Gazetare: Klevisa GJIKA
Situata e krijuar nga COVID-19 ka vështirësuar punën e bluzave të bardha. Megjithatë, edhe për qytetarët është jo e lehtë ndjekja e gjendjes shëndetësore të të afërmve në distancë.
Gjatë një vëzhgimi të bërë nga gazeta “Shëndeti Plus”, na tërhoqi vëmendjen Erion Çela, baba i një 2-vjeçari të shtruar në spitalin e fëmijëve “Selaudin Bekteshi”.
Çela ka marrë rrugët e Tiranës prej më shumë se 2 javësh. Së bashku me bashëkshorten dhe djalin kanë lënë Pogradecin dhe janë zhvendosur në kryeqytet për t’i ofruar fëmijës së tyre një shërbim mjekësor më të mirë.
Ai e sheh të birin nga dritarja, pasi vizitat në ambientet e brendshme spitalore nuk lejohen për shkak të frikës së përhapjes së virusit SARS COV-2 ende në qarkullim.
Erioni tregon se djali i tij ka probleme me njërën anë të muskulit të zemrës, gjë që vështirëson pompimin e mjaftueshëm të gjakut. Babai pogradecar shprehet se gjendja e djalit të tij është e rëndë. Prej më shumë se 2 javësh, ai qëndron i lodhur jashtë spitalit dhe ndjek vazhdimisht gjendjen e djalit, me frikën se mos është sërish në fije të perit.
“Rri te dritarja e shoh, kam fjetur edhe jashtë, kudo… se po bëj 20 ditë”.
Kujdesi për 2-vjeçarin është i madh. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, stafi mjekësor e lejon z. Çela të futet brenda me raste. Ai tregon se kur duhet ta lajnë, ai duhet të jetë patjetër aty:
“Vijnë e vizitojnë disa herë 4-5 doktorë. Vetë shkoj e shikoj sepse më kanë bërë një lehtësim për djalin ngaqë është në gjendje kritike. Tani do shkoj të laj djalin. Duhet të jemi të tre, edhe unë, edhe infermierja, edhe gruaja që njëri ta mbajë, njëri ta lajë”, tregon Erioni.
Edhe pse Erion Çela e takon rrallë djalin e tij për shkak të masave anti-covid, ai mendon se këto masa janë gjëja e duhur në një kohë të tillë. Ai rrëfeu për Gazetën “Shëndeti Plus” se shërbimi dhe kujdesi kanë qenë në rregull.
“Kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm. Shërbimin ia kanë bërë djalit siç duhet. Për shërbimin nuk kam asnjë lloj ankese. Gjithë shërbimin mjekësor na kanë ofruar. Kam djalin me zemër, me sëmundje shumë të rëndë dhe kanë bërë ç’është e mundur, mjekët dhe infermierët, për të shëruar djalin.”
No comments:
Post a Comment