Wednesday, August 12, 2020

Epidemiologu Alimehmeti: Covid shkakton shumë më pak vdekje se gripi i zakonshëm. Ja pse po preken të rinjtë

Gazetare: Klevisa GJIKA

Epidemiologu i njohur, Ilir Alimehmeti tregon përmes një studimi të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik “Carlos III” në Madrid se si janë shifrat e vdekshmërisë nga një grip i zakonshmë dhe nga COVID-19.

Në një postim në rrjetin social facebook, ai shpjegon se vdekshmëria nga koronavirusi është shumë herë më i vogël se gripi i zakonshëm nën moshat 50 vjeç.

Krahas kësaj, Alimehmeti i ka kushtuar rëndësi edhe rritjes së numrit të të rinjve të prekur nga COVID-19. Ai e lidh infektimin e tyre me 2 arsye:

  1. Të rinjtë janë moshat aktive mbajnë peshën e familjes, punës dhe shoqërisë
  2. Moshat e brishta (të moshuar dhe fëmijë) mbrohen nga moshat aktive

 

Postimi i plotë:

“Frika është armiku i logjikës”

Cit.: Frank Sinatra

E vërteta del gjithmonë në shesh miqtë e mi!

Është më e ngadaltë se imagjinata, por gjithmonë del në shesh herët a vonë!

Spanja u godit fort nga COVID-19 dhe ishte shteti i dytë ku shqiptarët i mbanin sytë, jo sepse ishte më mirë se Italia, por sepse për ne ishte më larg se Italia gjeografikisht dhe sociologjikisht.

Që në fillim njerëzit u tmerruan nga përqindjet e larta të vdekjeve, por harruan që shumica dërrmuese e infektimeve nuk zbuloheshin fare.

Kujdes: për të sqaruar këtë duhet të kemi të qarta dy terma:

CFR (case fatality rate) është përqindja e vdekshmërisë ndër rastet e zbuluara (e vërteta e pjesshme).

IFR (infection fatality rate) është përqindja e vdekshmërisë e të gjitha infektimeve totale (e vërteta e plotë).

Shifra e vërtetë është IFR-ja, por që njëkohësisht është edhe më e vështirë të përftohet, do kohën e saj por del herët a vonë.

Studimi zyrtar kombëtar në Spanjë, i zhvilluar nga Instituti i Shëndetit Publik “Carlos III” në Madrid zbuloi dhe publikoi shifrat e vërteta të infektimeve dhe vdekjeve në Spanjë. (linku në fund të postimit)

—Institutional Revieë Board of the Institute of Health Carlos III (Register number: PI 39_2020)—

Në detaj IFR-të sipas gjinive dhe grupmoshave të ndryshme janë si më poshtë:

IFR te meshkujt:

0–9 vjeç = 0.00%

10-19 vjeç = 0.00%

20-29 vjeç = 0.01%

30-39 vjeç = 0.03%

40-49 vjeç = 0.09%

50-59 vjeç = 0.38%

60-69 vjeç = 1.50%

70-79 vjeç = 4.95%

≥80 vjeç = 11.62%

IFR te femrat:

0–9 vjeç = 0.00%

10-19 vjeç = 0.00%

20-29 vjeç = 0.01%

30-39 vjeç = 0.02%

40-49 vjeç = 0.05%

50-59 vjeç = 0.17%

60-69 vjeç = 0.53%

70-79 vjeç = 2.01%

≥80 vjeç = 4.62%

Siç e dimë, ka një ndryshim shumë të madh të IFR-së në lidhje me moshën.

Duke qënë se IFR-ja e gripit sezonal është rreth 0.1%, mund të shohim fare qartë që moshat deri në <50 vjeç kanë IFR më të ulët se sa gripi sezonal.

Për moshat ≥50 vjeç, risku hipën në mënyrë eksponenciale dhe e tejkalon shumë më shumë gripin sezonal.

————————–

Element tjetër që vërehet në studim është infektimi më i lartë në moshat aktive (20-69 vjeç) në të dyja gjinitë.

Pra, mos u çudisni me “hije dyshimi” të tipit “TANI PO SËMUREN MOSHA MË TË REJA”!

Kjo është dinamikë normale e popullatës:

Moshat aktive mbajnë peshën e familjes, punës dhe shoqërisë;

Moshat e brishta (të moshuar dhe fëmijë) mbrohen nga moshat aktive

————————–

Pra, pavarësisht nga mosha, ruajmë masat e distancimit dhe të higjienës që të ruajmë kryesisht moshat e vjetra!

Fatmirësisht, mund të qetësohemi psikologjikisht për fëmijët dhe të rinjtë tanë!

Këto shifra duhet të informojnë edhe politikë-bërësit dhe vendim-marrësit për individualizimin dhe përshkallëzimin e masave sipas kategorive të riskut dhe jo me formatin “e njëjta masë për të gjithë”!

 

 

No comments:

Post a Comment