatimit të rekomandimeve që i kanë adresuar organeve të administratës publike.

Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, shpjegoi z. Gajda përballë gazetarëve, ofron mbrojtje për personat e diskriminuar për shkaqe të ndryshme, duke përfshirë diskriminimin për shkak të origjinës etnike, përkatësisë gjinore, besimit fetar, aftësisë së kufizuar, moshës apo orientimit seksual në çfarëdolloj fushe të jetës private dhe publike.

Gjithashtu ai u ndal edhe tek raportet e monitorimit, të kryera së fundmi nga KMD, si dhe ftoi median që të jenë bashkëpunëtorë të vazhdueshëm në pasqyrimin e këtyre raporteve, por jo vetëm.

Pjesë e bisedës ishte edhe znj. Elona Hoxhaj, drejtore e Drejtorisë për të Drejtën e Informimit, pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. znj. Hoxhaj u ndal gjatë tek dy shtyllat kryesore të këtij institucioni: E Drejta e Informimit dhe Mbrojtja e të Dhënave Personale, si dhe orientoi gazetarët se si mund të përdoret ky institucion për të lehtësuar marrëdhënien e tyre me institucionet publike.

Veçanërisht gazetarët e terrenit, që janë çdo ditë në ndjekje të aktualitetit, i shprehën znj. Hoxhaj shqetësimin për kohën e gjatë që ju duhet të presin për një kërkesë për informacion si dhe kërkuan gjetjen e mekanizmave që gazetarët e aktualitetit të mund të marrin informacion më shpejt se sa është e parashikuar aktualisht me ligj.

Të dy komisionerët kërkuan një bashkëpunim të gazetarëve me institucionet e pavaruara për t’i bërë partnerë në vijim.

 

Trajnimi u shoqërua me reagime të shumta të pjesëmarrëve në lidhje me funksionimin e dhënies së informacionit dhe rekomandimet për përmirësimin e funksionimit të rolit të mediave, por edhe të institucioneve përgjegjëse nuk munguan.

Në fund të trajnimit, u prezantua një pjesë e studimit, realizuar me gazetarë të grupmoshave dhe eksperiencave të ndryshme, për njohjen e institucioneve të BE dhe institucioneve të pavarura shqiptare në fushën e të drejtave të njeriut.

Shoqata Together for Life në partneritet me Center ACT for SOCIETY po zbaton projektin “Europa Respekton të Drejtat e Njeriut”. Ky projekt mbështetet financiarisht nga European Union in Albania nëpërmjet programit IPA 2015, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave CFCU Albania.

 

 

 

No comments:

Post a Comment