Thursday, August 27, 2020

Mbani maskën mirë!/ Agron Dogjani: Personeli ngelet më i rrezikuari, ja vështirësitë e tij si bluzë e bardhë

Gazetare: Klevisa GJIKA

Probabiliteti i infektimit të bluzave të bardha është shumë i lartë, nisur nga fakti se të gjithë qytetarët ‘përplasen’ tek ta në momentin kur kanë shqetësime shëndetësore. Megjithatë, është e rëndësishme që kontakti me stafin mjekësor të jetë i kujdesshëm për t’i mbrojtur ata nga një infektim i mundshëm.

Në një intervistë për gazetën “Shëndeti Plus”, kirurgu Agron Dogjani shprehet se gjatë punës së tij tek Spitali Universitar i Traumës, shumë pacientë kërkojnë shërbim mjekësor, por nuk respektojnë masat anti-covid. Ai thekson se personeli mbetet më i rrezikuari dhe kjo është vështirësia më e madhe që ka hasur gjatë kësaj periudhe.

“Personeli ngelet më i rrezikuari dhe grupi i njerëzve më të rrezikuar me patologji kirurgjikale traumatike ose jo, gjithmonë duke llogaritur me pacientë jo-Covid.

Ne përpiqemi t’i japim zgjidhje njerëzve për problemet që kanë, t’i japim ndihmë por ama të jemi kujdesshëm se mos infektohemi vetë. Kjo është e vështirë shumë, pasi një pjesë e popullatës akoma nuk është ndërgjegjësuar për praninë e COVID-it. Vijnë në spital me maska që nuk i mbajnë në mënyrën e duhur. E mbajnë poshtë mjekrës ose nuk mbulojnë hundën dhe në raste të tilla janë rrezik për veten dhe për ambientin, si dhe për personelin mjekësor që i jep ndihmë…kjo është vështirësia më e madhe”, shprehet Dogjani.

Më tej, mjeku tregon se qytetarët i përplasin të gjitha shqetësimet tek to, në një kohë kur duhet bashkëpunuar për përballimin e kësaj situate në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Është shumë e rëndësishme të thuhet se gjithë sikletet ekonomike, gjithë shqetësimet jetësore pacientët i përplasin te bluzat e bardha, që nuk është normale. As nuk mund të rregullohet spitali, as shteti për 1 orë. Dora-dorës duhet ta zgjidhim këtë problem. Nuk është një problem që e zgjidh as covid-i, as paracovid-i, as pascovid-i.”

Agron Dogjani i mëshon faktit se kjo situatë nuk dihet se si do shkojë, ndaj sipas tij kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm.

“Pandemia nuk dihet sa do zgjasë, sa do jetë virulenca”, thekson mjeku kirurg.

 

No comments:

Post a Comment