Denisa Canameti
Pacientët kronikë janë kategoria më e rrezikuar nga COVID-19. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucionet e varësisë kanë marrë një sërë masash me qëllim minimizimin e rrezikut për këtë kategori pacientësh. Gjatë periudhës së karantinës, komunikimi me mjekun e familjes është bërë përmes telefonit, për referencë janë marrë vizitat e fundit të pacientëve tek mjeku specialist si dhe medikamentet për të sëmurët kronikë mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm barnat u janë dërguar në shtëpi.
Të gjitha këto masa kanë synuar që të shmanget kontakti i pacientëve me institucionet shëndetësore, me përjashtim të atyre rasteve kur konsulta me mjekun ka qënë e domosdoshme. Kështu, përmes një Udhëzimi nr. 04, datë 12.03.2020, “Mbi kufizimin e lëvizjes së pacientëve ne sistemin shëndetësor public parësor”, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ka udhëzuar që të gjithë dhënësit e shërbimit shëndetësor publik parësor të marrin masat e nevojshme me qëllim minimizimin e prezencës së pacientëve në institucionet shëndetësore publike dhe evitimin e grumbullimit të tyre, përgjatë kohës së rrezikut nga epidemia e shkaktuar nga virusi covid-19.
Në vijim udhëzimi dikton të gjithë mjekët e përgjithshëm/mjekët e familjes që të evitojnë pacientët kronikë të cilët trajtohen me receta periodike me rimbursim sipas datave përkatëse; në të gjitha rastet e mundshme, mjeku duhet të kontaktojë me telefon me këta pacientë dhe në rastet kur e gjykon që pacienti është i stabilizuar me mjekimin aktual, ta udhëzojë pacientin që të mos paraqitet në ambjentet e qendrës Shëndetësore.
Mjekët gjithashtu kanë bazuar në këtë udhëzim kanë lëshuar receta 6 mujore, duke marrë si referencë konsultën e fundit të pacientit me mjekun e Poliklinikës së Specialiteteve.
Mjekët e familjes kanë punuar për të evidentuar çdo ditë datat e recetave për të sëmurët kronikë; më pas kanë komunikuar me të sëmurin duke i mundësuar dërgimin e recetës me sms, ëhatsApp, Viber etj. Por në rastet e nevojës së kontaktit me mjekun e familjes puna është organizuar, duke bërë fillimisht një vlerësim paraprak të pacientëve nga stafi mjekësor pa u futur në ambientet e brendshme të qendrës. “E bëjnë këtë vlerësim infermieret duke u këshilluar si “rregull numër një” pacientëve mbajtjen e distancës. Pas çdo rasti të nevojshëm për vizitë, zbret mjeku i famijes për të komunikuar me pacientin po jashtë ambienteve e më pas, nëse vizita është e domosdoshme, pacientit i vihet maskë dhe vijohet shërbimi. Nuk duhet harruar që ka kategori pacientësh për shërbim të domosdoshëm në Qendra Shendetësore, si: mjekime plagësh, vizita kardiologjike që kërkojnë patjetër një mendim të kardiologut, shoqëruar me një elektrokardiogramë; infeksione që nuk kanë lidhje me COVID-19, por që kërkojnë trajtim të menjëhershëm; injeksione etj. Mjafton aq për të thënë sa shumë punë po bëhet” përgjigjet një nga mjekët e familjes e kontaktuar nga Shëndet plus.
