Gazetare: Klevisa GJIKA
Përgëzimi i bluzave të bardha për situatën e menaxhuar në kushtet kur COVID-19 është akoma në qarkullim, lë vend për skepticizëm. Të paktën kështu shprehet në një intervistë për gazetën “Shëndeti”, Myzafer Kaçi, shef i Kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ai tregon se nuk ka nevojë për duartrokitje sepse, sipas tij, koha do kalojë dhe puna e bluzave të bardha do të harrohet.
“Nuk kemi nevojë që të themi se mjekët janë heronj se jemi të bindur se pasi të kalojë kjo situatë kjo gjë do harrohet shumë shpejt. Do jetë po e njëjta gjë si ka ndodhur më përpara”, tregon Kaçi.
Mjeku kirurg e lidh respektimin e bluzave të bardha me me një shembull konkret:
“Nuk ka rëndësi që të na duartrokasin te Komuna e Parisit: Bravo mjekët, etj. Jo. Respektimi i rendit, respektimi i bluzave të bardha është detyrë. Në atë vend që nuk respektohet, vendi do dështojë. Është njëlloj si në një vend ku nxënësi nuk bëhet më i mirë se mësuesi atëherë ai vend do dështojë.”
Në lidhje me menaxhimin e situatës në kushtet e pandemisë, kirurgu Kaçi tregon se puna ka vazhduar intensivisht për t’ju përshtatur normalitetit të ri.
“Drejtoria kohët e fundit ka marrë edhe me procedura të përshpejtuara personel. Ka patur konkurse, por konkurse të përshpejtuara. Personeli që kemi aktualisht shpërndahet në pavionet e tjera për të ndihmuar sado edhe pak”, shprehet Myzafer Kaçi.
Mjeku thekson faktin se mbajtja e maskës është e nevojshme. I pyetur në lidhje me furnizimin me pajisje mbrojtëse ai shprehet kështu:
“Në fillesat e para kishte mangësi si në çdo vend tjetër. Maska duhet! Mund ta keni ju dhe të ma transmetoni mua. Mund ta kem unë dhe jua transmetoj juve.”
“Përpjekjet që duhen bërë janë vetëizolimi, distancimi, marrja e masave, si maskat”, shton më tej Myzafer Kaçi.
No comments:
Post a Comment