Gazetare: Klevisa GJIKA
Për mjeken Mira Xhixha është shumë i rëndësishëm komunikimi me pacientët. Sidomos në këto kohë pandemie, sipas saj, kontakti me to duhet të jetë i kujdesshëm dhe ndërgjegjësues. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti Plus”, ajo shprehet se çdo pacient që ajo ka vizituar ka marrë edhe një lloj “edukimi anti-covid”.
“Në çdo pacient që vjen bëjmë edhe edukimin anti-covid. Si duhet të mbrohemi, si duhet të qëndrojmë larg dhe për t’i dhënë të gjithë informacionet të sëmurëve sesa rrezik kishin për këtë lloj infeksioni. Ky infeksion ka pasoja tragjike, duke ditur rrezikshmërinë dhe rriskun e kontigjentëve të caktuar të të sëmurëve që kanë rrezik për sëmundje të rëndë, duke ditur edhe rrezikun e lartë të infektimit. Në këto pika bazohet edhe edukimi i pacientëve.”
Mjekja alergologe në Poliklinikën Qendrore në Tiranë tregon se krahas punës së saj si bluzë e bardhë, nuk “përton” të informojë qytetarët që drejtohen tek ajo në një kohë kur COVID-19 është nëpër këmbë.
“Përveç anës së ngushtë të specialitetit tim do merresha edhe me propagandë të përditshme individuale me secilin pacient që mund të zgjaste edhe gjysmë ore”, rrëfen ajo.
Apeli i mjekes Xhixha është që të zbatohen 3 masat kryesore: mbajtja e maskës, larja e duarve shpesh ose dezinfektimi në mungesë të ujit dhe sapunit dhe distancimi fizik. Sipas saj, këto janë masa të sigurta që nuk kushtojnë, janë me kosto zero dhe që parandalojnë infektimin.
E pyetur në veçanti për alergjikët ajo thekson faktin se këta të fundit duhet të vazhdojnë mjekimin për aq sa mjeku i ka rekomanduar.
No comments:
Post a Comment