Ndërkohë, në Poliklinikën e Specialiteteve gjithashtu është respektuar një protokoll i veçantë në rastet e vizitave. Mjekja oftalmologe Suzana Zhuka, është shprehur për “Shëndet plus” se: “për të evituar përhapjen e covid-19, ne kemi funksionuar si shërbim okulistike duke evituar vizitat e zakonshme normale, rutinë të të sëmurëve kronikë, duke pranuar vetëm urgjencat, që kanë marrë trajtimin e duhur, duke respektuar të gjithë protokollin e diktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë . Kemi patur një pytësor, ku i kemi pyteur nëse kanë patur temperaturë, humbje të ndjesisë së nuhatjes, shijes, nëse ka patur kollë të thatë, vështirësi në frymëmarrje, dhe historiku i udhëtimeve. Komunikimi me pacientin është bërë duke ruajtur distancën fizike, ndërsa kontrolli kur ka qënë I nevojshëm është bërë vetëm pasi janë marrë të gjitha masat e nevojshme”, përmbyll mjekja
Sipas një njoftimi të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deri ne fillim të muajit prill “Janë më shumë se 40 mijë shërbime nëpërmjet telemjekësisë që janë ofruar për të moshuarit, për të sëmurët kronikë dhe për ata që kanë dashur të konsultohen me mjekun e familjes për një problematikë shëndetësore apo për një tjetër. Dhe telekonsultat janë duke u kryer në të gjitha qendrat shëndetësore dhe janë duke ndihmuar me mijëra qytetarë, sidomos përsa i përket paketës së barnave të rimbursueshme ku më shumë se 28 mijë paketa të barnave të rimbursueshme kanë vajtur në shtëpitë e pensionistëve mbi 65 vjeç”. .
Numri i gjelbër në dispozicion të pacientëve kronikë
Gjatë periudhës së karantinës, por edhe në vazhdim me lehtësimin e masave, vëmendja ka qënë tek pacientët kronikë. MSHMS ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme thirrjet, që të shmanget kontakti me institucionet shëndetësore, dhe të kontaktohet me mjekun e familjes përmes numrit të gjelbër.
Më datë 19 mars, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu lajmëroi vendosjen e një linje të gjelbër falas për qytetarët për këshilla dhe pyetje që lidhen me COVID-19. Linja 0800 40 40 do të jetë në dispozicion të qytetarëve që duan të dinë se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim, si të lidhen me mjekun e familjes, por edhe për këshilla se si duhet të sillemi gjatë periudhës së qarkullimit të COVID-19
FSDKSH udhëzim farmacive: Të sëmurëve kronikë mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm barnat i dërgohen në banesë
Një ditë më vonë, më 20 mars, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka nxjerrë një tjetër udhëzim për farmacitë ku tashmë të sëmurëve kronikë dhe të moshuarve mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm pse nuk i kanë fëmijët në të njëjtin qytet do t’i vijnë barnat në shtëpi.
Mjekët e përgjithshëm do të jenë ata që do komunikojnë nëpërmjet telefonit, sms, skype apo ëhatsupp me pacientët për t’i komunikuar recetën dhe më pas farmacisti përgatit barnat dhe mundëson dërgimin pranë banesës.
Në momentin e dorëzimit sipas udhëzimit duhet të zbatohet në mënyrë rigoroze distanca 1.5 m largësi dhe për të garantuar gjurmueshmërinë prapa recetës së marrë duhet që pacienti të nënshkruajë që e ka marrë.
Ndërkohë në muajin maj, nga Polikilinika e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se do të nisë plani i hapjes së vizitave në kujdesin parësor dhe të specializuar, por do të vijojë të rekomandohet për të sëmurët kronikë të shmangin sa më shumë të jetë e mundur kontakti me institucionet shëndetësore.
Hapja e sistemit shëndetësor do të jetë me faza, deklaroi Ministrja e Shëndetësisë, do të hapen fashat orare të vizitave në qendra shëndetësore dhe poliklinika, në parametra dhe protokolle sigurie për respektimin e distancimit fizik, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe personelit shëndetësor nga përhapja e COVID19”.
Edhe pse ka njw hapje tw sistemit shwndetwsor Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vazhdon tu bwjw thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale.
Është shumë e rëndësishme të respektohen këto masa, pasi deri në momentin që nuk kemi një vaksinë apo trajtim të përcaktuar dhe për këtë vigjilenca duhet të jetë maksimale.
Të moshuarit apo dhe qytetarët me sëmundje kronike duhet të vazhdojnë të komunikojnë me mjekun e familjes për recetat me rimbursim, duke evituar sa më shumë të jetë e mundur kontaktet me institucionet shëndetësore, përvec rasteve kur është e domosdoshme.
Për pyetjet që mund të keni për sëmundjet kronike apo COVID19 ju lutem telefononi në linjën e gjelbër 0800-40-40. Por nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 duhet të telefononi numrin e urgjencës 127.
No comments:
Post a Comment