Monday, August 24, 2020

Plani i vjeshtë-dimrit për përballimin e COVID19, Manastirliu: 48 infermierë i shtohen QSUT

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ka bërë të ditur se këtij spitali i është shtuar një ekip i ri prej 48 infermierësh, të cilët po shërbejnë në Spitalin Infektiv, ku prej më shumë se 5 muajsh po trajtohen të prekurit me COVID19.

Duke theksuar se deri tani janë 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor gjatë periudhës së epidemisë në vend, Manastirliu është shprehur se forcimi i kapaciteteve të burimeve njërëzore është një parapërgatitje për periudhën vjeshtë-dimër, ku mund të nevojitet që strukturat e reja spitalore, tashmë të bëra gati, të hapen për të përballuar fluksin.

“Jam shumë e kënaqur që të rinjtë i bashkohen stafeve tona mjekësore dhe janë 48 infermierë që së fundmi i janë bashkuar ekipit të QSUT-së dhe pikërisht Spitalit Infektiv. Tashmë sistemit shëndetësor po i shtohet një armatë e re infermierësh, për të mbështetur ekipet tona shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, kemi rreth 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor, qoftë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe gjithashtu ekipeve të monitorimit, kontrollit dhe inspektimit në terren”, tha Manastirliu.

Duke folur për përballimin e situatës në vjeshtë-dimër, Manastirliu tha se po bëhemi gati për hapjen e strukturave të tjera spitalore, në rast të rritjes së fluksit.

“Plani vjeshtë-dimër, jo vetëm që na ka orientuar drejt fuqizimit të kapaciteteve sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve biomjekësore, por tashmë rritja e numrit të stafeve tona infermierore i shërben cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve që vuajnë nga COVID19. Jam e kënaqur që kemi mundësinë që jo vetëm të punojmë së bashku me ekipin e ri, por edhe të kemi mundësinë që në një kohë si kjo e sotmja të trajnojmë ekipe të infermierëve, të cilët më pas do të jenë të gatshëm edhe për të përballuar situatën në vjeshtë-dimër, kur mund të kemi dhe hapje të strukturave të tjera spitalore dhe sigurisht t’i paraprijmë me ndërtimin dhe formimin e ekipeve tona të infermierëve dhe paralelisht edhe të mjekëve”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e virusit SARS COV2, sistemi shëndetësor nuk e ka ndaluar punën në asnjë moment dhe aktualisht po jep shërbim me kapacietete të plota edhe për të gjithë qytetarët.

 

No comments:

Post a Comment