Gazetare: Klevisa GJIKA
Përfundimi i vitit shkollor 2019-2020 është pranë fillimit. Në bazë të njoftimeve të bëra nga fakultete të ndryshme në vend, studentët do i rikthehen auditoreve në fund të muajit gusht për të ridiskutuar temat e marra në mënyrë virtuale gjatë sezonit të dytë. Krahas kësaj, do të caktohen edhe datat e provimeve të pakryera për shkak të situatës që COVID-19 krijoi që në mars të këtij viti.
Në një monitorim të bërë nga gazeta “Shëndeti Plus” në fakultetin Histori-Filologji u konstatua se puna për dezinfektimin e ambienteve të fakultetit ka nisur. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, pastrimi i ambienteve të brendshme dhe të jashtme ka filluar.
Burime të sigurta pranë kësaj godine bëjnë me dije se kanë marrë një urdhër për vijimin e punës. Kjo masë vjen pasi universiteti në fjalë ka caktuar datat për rikthimin e studentëve në auditore.
“Unë e di që vijnë studentët me datë 25. Kanë dhënë urdhër që të bëhet pastrim”, u shpreh një punonjëse për gazetën “Shëndeti Plus”.
Pastrimi në FHF bëhej kryesisht me klor dhe açe. Siç duket nga imazhet, holli i godinës është i mbushur me ujë dhe masat për distancim fizik nuk mungojnë.
Mesazhet sensibilizuese për të treguar kujdes janë të afishuara nëpër mure. Mbani maskën, mbani distancën, nuk lejohet qëndrimi në korridor, drritaret duhet të mbahen të hapura janë disa nga masat që kërkohen të ndiqen.
Më tej, informohet se kur duhen larë duart dhe si duhet t’i lajmë ato.
Kujtojmë se në auditore pritet të zhvillohen leksione dhe seminare pas konceptimit të axhendës dhe mënyrës së realizimit të provimeve për vitin e I dhe II Bachelor (deri më 26.08.2020) dhe pas sistemimit të sallave në bazë të datave të provimeve që do të vendosen (proces që do mbyllet brenda afatit kohor 28.08.2020). Të dhënat janë bërë publike nga vetë fakulteti.
Ndërkohë, situata në fakultetin e Shkencave të Natyrës duket më e qetë. Në bazë të vëzhgimeve të bëra, vumë re se puna për dezinfektimin e ambienteve nuk ka filluar. Referuar kontakteve me punonjës të këtij fakulteti, mësimi në këtë godinë do rinisë më 1 shtator. Megjithatë, duhet të theksojmë faktin se edhe për vetë punonjësit e FSHN-së kishin paqartësi.
“Me 1 shtator, edhe pse unë e dija me 24 (gusht), por edhe unë tani e mora vesh, më duket se me 1”, tregon një punonjëse.
Në pjesën e jashtme të godinës së FSHN-së, rregullimet e rrugëve dhe riparimi i fasadave të ndërtesave vijojnë normalisht. Skelat, tullat janë të pranishme edhe në oborrin e fakultetit. Kujtojmë se rregullimet në Bulevardin Zogu i I-rë kanë një vit në ekzekutim. Korsia e biçikletave në mes të bulevardit “Zogu i Parë” do të jetë e vetmja që nuk do të preket.
No comments:
Post a Comment