Gazetare: Klevisa GJIKA
Protesta e naftëtarëve të Ballshit në Tiranë për shlyerjen e pagave dhe rinisjen e punës është shoqëruar me përplasje dhe kundërshtime. Pjesë e këtij grumbullimi, krahas naftëtarëve janë edhe qytetarë të thjeshtë dhe aktivistë.
Krahas kërkesave për problemin në fjalë, nuk mungojnë reagimet për trajtimin e gjinisë femërore gjatë zhvillimit të protestës. Një qytetare e indinjuar shprehet kështu (qytetarja në foton më lart):
“Si mund ta denoncoj unë nëse ai shkel ligjin? Si lejohen këta burra që janë me armë, pa numra (për policët) që të prekin gra këtu? E kuptoni se ka shkelje ligjore dukshëm, në sy të mediave, në mes të Tiranës. Çfarë ndodh në pjesën tjetër të Shqipërisë? Ky është shteti represiv i Edi Ramës.”
Kështu, krahas grumbullimit për kauzën “ PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!” të naftëtarëve, qytetarët nuk kanë ngurruar të shprehin edhe shqetësime të tjera të krijuara gjatë zhvillimit të protestës.
Në anën tjetër të rrugës “Abdi Toptani” oficerët e policisë qëndronin në gatishmëri, nisur nga fakti se përplasjet dhe përleshjet nuk mungonin.
Uniformat blu përiqeshin t’i shpërndanin qytetarët, për të shmangur grumbullimet për shkak të COVID-19, por kjo ishte e pamundur.
Rreth 800 punonjës të rafinerisë së Ballshit përballen prej së paku tre vitesh me situata të përsëritura të mos-shlyerjes së pagave apo të ndërprerjes së punës. Në vitin 2017 dhe 2018 protestat e tyre u përshkallëzuan ndjeshëm dhe detyruan qeverinë të hynte në diskutim me kompanitë private Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat kishin pak kohë që kishin marrë në administrim rafinerinë.
No comments:
Post a Comment