Gazetare: Klevisa GJIKA
Në radhë për të bërë tamponin dhe për t’u larguar nga Shqipëria. Këto janë dy veprimet që dhjetëra qytetarë kanë planifikuar për të vijuar jetën normalisht, pas ‘ngecjes’ në vendin e tyre për shkak të COVID-19.
Në një monitorim në terren të situatës në një laborator privat, qytetarët janë në radhë prej orëve të para të mëngjesit për të bërë tamponin PCR për Covid 19. Shumica janë familjarisht, për të marrë përgjigjen pas 48 orësh dhe për të kaluar në vijën kufitare të Kakavijës.
Për të bërë një tampon çdo person duhet të paguajë 12 000 lekë të reja. Kjo shifër konsiderohet e lartë për qytearët shqiptarë.
”Kam hyrë borxh për të bërë tamponin. 48 orë për të bërë tamponin dhe 24 orë për të ik andej. Të shkon 72 orë. Puna është e humbur. Duhet të jemi të premten atje se s’bën. Edhe familjarët, të gjithë pa përjashtim”, shprehet i shqetësuar një qytetar që dëshroin të largohet në Greqi, ku edhe ka ndërtuar jetën me familjen e tij.
“Çmimi në privat i lartë është. Për ne që ngelëm këtu, kostoja e lartë është”, tregon një tjetër person.
Siç shihet edhe nga imazhet e siguruara, distancimi fizik nuk respektohet plotësisht. Secili kërkon të mbarojë punë sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, shumica e personave mbajnë maskë.
Në radhët me dhjetëra persona që prisnin të mernin shërbimin ishin dhe dy vajza venezueliane që jetojnë në Shqipëri, por që duan të lëvizin për punë në Greqi.
“Jam nga Venezuala. Sapo erdhëm këtu. Ne jetojmë në Shqipëri dhe duam të ikim në Greqi. Kam nevojë për testin COVID-19. Dua të lëviz sepse dua të punoj”, shprehet për gazetën “Shëndeti Plus” njëra prej tyre.
Kujtojmë se përgjigjet e tamponit dalin pas 48 orësh.
No comments:
Post a Comment