Dëshira për sigurimi i vaksinës së sigurt anti-covid ka bërë që qeveria shqiptare të marrë vendimin për t’u angazhuar financiarisht nëpërmjet mekanizmit COVAX.
Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhë vaksinën më të sigurtë, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar, ashtu si mbi 80 shtete të tjera në të gjithë Botën, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian.
“Bazuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit, nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër COVID19, nëpërmjet mekanizmit COVAX, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu.
Gjatë takimit me ekspertët, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se çdo hap drejt përzgjedhjes së vaksinës së sigurt do të hidhet me shumë kujdes.
“Sigurisht do të jemi shumë të kujdesshëm, gjithmonë në konsultim me ekspertët për vaksinën e sigurt, kur ajo të miratohet, për të qenë të sigurt për vaksinën efektive. Por qeveria është angazhuar për të siguruar aksesin, kurdo kur kjo vaksinë të dalë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale la të hapur edhe kanale të tjera komunikimi dhe bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian, për sigurimin e vaksinës në kohë.
No comments:
Post a Comment