Gazetare: Klevisa GJIKA
Panorama jashtë spitalit COVID-1 mbetet e zymtë. Gjatë një monitorimi të bërë nga gazeta “Shëndeti Plus”, qytetarët qëndrojnë në dyert e Infektivit me shpresën se do të marrin një lajm të mirë.
Mirëpo, shqetësimi i tyre është se bluzat e bardha nuk japin informacion për të afërmit e tyre, por thjesht i mbajnë të shtruar.
“Thonë ja bëjmë shërbimin të gjithëve. Kam një doktoreshë që thotë i bëhen të gjitha, edhe babi ashtu më thotë se bëhen, por ne s’dimë gjë. Komunikojmë, flasim, por nuk e dimë në të vërtetë”, shprehet një qytetar.
Shërbimi spitalor gjatë turnit të natës lë për të dëshiruar. Të afërm të pacientëve shprehen se të infektuarit lihen në mëshirë të fatit. Në komunikimet që kanë pasur me to, ata shprehen se nuk u jepet ujë natën dhe se lihen të vuajnë në këtë të nxehtë. Një qytetar shprehet:
“Kam frikë turnin e natës ngaqë ska kontroll. Për ujë e për ndonjë shërbim. Telefon nuk ka, por kemi komunikuar me anë të mjekëve.”
Në komunikimet e mjekëve në hyrje të Infektivit, qytetarët i kërkojnë t’i dërgojnë familjarëve të tyre ushqime, ndërresa dhe ilaçe, pa të cilat personat me sëmundje kronike nuk mund të rrijnë. Për këtë bluzat e bardha shprehen se ka mjaftueshëm për të ngrënë dhe se nuk i mungon gjë.
“Aty ka bukë dhe ujë plot”, shprehet një mjek gjatë komunikimit me njerëzit në pritje prej ditësh.
Ndërkohë, bluzat e bardha që dilnin nga Infektivi nuk pranonin në mënyrë kategorike të përgjigjeshin apo të na informonin në lidhje me situatën aktuale në spital.
“Nuk mund të flas për asnjë gjë”, u shpreh një nga mjeket.
Teksa qytetarët janë në pritje me qese të mbushura për t’ia dërguar të afërmve të tyre ato tregojnë së orari i dhënies së paketimeve ndryshon. Pasi një pjesë e mirë u grumbullua për t’i dërguar ndërresa dhe ushqim në orën 11:00, vjen një tjëtër njoftim që e shtyn dhënien e pakove dhe qeseve në afatin kohor 17:00-18:00. Për këtë një qytetar që ndodhet prej dy ditësh pranë Infektivit shprehet:
“Kam që dje në orën 10 që se kam parë fare. Jo për ta parë, se s’të lë njeri, por që s’kam marrë asnjë lloj kontakti, fare. Si kam dërguar për të ngrënë, hiç, fare. Kam ndjenjur dje deri në 8 të darkës dhe s’më pranoi kush asgjë. I kam marrë dhe lëngjet dhe ndërresat dhe asgjë. Më thanë në 11:00, tani më thanë në 17:00. Të dalin të marrin ndërresat të paktën.”
“Mirë ushqimet, po ilaçet? Vetëm ilaçet aman. Të kishim dhënë ilaçet të paktën”, kërkon një qytetar.
“Edhe mua më kanë thënë në 08:00-09:00”, shprehet një tjetër qytetare e shqetësuar për nënën e saj të shtruar në spitalin COVID-1.
No comments:
Post a Comment