Tuesday, September 22, 2020

Spitali Onkologjik/ Radhë të gjata, mungesë distancimi fizik pak metra larg Infektivit, konfrontime

Gazetare: Klevisa GJIKA

Radhët e gjata në spitalin Onkologjik vazhdojnë të jenë dominuese. Një ndër problemet është mungesa e stolave për t’u ulur dhe për të pritur, shqetësim që gazeta “Shëndeti” e ka ngritur edhe më parë.

“Jo, ne po rrimë këtu, ska një vend ku të rrish. Ajo me sëmundje dhe të rrijë 3 orë, 4 orë këtu. Ça të ankohesh këtu. Na pyete ti, t’u ankuam ty. Po të na pyesë ndonjë tjetër…i themi”, tregon një qytetar.

Pritjet e gjata, shtyrja e orareve, temperaturat e larta rreth 300C u shoqëruan edhe me konfrontime mes pacientëve në pritje dhe koordinatores së spitalit në fjalë. Shumë qytetarë, në padurim për të pritur, tentonin të hynin brenda Onkologjikut, por në çdo rast u përballën me uniformën blu pranë kësaj godine.

 

“Do i kërkoja përmirësim shërbimi, të gjitha mungojnë. Ku do ulen gjithë këta njerëz të sëmurë, rrinë në këmbë. Të lënë një orar fiks edhe të vijmë. Ku të rrijë gruaja? Edhe ne që jemi mirë spo rrimë dot, po rrimë shtrembër”, apelon një qytetar.

Mbajtja e distancimit fizik nuk ruhet, edhe pse spitali Onkologjik është në një oborr me spitalin Infektiv.

Siç shihet nga pamjet, njerëzit përpiqen të gjejnë një vend pë të qëndruar, nga të munden, pasi temperaturat e larta, frika e infektimit krijojnë vështirësi për to.

Duke pasur parasysh se spitali Onkologjik ndodhte pak metra larg spitalit Infektiv, risku i infektimit me COVID-19 është i lartë dhe mbajtja e maskës është e nevojshme për të parandaluar një përhapje të mundshme të SARS COV-2. Megjithatë, në një monitorim të bërë nga gazeta “Shëndeti” vihet re se ka një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve në lidhje me mbajtjen e këtij mjeti mbrojtës të domosdoshëm në ditët e sotme.

No comments:

Post a Comment