Monday, August 31, 2020

Hasan Stafa: I futën për konsum të gjithë stoqet gjatë pandemisë, blerjet ishin imediate, por efektet negative

Gazetare: Klevisa GJIKA

Ardhja e COVID-19 në vendin tonë krijoi pikëpyetje të mëdha në lidhje me menaxhimin e situatës. Mungesa e ushqimeve ishte një ndër shqetësimet që qytetarët ngritën me mendimin se izolimi total do sjellë rritje të konsumit dhe boshatisje të dyqaneve dhe magazinave të tyre. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti Plus”, Hasan Stafa, drejtori i Ankesave në “Qendrën për Mbrojtjen e Konsumatorit” tregon se produktet ushqimore nuk kanë munguar dhe se problemi nuk qëndron këtu, por tek përdorimi i produkteve të mbetura që u nxorrën për shitje për konsumatorët.

“Mbyllja siç pati efektet pozitive për mbrojtjen nga virusi, pati edhe spekullime të çmimeve të medikamenteve, të vizitave dhe ushqimeve. Mbyllja e datës 8 mars solli edhe pasiguri dhe bëri që të pastrohen gjithë ato magazina, të gjithë kompanive të mëdha u kishin ngelur stoqe dhe produkte në prag të skadimit dhe aty është bërë falsifikime duke rregulluar datat, duke hequr etiketat.

Një pjesë e tregut spekullonte dhe bënte këtë, i futën të gjithë produktet stoqe për konsum për konsumatorët. Efektet negative këtu shihen edhe më vonë se mund ta  konsumosh sot por efektet e një produkti të denatyruar që ka humbur të gjitha vlerat ushqyese jepen më vonë”, shprehet Hasan Stafa.

Sipas Stafës konsumatorët ishin të papërgatitur dhe shikimi dayës së skadencës nuk ka qenë prioritare përballë mbushjes së karrocës me ushqime dhe dërgimit të tyre në shtëpi për të shmangur mungesa të tyre gjatë një periudhe krize.

“Konsumatori ishte i papërgatitur për këtë situatë dhe kryesisht një anëtar familjeje duhet të shkonte të blinte produkte në një dyqan ku gjente radhë të madhe sepse ishte kohë lufte dhe duke qenë kohë lufte nuk e shihte si është etiketa, kur ka skaduar. Nevoja imediate ose kërkesa e tij  në një situatë lufte ishte të merrte dhe te çonte diçka në shtëpi sa për të ushqyer familjen”, shton më tej ai.

Ja cilat janë ankesat kryesore të konsumatorëve gjatë kësaj peridhe referuar drejtorit të Ankesave në “Qendrën për Mbrojtjen e Konsumatorit”:

“Ankesa ka patur kur ka pasur raste kontaminimi me sallamin, qoftet, salçiçet, kremviçet, produktet e konservuara, si: konecervat, ëmbëlsirat e paketuara , biskotat. Këto ishin ushqime stoqe që duhet të konsumoheshin brenda një limiti. Duke qenë kërkesa e madhe, duke qenë kjo situatë lufte, duke qenë kjo goditje psikologjike ushqimet janë nxjerrë në treg thjesht për të pasur tregun të mbushur. Konsumatori blinte, por nuk gjente siguri dhe cilësi. Ka pasur raste kur njerëzit janë helmuar dhe fatmirësisht nuk kanë shkuar në fatalitet jete, por ama u është dashur shumë kohë të stabilizohen, plus presioni se mos është virusi derisa janë bërë analizat. Nuk kishte cilësi dhe siguri produkti”, tregon Stafa.

Po si kanë qenë ankesat gjatë pandemisë krahasuar me të njëjëtn periudhë të vitit të kaluar?

“Janë aty – aty, rreth 4% janë më të larta sepse duke qenë struktura shtetërore, policia në terren, taks-forca në terren, strukturat e shëndetit dhe mbrojtjes së mjedisit, konsumatorit dhe duke qenë aty për respektimin e protokollit frika e konsumatorëve ka bërë që të mos ankohen. Por këto ankesa nuk janë pak”, tha për gazetën “Shëndeti Plus” Hasan Stafa.

 

No comments:

Post a Comment