Gazetare: Klevisa GJIKA
Nga sot spitali COVID-2, “Shefqet Ndroqi”, ka në dispozicion dy pajisje respiratore dhe një aparat dializë krahas mjeteve të tjera. Pajisjet në fjalë janë dhuruar nga politikani dhe sipërmarrësi Agron Shehaj.
Lajmi u bë i ditur nga shefja e reanimacionit të spitalit Alma Cani, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ku falenderon Shehajn për dhurimin e bërë në këtë spital, ku aktualisht janë mbi 200 pacientë, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Cani shkruan në llogarinë e saj personale:
“Covid 19 është një përbindësh që ka ndaluar frymëmarrjen e botës mbarë.
Dhurimi i këtyre dy respiratorëve dhe aparatit të dializës janë një mundësi shumë e mirë që na ofrohet, për trajtimin efikas e bashkëkohor të këtyre pacientëve.”
Ajo thekson faktin se të prekurit nga koronavirusi kanë probleme jo vetëm me mushkëritë, por edhe me organe të tjera. Sipas saj, veprimi i deputetit do të thotë shpëtim i një jete në spitalin COVID 2.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk mund të kënaqim të gjitha shpresat njerëzore, por suporte të tilla jane mëse të domosdoshme, pasi komplikacionet që vijnë nga coronavirusi prekin jo vetëm mushkëritë, por edhe organe të tjera vitale si veshka, etj.
Është një veprim human që do të na ndihmojë të shpëtojmë jetë, dhe që sot një i sëmurë rëndë po përfiton nga një prej respiratorëve.”
Shefja e reanimacionit shpreson që ky akt sublim të pasohet nga të tjerë, pasi të gjithë jemi pjesë e kësaj fatkeqësie dhe ajo që na mbetet është ta lufojmë së bashku. Ajo e mbyll postimin kështu:
“I urojmë Agronit dhe familjes së tij gjithë të mirat .
Ju urojmë të gjithë të sëmurëve shërim të shpejtë. Ne jemi çdo çast me ju, të përkushtuar deri në vetëmohim, për të shëruar dhe mbrojtur jetën e çdo njeriu.”
No comments:
Post a Comment