Më shumë se 170 vaksina kandidate kundër SARS-CoV-2 janë në garë. Shtatë prej tyre janë në fazën e tretë dhe të fundit të provave klinike. Proceset që normalisht zgjasin me vite po zhvillohen me shpejtësi rekord. Bëhet fjalë për jetën (dhe vdekjen), për para dhe pushtet.
Kjo është arsyeja pse zhvillimi i vaksinave është edhe një çështje politike. Donald Trumpi dyshon se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Medikamenteve (FDA) po e ngadalëson qëllimisht punën për një vaksinë efektive, sepse dëshiron të parandalojë që Presidenti të zbukurohet me dafinat e pretenduara të luftëtarit të pandemisë, para përfundimit të mandatit të tij në detyrë.
Kjo na kthen në shkencë: Për cilat dafina mund të flasim? A është me të vërtetë një vaksinë medikamenti gjithëshërues? Pyetje për imunologun Thomas Kamradt.
DW: Sapo të gjendet vaksina, gjithçka do të jetë në rregull – shumë duket se e presin këtë. A është e justifikuar kjo pritje?
Thomas Kamradt: Personalisht, unë do të isha i kënaqur nëse do të kishte një vaksinë të sigurt që do të rifreskohej çdo dy vjet, për mendimin tim, por që të ketë një efekt masiv në rrjedhën e sëmundjes. Vaksinimi mund të mos pengojë ndoshta që të keni rrufë ose simptoma të tjera të lehta.
Por kërkesat minimale do të ishin që vaksina të parandalojë insuficiencën e frymëmarrjes dhe dëmtimin e rëndë të organeve. Kështu që nëse më pyet se çfarë po presim, kjo është ajo që presim. Nëse një vaksinë e tillë nuk do të bënte asgjë tjetër veç se do ta kthente një kurs të rrezikshëm për jetën në një kurs të lehtë, unë do ta konsideroja atë sukses. Çdo gjë përtej kësaj do të ishte një sukses i madh.
“Imuniteti i tufës është epoka e gurit”
Vetëm kohët e fundit u raportua për një infeksion të ri. Një i ri nga Hong Kong-u ka dalë pozitiv me virusin për herë të dytë. Deri atëherë, kishte shpresë se kushdo që kishte kaluar infeksionin do të ishte imun. A vdiq me këtë edhe ideja e “imunitetit të natyrshëm të tufës”?
Pavarësisht nga ky lajm: Imuniteti i tufës është Epoka e Gurit! Po të shohësh se cilat nivele të infektimit do t’ju duheshin dhe sa e lartë do të ishte vdekshmëria, atëherë kjo është një metodë e Epokës së Gurit. Gjë që gjithashtu do të zgjaste pafundësisht.
Tani ne duhet të nisemi nga fakti se imuniteti nuk do të zgjasë për gjithë jetën. Prandaj shpresoj që askush të mos mbështetet më në imunitetin natyror të tufës. Imuniteti i tufës arrihet me vaksinat.
Pavarësisht nga rastet individuale dhe thjesht hipotetike: Ekzistojnë disa lloje të koronavirusit të ri me të cilin dikush mund të infektohet përsëri. Çfarë do të thotë kjo për zhvillimin e një vaksine efektive?
Ndryshimet e viruseve janë kryesisht të interesit epidemiologjik, sepse ato lejojnë gjurmimin e vatrave të infeksioneve. Deri tani, nuk ka asnjë provë se ndryshimet midis llojeve të ndryshme SARS-CoV-2 janë me rëndësi të madhe për efektivitetin e një vaksine. Ndryshe nga gripi.
“Testet e sigurisë nuk duhet të bëhen kalimthi”
Le të flasim për zhvillimin e vaksinave, i cili po ndodh me një ritëm të pabesueshëm. Disa shkencëtarë paralajmërojnë kundër hedhjes në treg të një vaksine potencialisht joefektive dhe të pasigurt vetëm për të qenë të shpejtë. Si shkencëtar, a shqetësoheni për ritmin e zhvillimit të vaksinave?
Deri tani jo, deri tani jam vërtet i ngazëllyer! Zakonisht duhen mbi dhjetë vjet që një vaksinë të ofrohet në sasi të mëdha në mënyrë që të vaksinohen të gjithë. Rekordin e deritashëm e mban vaksina për Ebolën, u deshën rreth pesë vjet deri në miratim. Kursu tani gjithçka ecën shumë më shpejt.
