Kryeministri Edi Rama nga një bashkëbisedim me mjekët e spitalit infektiv që janë në vijën e parë të betejës me pandeminë, tregoi planet dhe hapat e deritanishëm të qeverisë për të siguruar vaksinën anti-covid 19.
Ai ftoi qytetarët të respektojnë masat e ndërmarra kundër Covid-19, ndërkohë e përjashtoi mundësinë për një rimbyllje të dytë.
“Kemi një sfidë të madhe publike. Kjo nuk është një betejë që zhvillohet vetëm në spital, por çdokush duhet të zbatojë rregullat e bezdisshme, por të thjeshta. Virusi nuk ka ardhur për të ikur as për tri javë, as katër javë, as pas katër muajsh, por është bashkë me ne për një periudhë që nuk e dimë se sa do të zgjasë. Nuk mundet dot të zgjedhim mbylljen dhe izolimin si opsion të vazhdueshëm, sepse ajo sjell dëme dhe shkatërrime të natyrave të tjera, që në fund pastaj kanë një kosto shumë të madhe sociale jo vetëm një aspektin ekonomik, por edhe në aspektin psikologjik”, shtoi ai.
Kreu i mazhorancës, Edi Rama tha se autoritetet po punojnë për të kryer falas vaksinën për gripin stinor, ndërkohë shtoi se po bëhet e pamundura, që të sigurohet edhe vaksina e Covid-19, kur ajo të jetë në dispozicion.
“Ne kemi marrë masa për të rritur kapacitete vaksinuese për të lehtësuar gripin e stinës. Një trup më vulnerabël e merr goditjen më të fortë. Kemi vendos një financim të konsiderueshëm për vaksinim falas. Kemi bërë një rezervim për vaksinën e Covid-19 kur të dalë. Pa llogaritur kompetentët e “Facebook”, që flasin për çipa, që do ju përgjojnë ku do shkojnë, çfarë do bëjnë, që janë fantazi e çmendur,” theksoi Rama.
Kryeministri Rama gjatë takimit me mjekët u shpreh ndër të tjera se qeveria po përgatit një plan për rritjen e pagave të bluzave të bardha, ndërsa paralajmëroi se ky vendim pritet të miratohet në fillim të vitit 2021.
“Duam të realizojmë një rritje pagash që të jetë e konsiderueshme. Ende jemi duke bërë kalkulimet për pagën. Nuk flasim për një rritje që është e largët në kohë, por për një rritje që të futet në buxhetin e ri dhe ta bëjmë fakt që me fillimin e vitit të ardhshëm. Është një mirënjohje dhe vlerësim objektiv i detyruar, aq më tepër që Ogerta e sqaroi dje, ne kemi ndërmarrë masa të caktuara me kohë që mos t’i lëmë mjekët të largohen”, tha Rama.
Shefi i qeverisë nuk specifikoi shumën apo përqindjen e rritjes së pagave, por tha se ekspertët po bëjnë llogaritjet e caktuara për këtë hap që e cilësoi si “të domosdoshëm”. Ai pohoi se mjekët gjatë kësaj periudhe të vështirë kanë dhënë një shembull model me punën e tyre, duke u kujdesur për pacientët e prekur nga Covid-19.
Teksa iu përgjigjet kritikave për infrastrukturën spitalore, Rama tha se nëse Covid-19 do të kishte ardhur vite më parë kur spitalet nuk kishin logjistikën e duhur, situata sot do ishte me bilanc më të rëndë.
“Keni treguar për shumë nga ata që flasim dhe nuk dinë se çfarë bëhet, por thjesht kanë fjalën e keqe në majë të gjuhës. Trupa jonë e mjekëve është një trupë që meriton vetëm respekt edhe jo shtrembërime buzësh, dhe lëre pastaj akuza dhe sharje pafund që keni dëgjuar gjithë këto vite. Për fat të keq, dhe kjo situatë është botërore, na ra të përballemi me këtë monstër, por fatmirësisht na gjeti kjo luftë në një fazë ku sidoqoftë disa përmirësime të rëndësishme ishin bërë. Nëse kjo do të ndodhte vite më parë, kjo strukturë nuk kishte logjistikë, dhe do ishte një katastrofë e vërtetë”, tha Rama.
No comments:
Post a Comment