Gazetare: Klevisa GJIKA
Fillimi i vitit të ri shkollor 2020-2021 është i pazakontë. Fëmijët duhet të mësohen me mësime në turne, matjen e temperaturës që në hyrje, ruajtjen e distancimit fizik dhe përdorimin e dezinfektantëve. Të gjitha këto i bashkëngjiten emocioneve të përvitshme të fillimit të shkollës dhe praktikisht vështirësojnë një fillim normal të procesit mësimor.
Dita e djeshme u shoqërua me një lumë shkrimesh në lidhje me menaxhimin e situatës pranë institucioneve arsimore. Grumbullimet pas kangjellave të shkollave ishin ato që nxitën shumë qytetarë të reagojnë, por mesa duket ky veprim ka qenë vetëm për ditën e parë të shkollës. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti”, drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Kamëz, Gentjan Murataj tregon se tani jemi rikthyer në normalitet.
“Kjo ka ndodhur vetëm ditën e parë të shkollës. Sot nuk ka pasur asnjë lloj rrëmuje, ndërsa dje si dita e parë e shkollës ka qenë stresi i prindërve për fëmijët për shkak të ditës së parë, është dita e parë, emocioni i parë. Kjo gjë ka ndodhur jashtë kangjellave të shkollës, por sot çdo gjë është kthyer në normalitet.”
Murataj thekson se procesi mësimor dhe shëndeti janë primare për 17 025 nxnësës në Kamëz.
“Ky është një vit normalisht i vështirë. Dua që procesi mësimor të mos cënohet, dhe shëndeti i mësuesve dhe nxënësve. Synimi më i madh është ky: Dua të ruaj shëndetin e mësuesve, nxënësve, sigurisht edhe të prindërve që është primare në këto kohë. Ne si zyrë arsimore operojmë me të gjitha shkollat dhe synimet vendosen nëpër shkolla.”
I pyetur në lidhje me organizimin dhe protokollin e lëvizjeve, drejtori i ZVAP në Kamëz shprehet kështu:
“Ne nuk kemi pritur ditën e parë. Ka 2-3 javë përpara që ne po merremi me organizimin. Në të gjitha shkollat e zyrës Vendore Arsimore Kamëz, që janë 23 aktualisht, 18 të arsimit 9-vjeçar dhe 5 të gjimnazeve janë marrë të gjitha masat. Janë pajisur me dezinfektantë, me maska. Dezinfektimi bëhet çdo mbarim turni nga sanitaret e shkollave. Kështu që i kemi marrë të gjitha masat. Normalisht, kemi edhe shkolla që janë të pritje të rikonstruksionit, aty kemi disa probleme, por të gjithë bashkë do t’i rregullojmë.”
“Mësuesit i kemi pasjisur ne me pajisje mbrojtëse, por ka edhe nga ata që i kanë marrë nga shtëpia. I kemi sjellë dhe maska e dezinfektantë. Ato nuk mbajnë maska kirurgjikale dhe nuk është e nevojshme që të ndërrohen për çdo turn. Normalisht që pastrohet, lahet, dezifektohet me anë të hekurit”, shton më tej.
Në lidhje me regjistrimet, ai thekson se ka një rënie të lehtë që nuk lidhet me COVID-19. Krahas kësaj, Murataj shton se regjistrimet janë kryer që në përfundim të vitit shkollor 2019-2020.
“Regjistrimet kanë filluar 1 muaj më përpara. Në fund të qershorit kur ka mbaruar shkolla ëshë bërë regjistrimi i nxënësve dhe një pjesë e nxënësve janë regjistruar tani se ishte hera e parë. Në zyrën Vendore Arsimore Kamëz vëmë re një ulje të vogël të numrit të nxënësve, një ulje jo shumë të ndjeshme, por kjo nuk ka të bëjë me COVID-in, ka të bëjë me lëvizjen demografikë, largimin jashtë shtetit.”
Shërbimi psiko-social pritet të jetë shumë më aktiv, nisur edhe nga situatra e krijuar nga SARS COV-2. Çdo shkollë do të ketë 1 ose dy psikologë ose punonjës socialë në varësi të numrit të nxënësve. Edhe për personat me aftësi të kufizuara ky shërbim do te jetë aktiv.
“Aktualisht në zyrën Vendore Arsimore Kamëz ka 8 psikologë, por ne do të kemi 36 punonjës socialë dhe psikologë. Pra do të ketë 1 psikolog ose punonjës social për çdo shkollë me 500-700 nxënës. Do ketë 2 psikologë ose punonjës socialë për çdo shkollë me mbi 700 nxënës, psh:. në gjimnazin Ibrahim Rugova. Do ketë 1 psikolog ose punonjës social për çdo shkollë që ka të paktën 10 nxënës me aftësi të kufizuara, kjo e përcatuar me raport të Komisionit mjeko-ligjor dhe Komisionit multidisiplinar që është në ZVAP Kamëz”, tregon Gentjan Murataj.
Ai shton se: “Ne kemi kërkuar ndihmë shtesë për mësues ndihmës për nxënës me aftësi të kufizuara. Aktualisht janë shtuar 33 mësues për nxënës me aftësi ndryshe.”
Drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Kamëz i bën apel nxënësve, mësuesve dhe prindërve që të ruajnë gjakftohtësinë, shëndetin e fëmijëve dhe të tyre dhe të jenë të sigurt se fëmijët e tyre janë në duar të sigurta. Ndërsa mësuesve i uron një vit të mbarë dhe i kërkon që me po ato fuqi dhe dëshirë që punojnë, të vazhdojnë të punojnë.
No comments:
Post a Comment