Ka disa arsye për këtë: Së pari, nga SARS dhe MERS e dinim se proteina spike ka të ngjarë të jetë një shënjestër e mirë për të aktivizuar imunitetin. Kjo do të thotë që nuk kemi pasur nevojë të fillojmë nga e para te një virus krejt i ri.
Veç kësaj, ekzistojnë edhe teknika krejtësisht të reja. Deri jo shumë kohë më parë, zhvillimi i vaksinave kërkonte që viruset të dërgoheshin në të gjithë botën, të rriteshin më pas në kulturat qelizore etj.
Këtu, studiuesit kinezë e vendosën sekuencën e virusit në internet në janar. Ti mund t’i krahasoje atë me SARS dhe MERS, kjo ndodhi tepër shpejt. Si rezultat, studimi i parë klinik i fazës 1, i cili ishte vaksina mRNA e Moderna, filloi që në mars.
Ajo që rrit gjithashtu shpejtësinë e të gjithë procesit është që hapat që normalisht zhvillohen njëri pas tjetrit janë paralelizuar. Për shembull, që tani janë krijuar qendra prodhimi për vaksina, që mund të mos ekzistojnë kurrë.
Ajo që nuk duhet të ndodhë kurrë është që testet e sigurisë të bëhen më me cektësi se zakonisht! Sado e keqe është e gjitha, 80 për qind e atyre që shfaqin simptoma përfundojnë vetëm me simptoma të lehta. Kjo do të thotë, që po të vaksinoj kundër diçkaje të tillë, duhet të jem shumë i sigurt se nuk po shkaktoj ndonjë dëm! Më në fund, ua bëj vaksinën njerëzve të shëndetshëm.
Kur e ke në dispozicion një vaksinë, lind pyetja se kush do të vaksinohet. Sidomos kush dëshiron të vaksinohet fare. Sipas një analize nga Qendra e Hamburgut për Ekonomi Shëndetësore, gatishmëria e popullatës së BE për t’u vaksinuar kundër koronavirusit të ri është në rënie. Një nga shqetësimet më të mëdha që kanë njerëzit janë efektet anësore të mundshme. A e kuptoni këtë shqetësim?
Komunikimi është shumë i rëndësishëm këtu. Edhe ekspertët habiten me atë që mund të paralelizohet dhe kështu të përshpejtohet. Kushton para, por nuk paraqet rrezik. Por, ajo që duhet të jetë shumë e qartë, natyrisht, është se kontrollet e sigurisë nuk mund të zhvillohen më shpejt ose më pak rrënjësore se zakonisht.
Një valë tjetër është përpara nesh, vala e gripit. A mendoni se është veçanërisht e rëndësishme ta bëjmë vaksinën e gripit këtë vit? Dhe nëse po, pse?
Nga njëra anë, për mbrojtje personale, sepse ende nuk e dimë nëse gripi e dobëson sistemin e imunitetit në atë mënyrw sa të bëhet më i ndjeshëm ndaj COVID-it.
Dhe nga ana tjetër, në mënyrë që të mos rëndohet sistemi shëndetësor. Gripi shoqërohet gjithashtu me një vdekshmëri të caktuar. Simptomat mund të jenë të ngjashme, kështu që urgjenca nuk mund të tregojë menjëherë a është COVID-19 apo grip.
Le të supozojmë se do ta kemi një vaksinë SARS-CoV-2: kush duhet të vaksinohet në fillim?
Idealja do të ishte që vaksina të jetë efektive tek të moshuarit. Ata kanë rrjedha më të rënda. Vaksina e gripit, për shembull, është më pak e efektshme tek njerëzit e moshuar sesa tek të rinjtë, gjë që mund të kompensohet me dozimin. Testet klinike do ta tregojnë këtë.
Dhe pastaj duhet të vaksionohen kryesisht njerëzit e moshuar dhe ata me sëmundje të mëparshme. Gjithashtu ata që janë veçanërisht të ekspozuar dhe që kanë një rrezik veçanërisht të lartë të përhapjes së virusit.
Një i ri dhe i shëndetshëm, që jeton në një kasolle në pyll mund të jetë i fundit që vaksinohet.
Thomas Kamradt është drejtor i Institutit për Imunologji në Spitalin Universitar Jena dhe President i Shoqatës Gjermane për Imunologji.
Intervistën e zhvilloi Julia Vergin
No comments:
Post a Comment