Denisa Canameti
Një studim i shoqatës ‘Together for Life’ i realizuar me 306 mjekë dhe infermierë në të tre nivelet e sistemit shëndetësor ka hedhur dritë mbi situatën e pajisjes së personelit me materiale të mbrojtjes personale në luftën kundër covid-19. Sistemi shëndetësor publik në Shqipëri ka shfaqur disa problematika në stokun e materialeve të mbrojtjes personale (MMP-ve), sikurse edhe shtete të tjera në të gjithë globin, thuhet në studim. Në periudhën mars – maj 2020, faza fillestare e shpërthimit dhe përhapjes së virusit COVID-19 në vend, vetëm 1/3 e personelit deklaron se institucioni i tyre ka pasur MMP-të e duhura dhe 1/4 i kanë pasur ato në sasi të mjaftueshme, ndërkohë që 1/10 nuk kanë pasur fare MMP. Situata shfaqet më pozitive në spitalet COVID-19 (QSUT dhe “Shefqet Ndroqi”), gjithsesi më pak se gjysma e personelit pohon përshtatshmërinë dhe bollëkun e MMP-ve, ndërkohë që sistemi parësor (pa shtretër) ka vuajtur më tepër mungesën e MMP-ve të duhura dhe në sasitë e nevojshme. Ndonëse situata ka ardhur duke u përmirësuar nga marsi në maj 2020, sërish personeli në sistemin spitalor (me shtretër), përfshi këtu spitalet COVID-19, tregon shkallë më të lartë të përmirësimit të situatës, gati dy herë më të lartë në sistemin parësor (respektivisht rreth 58% vs. 33%).
Por a ka formalizuar një ankesë personeli shëndetësor dhe në cilin nivel të sistemit ka patur më tepër ankesa?
Vetëm 33% e stafit shëndetësor deklarojnë se nuk ka qenë e nevojshme të ngrenë ankesë pranë institucionit ku punojnë, rrjedhimisht pjesa më madhe (67%) ka ndjerë pakënaqësi të shprehur ose jo. 37% e stafit shëndetësor ka drejtuar ankesë vetëm ose bashkë me kolegë të tjerë pranë eprorëve për mungesë të materialeve të mbrojtjes personale. Në mungesë të materialeve të mbrojtjes personale në gjendjen e pandemisë, kjo përqindje mund të ishte potencialisht edhe më lartë, por 21% deklarojnë që nuk kanë kryer ankesë pasi nuk kanë pasur besim në dhënien e një zgjidhjeje dhe 10% sepse kanë pasur frikë për vendin e punës, pra janë ndjerë të rrezikuar nga pasoja të mëtejshme negative.
Prej komenteve shtesë të stafit shëndetësor lidhur me ankesat, zbulojmë disa faktorë që kanë penguar formalizmin e një ankese të mirëfilltë: a) zgjidhja është përtej kompetencës së drejtorisë së institucionit, pasi nuk ka furnizim të përgjithshëm ose vetë drejtoria nuk merr përgjigje nga instancat më lartë; b) bindja që niveli parësor shëndetësor nuk ka prioritet dhe as fondet e mjaftueshme për t’u furnizuar me MMP; c) ndjesia e solidaritetit me shtetin dhe mungesën e përgjithshme të MMP-ve edhe në nivel ndërkombëtar, çka i ka shtyrë edhe në përdorimin me kursim të MMP-ve (si më lartë përmendur) e madje në ripërdorimin e tyre pas larjes.
https://ift.tt/3apv6Lp
No comments:
Post a Comment